Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot realizoi takim pune në selinë e BDI-së në Tetovë, liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.
Ahmeti dhe Zaev, siç njofton Zyra për informim e BDI-së, diskutuan rreth formalizimit të procesit të formimit të Qeverisë së re reformuese të Maqedonisë dhe prioriteteve të shumicës së re në vend.
“Dy liderët e koalicionit u dakorduan rreth parimeve të qeverisjes me ç’rast përsëritën prioritetet e shumicës së re që përfshijnë reformat serioze në sundimin e së drejtës në përputhje me rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar, integrimin e vendit në NATO dhe BE, Marrëveshjen e Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike si dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e ekonomik bashkë me rritjen e standardit jetësor”, thuhet në kumtesë.
Një ndër prioritetet e qeverisjes, shtohet më tej, do të jetë edhe integrimi i menjëhershëm i vendit në NATO dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE me ç’rast palët u dakorduan për angazhim serioz në drejtim të realizimit të këtij synimi të përbashkët.
Pas harmonizimit parimor dhe programor, thuhet në kumtesën e BDI-së, dy partnerët e koalicionit diskutuan edhe për ndarjen e resoreve dhe ranë dakord që kabineti i ardhshëm qeveritar ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm dhe të kualifikuar për t’i prirë proceseve shumë të rëndësishme për vendin tonë.