Artistet shqiptare, Bebe Rexha, Rita Ora, Dua Lipa, Ava Max dhe Njomza Vitia, kanë marrë përsëri vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pas sukseseve të arritura dhe rekordeve të thyera.
Billboard ka publikuar një artikull ku theksohet fakti se artistet shqiptare po kryesojnë toplistat e tyre. Në mesin e kryesimeve përmendet Bebe Rexha, e cila ka thyer rekord duke u bërë kënga që ka qëndruar më së shumti në vendin e parë në toplistën “Hot Country Songs” me këngën “Meant to Be” ft Florida. Dua Lipa ka udhëhequr Mainstream Top 40 për katër javë me “New Rules”. Rita ora hyri me dy këngë njëkohësisht në top 10-shen e “Dance Club Songs”, kurse Ava Max hyri në Top 20-shen e Hot 100, me këngën e saj debutuese “Sweet but Psycho”.
“Të katërtat kanë prindër shqiptarë, ndonëse janë lindur në vende të ndryshme”, thuhet në artikullin e Billboard, kushtuar artisteve me prejardhje shqiptare.
Por, jo shumë njerëz e dinë që pas hiteve të fundit të Ariana Grande, qëndron një tjetër vajzë shqiptare, Njomza Vitia, e cila është bashkëautore e këngëve “Thank U, Next” dhe “7 Rings”, me të cilat Grande theu rekorde . Përpos tekstshkruese, Njomza është edhe këngëtare e talentuar, duke performuar më skenë prej moshës 4-vjeçare.