Fatos RUSHITI
Shkup, 21 shkurt – Grupet punuese nga LSDM dhe Aleanca për Shqiptarët janë takuar të martën për të negociuar, siç u cek në konferencën për media, rreth principeve të një Qeverie te ardhshëm pa mos dhënë detaje për gjuhën shqipe dhe pikat tjera të Platformës shqiptare. Arbën Taravari nga ASH u prononcua për media duke thënë se në takim kanë biseduar për principet e një bashkëqeverisje të mundshme, ndërkaq Oliver Spasovi nga LSDM, sa i përket gjuhës shqipe, tha se për këtë temë do të vazhdojnë bisedimet pa mos thënë asgjë se për gjuhën shqipe kanë diskutuar me përfaqësuesit nga ASH. Ndryshe, nga Aleanca për Shqiptarët para këtij takimi deklaruan se gjuha shqipe do të jetë njëra ndër temat kryesore të bisedimeve. “Biseduam për mundësinë e formimit e një shumice të re, dhe ne do t’ia kishim dhënë nënshkrimet mandatarit të ri nëse vjen deri te formimi. Biseduam në përgjithësi për principet e Qeverisjes së ardhshme, dekriminalizimin e institucioneve shtetërore. Biseduam për shumë tema dhe do të ketë takime të ardhshme”, tha Arbën Taravari. Ai shtoi se me përfaqësuesit e LSDM-së kanë biseduar gjithashtu edhe për temat që kanë premtuar gjatë fushatës parazgjedhore si ajo për buxhet me prerje lokale. Oliver Spasovski nga LSDM tha për mediat se presin shumë shpejtë ti marrin nënshkrimet nga partitë shqiptare për të marrë mandatin për të formuar Qeverinë e re. Ndërkaq lidhur me temat që kanë diskutuar në takim me përfaqësuesit nga ASH, Spasovki tha se kanë biseduar për principet e Qeverisë së ardhshme, për anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe për zhvillimin ekonomik. “Presim që së shpejti t’i marrim nënshkrimet nga partnerët që të mund ta marrim mandatin për formimin e Qeverisë. Biseduam për ardhmërinë e Maqedonisë, për principet e Qeverisjes së ardhme, për principet e formimit të shumicës së re parlamentare në Maqedoni, për nevojat e qytetarëve të Maqedonisë, për përmbushjen e interesave kombëtare të vendit, anëtarësimin në NATO dhe BE, zhvillimin ekonomik…” tha Spasovski nga LSDM-ja, sipas të cilit, me BDI-në ende janë në bisedime për Ligjin për gjuhët . Nga Aleanca, përveç Taravarit, në takim morën pjesë edhe nënkryetari Agon Ferati dhe anëtari i Kryesisë, Elmi Aziri, ndërsa nga LSDM – përveç Spasovskit, në takim ishin nënkryetarja Radmillla Sheqerinska dhe deputetja Renata Deskovska. Ndryshe, sa i përket gjuhës shqipe, LSDM i ka kthyer përgjigje BDI-së mbrëmjen e së hënës, ndërsa pas kësaj – kryetari Ali Ahmeti bashkë me Kryesinë e ngushtë kanë pasur një takim rreth përgjigjeve të fundit të LSDM. Në rrugë jozyrtare, gazeta KOHA merr vesh se Ligji për gjuhën është pranuar mbi 90 për qind nga LSDM, ndërsa dallime të vogla janë rreth pikave për të cilat nevojiten shumicë prej 2/3 votave për t’u realizuar, ndërsa po shikohen mundësitë ligjore që ato pika të mund të përfshihen më ligje ku kërkohet shumica e thjeshtë si ajo për mbishkrimet dhe disa raste në proceset gjyqësore. (koha.mk)