Athinë, 17 janar – Pakënaqësi për faktin se Greqia nuk është ftuar në konferencën e Berlinit dhe shqetësimet për situatën në Libi veçanërisht pas nënshkrimit të memorandumeve me Turqinë, të cilat Greqia i konsideron si jovalide, shprehu kryeministri grek, Kirjakos Micotakis në bisedën telefonike që e pati me kancelaren gjermane, Angela Merkel, sipas burimeve qeveritare greke, transmeton gazeta KOHA.
Sipas burimeve të njëjta, Micotakis i bëri thirrje Merkelit dhe përfaqësuesve nga BE që do të marrin pjesë në konferencë ta zbatojnë vendimin përkatës të samitit të fundit të unionit.
Kancelarja gjermane, nga ana e saj shprehu angazhim për pozicionet e BE-së dhe shtoi se konferenca e Berlinit synon të sjellë paqe dhe stabilitet në Libi dhe nuk do të merret me çështje që lidhen me zonat detare në Mesdheun Lindor.
Merkel, sipas burimeve qeveritare greke, gjatë kohës së bisedës telefonike me Micotakis gjithashtu shprehu mbështetje të plotë për konkludimet nga Samiti i fundit i BE-së mbi memorandumin midis Libisë dhe Turqisë dhe zonave detare.(koha.mk)