Piktorit, kurrë nuk duhet t’i mungojë besimi në vete! Dhe gjithsesi cilësia e materialit dhe veglat për shprehje artistike, por gjithashtu kanë shumë rëndësi detajet e vogla që rrethojnë botën e tij artistike! Pra, e kemi zakon t’i shohim piktorët me vizualitet karakteristik, mirëpo piktorin nuk e bën pamja dhe shtirja si piktor, por e bën fuqia e tij artistike
Evis HALILI
Ishte një ekspozitë që deri në momentet e fundit mbahej pezull nga dilema për t’u hapur ose jo, ndikuar nga situata me Kovid 19 dhe protokollet e sigurisë. Por fati nuk mund ta braktiste as këtë herë piktorin Reshat Ameti që edhe në kohë të pazakonshme të sjellë për publikun në galerinë “Daut Pasha” më të mirat nga “30 vjet krijimtari artistike”. Një nga ekspozitat më të arrira dhe komplete të piktorit të spikatur shqiptar, fitues i shumë çmimeve, punimet e të cilit janë ekspozuar në galeri kudo në botë dhe janë pjesë e koleksioneve private e të tjera.
KOHA: Hapja e një ekspozite është një përjetim i veçantë për një artist, sidomos kur muret e galerisë më të rëndësishme boshatisen nga koleksioni i çmuar për t’i lënë vend pikturave të tua. Sa special ndihesh tani, në këto pavione kur ekspozita është vizituar dhe vlerësuar pa fund këto ditë?
AMETI: Gjithsesi e pranoj se është një ndjenjë e veçantë, speciale … në këtë galeri realizohen ekspozita vetëm për artistë me peshë të rëndësishme artistike dhe kjo më bën të ndjehem si artist i cili tashmë ka lënë gjurmë, ka gërvishtur kohën dhe hapësirën me artin e vet. Po ashtu, hapësirat e Galerisë Kombëtare “Hamami i Daut Pashës” janë elitare, janë më profesionalet dhe më të mirat në vendin tonë. Përndryshe, në këto hapësira është ekspozita e përhershme e artit pamor të RMV-së.
KOHA: Krijimtarinë e ndan me cikle, por edhe me vite, sa janë 30 vjet krijimtari për një artist, janë shumë apo..?
AMETI: Jo, asnjë sasi vitesh nuk janë të mjaftueshme për krijimtari, gjithmonë ka diçka që të shtyn më tutje, që të shtyn të kërkosh më tepër në art. Duke pasur parasysh se koha dhe vitet më tepër janë kategori abstrakte, kurrë nuk mund t’i vendosësh ato në matje me sasi, sepse çdo numër që del është relativ. Por, kur atë kohë dhe ato vite të kaluara i plotëson me aktivitete dhe ngjarje që të realizojnë dhe të plotësojnë, kur ato nguliten në memorie si kapital shpirtëror, atëherë mund të themi se i kemi shpenzuar vitet në mënyrë të duhur.
KOHA: Ekspozita nis me punimet e para, me ciklin “Gjeometrizmi lirik”, dhe një Akt të periudhës së studimeve, një njeri përballë një skeleti, por edhe punimi i vetëm me figurë njerëzore brenda. Çfarë ishte kaq magjike tek ajo që ti e quan prapavija e kompozimit, që të shtyu të rrëmosh thellë në vendosjen e harmonisë mes formave gjeometrike dhe jo gjeometrike?
AMETI: Magjikja dhe inspirimi në art, shumë herë janë mister edhe për vetë artistin. Në disa raste, ato lindin krejt papritmas dhe rastësisht, duke mos e vërejtur se ka ndodhur Magjia. Duke preferuar që të vij tek e vërteta ime artistike, gradualisht dhe me këmbëngulje, në fillim interesi im ishte përqendruar kah surrealizmi, më saktësisht kah Salvador Dali, por idetë më shumë i realizoja në kokën time sesa në pëlhurë. Kështu që, gradualisht, pa koncept të qartë, më tërhiqte gjithnjë e më shumë realizimi gjeometrik në prapavijë i kompozimit surrealist. Në atë prapavijë gjurmoja misteret e së panjohurës, kështu që, gradualisht, më tërhiqte gjithnjë e më shumë realizimi gjeometrik në prapavijë i kompozimit surrealist, sesa ideja qendrore bartëse e narracionit njerëzor në forma të pazakonta surrealiste. Pastaj, fillova me një qasje më serioze të gjeometrisë me të cilën e formulova idenë time estetike dhe filozofike dukë bërë një simbiozë mes formave qe prodhon njeriu, format të cilat janë me kënde, forma në vertikale të cilat asociojnë në objekte arkitektonike, por edhe ato totemike, forma statike pa cikël jete dhe format që i prodhon natyra janë forma të lira, forma pa kënde, forma evolutive, dinamike siç janë lumenjtë, malet, qielli , forma me lëvizje konstante, me lindje, rritje, me cikël jete dhe duke aluduar që njeriu duhet patjetër të jetë në harmoni me natyrën. Por, pavarësisht forcës së idesë artistike, vepra përherë duhet të ketë forcë të realizimit të gjuhës artistike, të posedojë fuqi të gravitetit vizual dhe shpirtëror!
