Njohësit e rrethanave politike thonë se është e vështirë me këto numra të mandateve të fituara nga partitë politike. Ata thonë se duke e pasur parasysh se koalicionet te ne nuk varen nga parimet e programeve politike por nga pazaret politike, është e vështir të parashikohet se kush me kë do të formoj Qeverinë e re
Zenel MIFTARI
Shkup, 29 korrik – Sipas paralajmërimit të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, menjëherë pasi të kaloj festa e Ilindenit, do të fillojnë edhe bisedimet për formimin e Qeverisë së re, ndërkohë që kanë filluar të dalin kalkulime dhe kombinime të ndryshme për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut. Për të pasur qeveri më stabile, gjithmonë krijohen koalicione më të gjëra me më shumë se dy parti politike, por në kushtet aktuale nuk ka ndonjë disponim që të ndodhë një gjë e tillë. Sipas njoftimeve të fundit, të gjitha partitë politike po komunikojnë në mes veti, por zyrtarisht ende asnjëra prej tyre nuk ka filluar bisedimet. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE, kanë caktuar kreun e kësaj partie Hristian Mickoski, për të udhëhequr bisedimet për formimin e Qeverisë së re.
Nga burimet jozyrtare, gazeta KOHA merr vesh se BDI është duke negociuar me të dy partitë maqedonase për të formuar Qeveri dhe se kusht për qeverisje, përveç kryeministrit, është vazhdimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës, dhe me Bullgarinë si dhe vazhdimi i rrugës europiane për anëtarësim në BE. “Sigurisht që BDI është më e afërt me LSDM-në, se sa me VMRO-DPMNE-në, për shkak që dëshirojmë ti përfundojmë proceset të cilat i kemi filluar dhe me shumë mundësi do të formojmë Qeveri me këtë parti politike. Por bisedimet dhe kontaktet nuk mungojnë dhe nuk përjashtohet as VMRO-DPMNE”, thonë burimet tona jozyrtare. Njohësit e rrethanave politike, thonë se është e vështirë me këto numra të mandateve të fituara nga partitë politike. Ata thonë se duke e pasur parasysh se koalicionet te ne nuk varen nga parimet e programeve politike por nga pazaret politike, është e vështir të parashikohet se kush me kë do të formoj Qeverinë e re.
Analisti politik Ilir Luma, në lidhje me atë se si do të duhet të jetë spektri politik shqiptar në Qeverinë e ardhshme, për gazetën KOHA, ka thënë se sipas asaj që është bërë deri më tani publike nga të parët e partive politike, partia shqiptare në pushtet BDI është e gatshme të bëjë kompromise me idenë e kryeministrit të parë shqiptar, siç tha ai, me ndonjë post tjetër të lartë politik në hierarkinë e pushtetit. “Dy partitë fituese në të dy blloqe, nëse i bashkojnë deputet i bëjnë 61 deputet që mjafton për të formuar Qeveri, por kjo nuk do të ishte e qëndrueshme. Zërat nga koalicioni ASH-Alternativa, thonë se nuk pranojnë asnjë ide apo ofertë që vjen nga BDI. Por mundësitë janë reale që Alternativa dhe Menduh Thaçi, ti bashkohen formimit të qeverisë LSDM-BDI”, përfundoj Luma. (koha.mk)