Uashington, 26 janar – Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden dhe homologu i tij rus, Vlladimir Putin, për herë të parë pas zgjedhjes së Bajdenit patën bisedë telefonike. Nga Shtëpia e Bardhë deklaruan se biseda ka qenë me iniciativë të palës ruse.
“Vlladimir Putin e përgëzoi Xhozef Bajdenin me fillimin e punës në cilësinë e presidentit të SHBA-së. Theksoi se normalizimi i marrëdhënieve midis Rusisë dhe SHBA-së do të ishte me interes të të dyja vendeve dhe duke e pasur parasysh përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në botë, kjo do të ishte me interes të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e sotme të Kremlinit.
Tema kryesore të bisedës kanë qenë tërheqja e SHBA-së nga Marrëveshja për qiell të hapur, problemet me Planin e thelluar të përbashkët për aksion (marrëveshja bërthamore me Iranin), rregullimi i konfliktit në Ukrainë, lufta me Kovid-19.
Dy liderët, gjithashtu, kanë biseduar edhe për Marrëveshjen për kufizim të armatimit strategjik bërthamor.
“Shumë shpejtë, të dyja palët do t’i përfundojnë procedurat e domosdoshme për funksionimin e mëtejmë të këtij mekanizmi të rëndësishëm ndërkombëtar për kufizim të ndërsjellë të arsenaleve bërthamore raketore”, precizohet në kumtesën e Kremlinit. Marrëveshja skadon më 5 shkurt.