KOHA: Cikli nga Tradita krijoi edhe bazamentin e krijimtarisë së deritanishme. Është kjo një fazë që ndodh natyrshëm tek çdo artist, herët apo vonë, kthimin tek tabani kombëtar, në identitet?
AMETI: Cikli i krijimtarisë time “Nga Tradita”, është edhe baza e krijimtarisë sime të deritanishme dhe nuk mund ta veçoj fidanin e parë. Ndoshta ka ndikuar pamja që më kujtohet se si gjatë periudhës së fëmijërisë, gjyshja me vegun realizonte prodhime estetike të tekstilit, endte qilima, përparëse etj. Vërejta që ajo fillimisht bënte forma gjeometrike, katrorë të vegjël dhe me to bënte realizime dhe stilizime gjeometrike me motive kombëtare, mitologjike dhe motive nga natyra etj. Kjo ka ndikuar të motivohem nga folklori kombëtar. Motivet kombëtare nuk i kopjoja ashtu siç janë, por i stilizoja në mënyrën time, duke i dhënë më tepër imagjinatë dhe lëvizje të lira me brushë dhe opsione të llojllojshme dinamike të kompozicionit, harmonizim të ngjyrave të ngrohta dhe të ftohta, kompozim të lëvizshëm. Po ashtu, për ta përforcuar idenë artistike, përveç ngjyra vaji dhe akrilik, kam përdorur edhe materiale të llojllojshme me origjinë natyrore siç është rëra, tallashi, gjethet etj., dhe materiale artificiale, siç janë letra, tekstili, plastmasi dhe të ngjashme.
Po, është një fazë që ndodh natyrshëm dhe nuk do të thosha se është kthim. Kjo është prezente tek çdo krijues, vetëm se duhet të kesh zgjuarsi, sepse më e natyrshme është të shfrytëzosh burimin tënd krijues që e ke afër, që e përjeton çdo ditë, sesa të marrësh shprehje tjera artistike, t’i “mimikrosh” vlerat artistike të cilat nuk kanë të bëjnë me hapësirën tënde kulturore, që nuk kanë të bëjnë me eksperiencën tënde jetësore! Më kujtohet një artist francez i cili thoshte: “Më qahet kur shoh se piktori japonez pikturon si unë. Unë vetë jam i tepërt, e jo më ndokush tjetër që ka mundësi të hatashme të krijojë në mënyrë autoktone, siç vepron në këtë rast japonezi”!! Pra, arti është më i fuqishëm kur tabanin krijues e ka atje ku jeton, frymon!
KOHA: Gjithashtu është një periudhë, cikël, ku ngjyrat lodrojnë mbi pëlhurë, janë sa lozonjare, po aq edhe të gjalla, shpërthyese deri në verbim. Është kjo fazë kur ndjeshmëria është më e lartë penelatat më kapriçioze?
AMETI: Ndoshta gjatë evoluimit tim artistik përfitoj “tonalitete” më të larta ndjeshmërie dhe kjo më tepër ndjehet në ciklin “Depërtimi i dritës”, ku kam më shumë realizime artistike dhe në qendër të pëlhurës dominon një fokus i cili spontanisht rrezaton dritë në tërë hapësirën e pikturës. Diçka si graviteti i kompozicionit, ndërsa forca vizuale e formave dhe motivet janë nga tradita. Ato vareshin nga intensiteti i dritës dhe shpesh realizimet vizive dhe lëvizjet ekspresive, orientoheshin kah qendra e kompozicionit i cili rrezatonte dritë koloristike. Ideja bazë në këtë cikël, është që me gjuhën figurative dhe me elementet ngjyrë-ton, të reflektoj më shumë dritë shpirtërore sesa fizike materiale. Pra, realizimi artistik i pikturës të iniciojë një gjendje shpirtërore që rrezaton pastërti, çiltërsi dhe kjo gjendje të mund të përjetohet vetëm nëse me anë të tonit të ngjyrës të ketë një qendër me dritë, e cila e plotëson tërë hapësirën e pëlhurës dhe në tërësi kur realizimi i pikturës të ketë një forcë graviteti vizual dhe shpirtëror.
KOHA: Çfarë nuk duhet t’i mungojë një piktori, përveç frymëzimit, bereta, një llullë, kavaleti, penelat cilësorë…?
