Bashkëbisedime në periudha të ndryshme, monografi të qëmtuara për veprën e tij shkruar nga autorë, eseistë të njohur nga bota janë përmbledhur së bashku në një libër të shkruar nga akademik Luan Starova. Madje promotori i këtij publikimi, Ferid Muhiq shkon më larg duke thënë se libri fare mirë mund të quhet edhe një lloj enciklopedie e pikturës dhe teorisë së artit, një studim antropologjik dhe kulturologjik i rangut më të lartë, apo edhe himn i mendimit të lirë
Evis HALILI
Shkup, 14 maj – Promovimi i librit “Bisedat me Omer Kaleshin Shkup – Stamboll – Paris”, ka risjellë nga Parisi në Shkup piktorin e njohur me origjinë nga Kërcova. Bashkëbisedime në periudha të ndryshme, monografi të qëmtuara për veprën e tij shkruar nga autorë, eseistë të njohur nga bota… janë përmbledhur së bashku në një libër të shkruar nga akademik Luan Starova, shkruan gazeta KOHA. Madje promotori i këtij publikimi, Ferid Muhiq shkon më larg duke thënë se libri fare mirë mund të quhet edhe një lloj enciklopedie e pikturës dhe teorisë së artit, një studim antropologjik dhe kulturologjik i rangut më të lartë, apo edhe himn i mendimit të lirë. Në ceremoninë e organizuar të hënën në Akademinë e Shkencave dhe Arteve, është folur për rëndësinë e mesazheve dhe dimensioneve multikulturore të veprave të piktorit dhe prezantimin për Ballkanin ndryshe që i bëri Europës. Në fjalën e tij, Ferid Muhiq thotë se përmes emrave të njohur që kanë “mbirë” si në letërsi ashtu edhe në arte figurative perceptimi për Ballkanin si një oazë periferike kulturore me ngjarje të zymta ka ndryshuar, duke vërtetuar të kundërtën.
“Ballkani ka qenë gjithmonë një paradigmë e kulturës dhe artit dhe kjo panoramë theksohet në këtë libër, por vepra e dy artistëve, si Kaleshi dhe Starova tregojnë të kundërtën, e këtij prezantimi të skematizuar të një Ballkani ekzotik të mbyllur… Vetë libri është formuluar si një konstatim final i unitetit universal, si shprehje e pranisë transtemporale së bukurisë ” , ka thënë Muhiq. Duke iu referuar emrave të njohur që kanë shkruar për Kaleshin, si eseisti francez Zhak Lakarier që thotë se inspirimi për një artist nuk është lokal, as ballkanik, por universal, i përbashkët për të gjithë, që lirisht haset tek vepra e Omer Kaleshit. Specifike tek piktori dhe vepra e tij është elementi që bashkon tre vende – Maqedoninë si vendlindjen e tij, me Turqinë – ku ka studiuar dhe Francën ku krijon. Kështu u shpreh kreu i ASHAM, Taki Fiti, në fjalën e tij, që u fokusua kryesisht tek prejardhja multietnike e origjinës së tij dhe multikulturalizmi në motivet e veprave të tij, që kanë një vlerë akoma edhe më të madhe.
“Ballkani duhet të shndërrohet në një mjedis ku kultura arti dhe shkenca të ngrihen në piedestalin e vlerave më të larta të civilizimit. Ky është mesazhi bazë, pasi vetë artisti rrjedh nga një familje multietnike, me nënë maqedonase dhe baba shqiptar dhe sipas mesazhit të veprës së tij multikulturalizmi është një kusht për vetë ekzistencën në Ballkan dhe shndërrimin në një rajon paqe, stabiliteti dhe prosperiteti. Kur ASHAM për herë të parë organizoi ekspozitën personale të Kaleshit një vit më parë unë iu drejtova në frëngjisht duke supozuar se pas gjithë atyre viteve të qëndrimit në Paris edhe mund të ketë harruar të flasë në maqedonisht, por shtanga kur ma ktheu me një maqedonishte të kulluar me theks të lehtë kërcova”, ka thënë Fiti, transmeton KOHA. Prej disa vitesh ai është gjithnjë e më shumë prezent në Maqedoni, disa prej veprave të tij ia ka dhuruar Universitetit Nënë Tereza në Shkup, ndërsa është propozuar që të pranohet si anëtar nderi i ASHAM. (koha.mk)