Binjaket e ekranit: Shijet që ndajmë së bashku (FOTO)

Dy motra binjake që i shihni secilin mëngjes në ekranin televiziv ALSAT M. Risi dhe atraktivitet para së gjithash . Ndonëse tregojnë shumë për të tjerët dhe të ftuarit që kanë, ka ardhur koha të njihemi bashkë se kush janë Razija Jonuzi dhe Zarija Jonuzi Çeliku…

 

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Ju tashme jeni dy motra të njohura për opinionin publik. Si ndiheni në këtë rast me njëra – tjetrën?

XAKA: Në fakt, të qënurit person publik, nuk e ndryshon aspak lidhjen e ngushtë që ne kemi si motra, sidomos kur mendon faktin që jemi edhe binjake. Lidhja e veçantë që karakterizon binjakët është edhe ajo fjolla magjike, e cila na ka lidhur, na lidh dhe do të na lidhë gjithmonë me njëra – tjetrën.

RASKA: Sidoqoftë, me gjithë të përbashkëtat tona, ne plotësojmë njëra-tjetrën pikërisht nëpërmjet mendimeve dhe koncepteve të ndryshmeve individuale, të cilat janë pjesë e çdo qenieje njerëzore. Mendimi ndryshe është pjesë e të përbashkëtës sonë.

KOHA: Ju flisni tani mbi individualitetin tuaj njerëzor, si pjesë e shëndetshme brenda të qënurit binjake. A e mendoni këtë fakt si një rregullator të natyrshëm të marrëdhënies njerëzore në përgjithësi?

RASKA: Padyshim që po. Secili nga ne, parë këtu në një plan më të gjerë njerëzor, si në rrethin e ngushtë familjar, në shoqëri, por edhe atëherë kur qarja e parë në jetë përjetohet së bashku, sikur ndodh tek binjakët, e ka të nevojshëm zhvillimin e vazhdueshëm të elementit individual, ashtu të pavarur nga çdo element tjetër i përbashkët. Është pikërisht ky individualitet, kjo shtysë e përhershme që buron nga vetë legjitimiteti i qenies njerëzore mbi rruzullin tokësor, i cili, pasi pranohet si i tillë, përmbledh dhe rregullon natyrshëm çdo marrëdhënie tonën si motra. Dashuria dhe lidhja shpirtërore ndaj njëra-tjetrës, mirëkuptimi mbi të ndryshmen e njëra – tjetrës e tejkalon çdo ndasi që individualiteti ynë i natyrshëm mund të sjellë kurdoherë në rrugëtimet tona të përditshme.

KOHA: A keni ndarë shumë kohë loje në fëmijërinë tuaj?

XAKA: Ne jemi pjesëtarët e fundit të një familjeje me 5 fëmijë, të cilët nuk kanë shumë diferencë moshe ndërmjet njëri-tjetrit. Rrjedhimisht fëmijëria jonë ka qenë në të shumtën e kohës e përbashkët me dy motrat dhe vëllain më të rritur. Natyrisht që fakti i të qenurit binjak ia shton dozën interesante çdo momenti të përbashkët familjar. Sidoqoftë, me kalimin e viteve, kjo edhe për shkak të rrugëtimeve jetësore relativisht të njëjta, koha e kaluar së bashku ka ardhur duke u shtuar. Edhe sot, të rritura dhe me jetë të pavarura siç jemi, kalojmë mjaft kohë duke luajtur, qeshur, ngacmuar njëra-tjetrën. Kemi mundur kështu të ruajmë përherë sado pak nga fëmijëria jonë e dikurshme.

KOHA: Keni qenë përherë mbrojtëse të njëra-tjetrës?

RASKA: Në fakt, jo me çdo kusht. Ne jemi rritur në një familje, ku mendimi racional, i pavarur, ka patur peshën kryesore në gjykimin e përgjithshëm të gjërave. Ne mendojmë që mbrojtja më e madhe mes nesh ndodh atëherë, kur objektiviteti në gjykimin dhe parashtrimin e çdo situate, rritet drejt një komunikimi të shëndetshëm njerëzor, duke u bazuar kështu jo vetëm në faktin e të qenurit motra. Pikërisht ky mendim objektiv, i mbushur me dashuri të patjetërsueshme njerëzore, është edhe mbrojtja më e fortë që ne mund t’i japim njëra-tjetrës. Ky dualitet i rëndësishëm jetësor sjell rrjedhimisht edhe një ndërgjegjësim më të madh të vetë qenies sonë, të individualitetit tonë.

KOHA: Ka pasur momente kur keni dashur që mos përziheni në punët e njëra-tjetrës?

XAKA: Natyrisht qe po. Me kalimin e kohës, me çdo hap të hedhur drejt një pjekurie të natyrshme njerëzore individuale, rriten edhe ato momente të vetëpërmbajtjes përkundrejt çdo situate që mund të kemi në përditshmërinë tonë.

RASKA: Si motra, ne së pari jemi munduar gjithmonë të jemi shoqe të mira të njëra-tjetrës, mbështetëse të mendimeve dhe gjykimeve tona, paçka se ato mund të jenë edhe të ndryshme. Vetë natyra njerëzore e kërkon shpeshherë një lloj tehu të padukshëm distance, por që shpeshherë qëllon shumë i shëndetshëm edhe në marrëdhënien mes nesh si motra.

