Paris, 8 janar – Presidenti amerikan Donald Tramp dhe kolegu i tij francez Emanuel Makron dje me telefon kanë biseduar për tërheqjen e ushtarëve amerikan nga Siria, bën të ditur Shtëpia e Bardhë.
“Që të dy kanë biseduar për situatën në Siri, përfshirë edhe detyrimin e SHBA-së dhe Francës të mposhtin Shtetin Islamik dhe të përgatiten për tërheqjen e koordinuar të trupave amerikanë nga Siria”, thuhet në kumtesë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Tramp dhe Makron poashtu kanë insistuar se “përdorimi i serishëm i armës kimike në Siri nuk duhet të tolerohet”.
Para bisedës telefonike, Tramp ka thënë se nuk ka ndryshuar mendje për tërheqjen e ushtarëve nga Siria, por ka sugjeruar se operacioni mund të zgjasë.
Nga ana tjetër, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka thënë se tërheqja e SHBA-së mund të realizohet me përgatitje të kujdesshme dhe me ndihmën e “partnerëve të mirë”.
“Presidenti Tramp e ka sjellë vendimin e duhur për tërheqjen nga Siria. Por, tërheqja e SHBA-së patjetër që me kujdes të përgatitet dhe realizohet në bashkëpunim me partnerët e vërtetë që të ruhen interesat e Uashingtonit, bashkësisë ndërkombëtare dhe popullit sirian”, ka thënë Erdogan.