Udhëheqësit e NATO-s tani kanë ftuar vendin tuaj për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Përderisa këto janë duke u zhvilluar, ju duhet të plotësoni procedurat tuaja kombëtare për të implementuar marrëveshjen e emrit. Pastaj, kur këto hapa janë të kompletuara, aleatët e NATO-s do të duhet të ratifikojnë pranimin tuaj. Unë shpresoj shumë që shumë shpejt të shoh flamurin tuaj duke valëvitur në selinë e NATO-s si anëtare e 30 e Aleancës. Kjo është një mundësi një herë në jetë. E ardhmja juaj është në duart tuaja…
Nga Jens STOLTENBERG
Këtë javë, vendi juaj është ftuar për të filluar bisedimet për pranim që të bëhet anëtari i 30-të i Aleancës së NATO-s. Ky është një hap i madh drejt një të ardhme të ndritshme dhe hapë derën për prosperitet dhe siguri më të madhe për ju dhe për më gjerë në Ballkanin Perëndimor.
Herë pas here, ju keni treguar guxim për të ndërtuar rrugën tuaj drejt paqes, sigurisë dhe pavarësisë, pavarësisht sa e vështirë ose sfiduese ka mund të jetë. Në vitin 2001, ju dhe udhëheqësit tuaj politikë dëshmuat se ka patur një alternativë për shabllonin e Ballkanit të luftës dhe shkatërrimit. Me mbështetjen e NATO-s dhe të komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe përmes implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, ju zgjodhët unitetin kombëtar kundrejt shkatërrimit kombëtar.
Që atëherë, ju keni punuar pa pushim për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të ndërtuar ura me fqinjët, duke përfshirë edhe Traktatin historik të Miqësisë me Bullgarinë. Marrëveshja historike me Greqinë për çështjen e emrit e ka hapur tashmë mundësinë e përparimit drejt integrimit transatlantik, duke përfshirë edhe anëtarësimin e plotë në NATO.
Anëtarësimi në NATO do t’i japë vendit tuaj një zë të barabartë në diskutimet tona, një votë të barabartë në vendimet tona dhe sigurinë që vjen nga të qenit pjesë e aleancës më të suksesshme ushtarake në botë. Kjo do të thotë që ka njëzetenëntë vende të tjera të zotuara për t’ju mbrojtur ju dhe sovranitetin tuaj kombëtar kundër çdo agresori.
NATO është e angazhuar për ju dhe të ardhmen tuaj, dhe vendi juaj ka dëshmuar edhe vetë të jetë një mik i mirë i Aleancës. Ju ofroni mbështetje substanciale logjistike për ushtarët tanë në Kosovë. Dhe për shumë vite burra dhe gra trima e trimëresha të forcave tuaja të armatosura kanë ndihmuar për të sjellë paqe dhe siguri në Afganistan. Ju mund të jeni shumë krenarë me ata.
Anëtarësimi në NATO do të thotë gjithashtu mbështetje e mëtejshme për përpjekjet e juaja në reforma, në momentin kur të futeni brenda familjes Euroatlantike. Ju keni bërë progres të rëndësishëm në reformat kyçe, të tilla si reforma gjyqësore dhe mbikëqyrjen dhe llogaridhënien politike të shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë. Ka ende punë për të bërë, duke përfshirë reformën zgjedhore, lirinë e mediave, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. NATO do të jetë me ju në çdo hap të rrugës. Për shembull, me mbështetje praktike për reformat e mbrojtjes, për të ndihmuar në përmirësimin e arsimit në mbrojtje dhe investime, si dhe për rritjen e transparencës në sektorin e mbrojtjes.
NATO është thellësisht e lidhur me vendet e rajonit tuaj dhe stabilitetin e tij të vazhdueshëm. Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia i janë bashkuar NATO-s, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë partnerë të ngushtë dhe me vlerë, dhe forcat tona të NATO-s në Kosovë vazhdojnë të ruajnë paqen dhe stabilitetin.
Udhëheqësit e NATO-s tani kanë ftuar vendin tuaj për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Përderisa këto janë duke u zhvilluar, ju duhet të plotësoni procedurat tuaja kombëtare për të implementuar marrëveshjen e emrit. Pastaj, kur këto hapa janë të kompletuara, aleatët e NATO-s do të duhet të ratifikojnë pranimin tuaj. Unë shpresoj shumë që shumë shpejt të shoh flamurin tuaj duke valëvitur në selinë e NATO-s si anëtare e 30 e Aleancës.
Kjo është një mundësi një herë në jetë. E ardhmja juaj është në duart tuaja.
(Autori është sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Nga mediat shqipe, gazeta KOHA mban të drejtën ekskluzive për botimin e këtij shkrimi)