KOHA: Çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan motrat Jonuzi?

Kjo është një pyetje që ne mund t’i përgjigjemi lehtësisht vetëm me një fjalë: Shumë!

KOHA: Ndodh që grindeni? Për çfarë?

RASKA: A grindemi ne me njëra-tjetrën? (Qesh). Hmmm, patjetër që po. Mendimet, botëkuptimet, gjykimet tona sa janë të përbashkëta, aq edhe ndryshojnë. Unë në përgjithësi nuk kam shumë durim, XAKA i merr gjërat me shtruar, më ngadalë. Në këtë rast edhe “grindja” është e programuar (Qesh).

XAKA qesh gjithashtu dhe shton: Ky fakt e forcon me shumë lidhjen e veçantë mes binjakeve.

KOHA: Xaka, ti je tashmë edhe nënë e një vajze pothuajse dy vjeçare. Si mund ta përmbledhësh me pak fjalë ndjesinë përkatëse?

Të qenurit prind, nënë i jep jetës së mëparshme një relativitet të natyrshëm. Lidhja e fortë që prindi në përgjithësi, por sidomos nëna në veçanti ndjen ndaj fëmijës, i jep shumë gjërave të mëparshme një dritëhije tjetër, i vendos shumë mendime, gjykime apo edhe vlerësime të dikurshme në një plan më afatgjatë, më sublim. Përgjegjësia ndaj anëtarit më të ri të familjes, si një sintezë dhe simbol i natyrshëm i dashurisë mes dy njerëzve, është një mrekulli më vete, është një tërheqje e përhershme, shtysë e vazhdueshme për të përballuar çdo të papritur, çdo vështirësi që buron pikërisht tek të qenurit prind, nënë. Ekzistenca e vajzës sonë, gëzimi i të qenurit prindër të Gonxhes, i ka dhënë jetës sonë të përbashkët padyshim një burim energjie të pashtershëm.

KOHA: Si është Raska si teze?

Tezi Raska e do shumë Gonxhen, sikurse edhe gjithë nipërit e mbesat e tjerë. Unë i gëzohem çdo momenti që koha ma lejon t’i kaloj me to, sepse ndër të tjera kështu kam rastin t‘i ndjek nga afër në zhvillimin e tyre, formimin e tyre të përhershëm njerëzor. Të qenurit teze apo hallë është padyshim një përgjegjësi e veçantë dhe shumë e dëlirë. Padyshim një ndjesi shumë e bukur njerëzore, që të mbush me krenari të përhershme.

KOHA: Të kthehemi tani përsëri pak tek ju të dyja. A mund të thoni që njihni shijen e njëra-tjetrës?

RASKA: Mendoj që binjakët në këtë rast kanë një lloj përparësie të vetëkuptueshme në lidhje me njohjen e shijeve të motrës, apo vëllait. Rrjedhimisht edhe ne ndajmë mjaft shije të përbashkëta në tërësinë e tyre jetësore, të cilat ia njohim njëra-tjetrës edhe në distancë.

XAKA: Është e vërtetë që ne ia njohim shijen njëra-tjetrës, sidoqoftë jemi përherë të kujdesshme që ta vërtetojmë këtë njohje, duke e pyetur përherë palën tjetër. Ky fakt i jep marrëdhënies tonë një freski të veçantë, e cila na sjell shumë herë të qeshim me njëra-tjetrën.

KOHA: Takoheni shpesh jashtë punës?

RASKA: Natyrisht. Edhe pse përditshmëria jonë rrjedh natyrshëm në individualitetin e saj, ne jemi kurdoherë spontane në takimet tona. Ne e kalojmë kohën gjithashtu me miq e të njohur të përbashkët, ashtu sikurse kemi edhe shumë momente që ia kushtojmë vetëm familjarëve tanë.

XAKA: Tashmë pjesë e ritualit të takimeve tona është bërë edhe marrja e Gonxhes nga kopshti, shpeshherë edhe miket tona të përbashkëta. Këto momente mendoj se janë edhe për Gonxhen veçanërisht të gëzueshme.

KOHA: Si është të punosh me motrën?

XAKA: Është një komoditet i veçantë, sikurse edhe një përgjegjësi më vete. Këtu kemi të bëjmë përherë me një fije të hollë magjike, sidomos kur kemi parasysh faktin që jemi binjake.

RASKA: Ama, edhe pse ia njohim vetes shumë gjëra, marrëdhënia e përbashkët në punë, ka zbuluar shpeshherë edhe anë të panjohura tonat, të cilat në momentet e një përditshmërie ekskluzivisht familjare, ndoshta mund të kalonin pa u kuptuar.

KOHA: Si e vlerësoni faktin që ndani të njëjtin profesion me njëra-tjetrën?

XAKA: Ne në fakt nuk kemi profesione të përbashkëta, paçka se ndajmë shumë kohë me njëra-tjetrën para ekranit. Specifikat e profesioneve tona të ndryshme ne mundohemi t’i sjellim gjithmonë drejt një emëruesi të përbashkët në çdo mëngjes, të cilin ne e ndajmë me publikun që na ndjek.

KOHA: Çfarë do të ketë të re nga ju të dyja në të ardhmen?

RASKA: Besoj se shumë. Zbulimin e tyre do t’ja lëmë një interviste të ardhshme.

XAKA: Ide e mirë kjo, Raska!