Miliona japonezë po ndihen të tradhtuar pasi biletat për Lojërat Olimpike “Tokio 2020” tashmë janë bërë të vështira për t’u gjetur. Shumica e aplikantëve të një lotarie biletash – ekskluzive për banorët e Japonisë – mësuan këtë fundjavë se nuk kishin arritur të merrnin një biletë. Edhe njerëzit jashtë Japonisë mund të përjetojnë një zhgënjim të ngjashëm, pasi kërkesa ka jashtëzakonisht shumë, ndërsa bileta ka pak.
Ky nuk ka qenë rast edhe në Olimpiadat e viteve të fundit – Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018” dhe Lojërat Olimpike “Rio 2016” – ku biletat jepeshin falas dhe vullnetarët ftoheshin për të mbushur vendet e zbrazëta për kamerat televizive. Herë pas here kishte shumë vende të zbrazëta në arena që pavarësisht përpjekjeve nuk mund të mbusheshin, shkruan sot Koha Ditore.
“Sipas të gjitha gjasave, këto do të jenë Lojërat Olimpike më të popullarizuara dhe ndoshta më të njohurat të të gjitha kohërave. Kërkesat janë të shumta për bileta, të cilat përfundimisht nuk mund t’i ofrojmë. Shumë njerëz do të mbesin të zhgënjyer dhe për këtë më vjen shumë keq”, ka thënë Ken Hanscom, zyrtari i agjencisë “Ticket Manager” për LO “Tokio 2020”.
Kompania e tij me bazë në Los Angeles nuk blen e as nuk shet bileta olimpike, por menaxhon biletat për klientët e korporatave, disa prej të cilave janë sponsorë të mëdhenj olimpikë.