Zaevi dhe Mickovski kanë shumë çështje të hapura të cilat duhet t’i sheshojnë në këto bisedime, mirëpo nuk duhet harruar faktin se lideri Socialdemokrat është edhe kryeministër dhe statura e tij politike del përtej formatit të një politikani të thjeshtë. Ai është edhe kryetar Qeverie në të cilën vendimmarrja ka karakter partneritei dhe mirëkuptimi të brendshëm, ndaj edhe nuk lejon që marrëveshjet politike të jenë jashtë frymës së këtij karakteri
Nga Emin AZEMI
Komunikimi në mes të liderëve politik është infuzion për jetën e një vendi. Ky proces jo gjithmonë ndjek ritmin e kërkesave etike, dhe për rrjedhojë në të shumtën e rasteve politika zbret në nivelet e pandreqshme të mosmarrëveshjeve, pikërisht për shkak të defekteve të komunikimit.
Në Maqedoni politikanët komunikojnë vetëm para vendimeve të mëdha, ose për të shpëtuar ndonjë ‘trofe’ që ata e mbajnë për vete, larg syve të opinionit publik.
Tash së fundmi u takuan kryeministri Zaev dhe lideri opozitar maqedonas, Mickovski, por nuk pati një epilog të mirëfilltë. Opinioni publik mbeti në pritje deri në orët e hershme të mëngjesit, por nuk arriti të kuptojë nëse këta dy liderë janë marrë vesh për ndonjë temë të qenësishme, apo janë pajtuar të duken se nuk po merren vesh.
Sado që takimet e tilla gjithmonë kanë dobinë e tyre dhe kanë impaktin pozitiv në funksionimin normal të politikës dhe institucioneve, ato megjithatë, sidomos në kushtet tona, lënë njolla dyshimi sa i përket transparencës dhe llogaridhënies publike. Është më se e qartë se konfrontimi politik brendamaqedonas i ka specifikat dhe problematikat e veta, por kjo megjithatë nuk e justifikon mungesën e transparencës, si dhe përfshirjen e pjesëmarrësve të tjerë politik në këto takime. LSDM është në koalicion bashkëqeverisës me një parti shqiptare dhe kjo vetvetiu implikon nevojën e gjetjes së një gjuhe komunikimi edhe me këtë forcë politike, e cila paraqet relevancë të rëndësishme në kontekstin e tanishëm të jetës së përgjithshme politike të vendit.
Zaevi sigurisht nuk do t’i ikë Ahmetit që ta njoftoj mbi bisedimet me Mickovskin, por kjo nuk është mënyra më e mirë e bashkëpunimit politik. Temat që meritojnë trajtim të posaçëm në këto bisedime, duke filluar nga Ligji për Prokurorinë e deri te çështja e regjistrimit të popullsisë, nuk janë aq të parëndësishme sa të kenë vëmendjen vetëm të dy liderëve politik. Nëse mungon një format më i gjerë i këtyre bisedimeve, opinioni publik ka të drejt të dyshojë në mungesën e sinqeritetit të ndërsjellë, por edhe të transparencës së nevojshme.
Zaevi dhe Mickovski kanë shumë çështje të hapura të cilat duhet t’i sheshojnë në këto bisedime, mirëpo nuk duhet harruar faktin se lideri Socialdemokrat është edhe kryeministër dhe statura e tij politike del përtej formatit të një politikani të thjeshtë. Ai është edhe kryetar Qeverie në të cilën vendimmarrja ka karakter partneritei dhe mirëkuptimi të brendshëm, ndaj edhe nuk lejon që marrëveshjet politike të jenë jashtë frymës së këtij karakteri.
Tryeza e liderëve duhet të jetë aktive dhe jopërjashtuese, aq më tepër kur skenën e këtushme politike e përbëjnë edhe partitë tjera opozitare. Sforcimi me çdo kusht i këtij opozitarizmi vetëm në kampin politik maqedonas dhe anashkalimi i kampit shqiptar, krijon disbalance të reja që nuk i bëjnë mirë qëndrueshmërisë politike të vendit. Shqetësimet që adresohen nga qytetarët nuk mundet gjithmonë të kenë një kornizë të ngushtë përfaqësimi, sidomos kur një shoqëri është multietnike, ku specifika e shqetësimeve është tepër heterogjene. Prandaj na duket pa takt politik anashkalimi i përfaqësuesve shqiptarë të opozitës nga këto bisedime, sepse pushteti moral i një shoqërie është opozita dhe zërat intelektualë.
Boshti rreth të cilit sillet morali i politikës duhet të jetë e përbashkëta e jo përjashtuesja. Edhe këto bisedime në të ardhmen mund të vendosen mbi këtë bosht. (koha.mk)