AMETI: Piktorit, kurrë nuk duhet t’i mungojë besimi në vete! Dhe gjithsesi cilësia e materialit dhe veglat për shprehje artistike, por gjithashtu kanë shumë rëndësi detajet e vogla që rrethojnë botën e tij artistike! Pra, e kemi zakon t’i shohim piktorët me vizualitet karakteristik, mirëpo piktorin nuk e bën pamja dhe shtirja si piktor, por e bën fuqia e tij artistike.
KOHA: E ndjek frymëzimin, apo ai të përndjek ty?
AMETI: E kam zakon të them se frymëzimi artistik është pjesë organike e pandarë e artistit! Është një bashkëjetesë komplementare, nuk ka art pa frymëzim! Por, inspirimi ka jetë kur artisti është në atelie, kur është në hapësirë krijuese.
KOHA: Si e zbut bishën brenda teje?
AMETI: Duke pikturuar! Shumë gjëra i zbus dhe i përforcoj duke pikturuar! Kur jam i lumtur, pikturoj! Kur kam dilema, pikturoj! Kur jam i shqetësuar, pikturoj!..
KOHA: Nëse në fillimet e tua je ndikuar nga surrealizimi i Salvador Dali, tani me cilët artistë do të donit të pinit kafe dhe në cilën periudhë të krijoni?
AMETI: Po të kisha mundësi, do të doja të pi kafe me Lenardo Da Vinçin, një ndër artistët dhe personalitetet më të mëdhenj, një profet i vërtetë i artit, kulturës dhe civilizimit njerëzor. Gjithashtu do të doja të pi kafe edhe me piktorin e madh Rembrant. Ka periudha shumë interesante për të krijuar. Periudha e Renesansës është shumë tërheqëse, Klasicizmi, Baroku, periudha pas Luftës së parë botërore ka qenë gjithashtu shumë dinamike për artin. Por, megjithatë, do ta kisha zgjedhur periudhën e tanishme! Tani artistët kanë më shumë mundësi dhe vegla për t’u shprehur artistikisht.
KOHA: Artistët duke sjellë rryma të reja ndryshuan jo vetëm artin, por edhe jetën, politikën…dikur, e ka këtë forcë arti tani?
AMETI: Po, unë besoj se arti gjithmonë e ka forcën e ndryshimit të shoqërisë. Krijimtaria është kategori hyjnore, neve artistëve na pëlqen të themi se jemi këtu pranë Zotit. Dhe unë besoj që kjo forcë shpirtërore do të ekzistojë aq sa do të ekzistojë edhe vetë qenia njerëzore dhe çdoherë do ta bëjë ndryshimin në politikë dhe në jetën e përgjithshme të shoqërisë. Përmes të gjitha gjinive artistike: artit figurativ, muzikës, letërsisë, në fakt civilizimi njerëzor kalon nëpër përvoja magjike hyjnore dhe perceptime të të gjithë nektareve të jetës. Përmes artit, njeriu ndjen bukurinë dhe të vërtetën e ekzistimit, të gjitha dilemat janë të panevojshme dhe zhduken nga shkëlqimi i pastër i artit, dhe është e natyrshme që kjo cilësi e veçantë dhe forcë shpirtërore, të ndikojnë pozitivisht në politikë si dhe në aktivitete tjera të shoqërisë njerëzore.
KOHA: Fjalia mbaron me një pikë, ka një penelatë pikë në pikturë apo veprat mbarojnë me një presje?
AMETI: Procesi krijues është shumë delikat, kemi momente kur mendojmë se vepra është përfunduar, por shpesh ndodh që të mos dimë se kur duhet t’i vëmë pikë veprës! Dilema është gjithmonë prezente, dhe kjo dilemë besoj se na dërgon në dallgët e zbulimeve të reja krijuese.
KOHA: Cila është pyetja që nuk ke dëshirë të ta bëjnë?
AMETI: Paraprakisht nuk kam asnjë paragjykim për pyetet që eventualisht do të parashtrohen! Atëherë kur do t’i parashtrojnë, ndoshta do ta kuptoja se cilat janë pyetje të padëshiruara!
KOHA: Çfarë do doje që të të pyesja?
AMETI: Nuk kam ndonjë dëshirë të veçantë, gjithmonë atë që dëshiron parashtruesi i pyetjeve !
KOHA: Grafikat e Henri Mur të ekspozuara në këtë galeri shumë vite të largëta ndryshuan jetën e një djaloshi elektriçist që quhej Omer Kaleshi. Po kjo ekspozitë?
AMETI: Më kujtohet kur Omer Kaleshi u shpreh se grafikat e Henri Mur të ekspozuara në këtë galeri, e ndryshuan jetën e tij. Në ekspozitën time kam pasur më të vërtetë shumë vizitorë dhe besoj se edhe kjo ekspozitë do të ketë ndikim tek ndonjë artist i ardhshëm?