“Nagelsmann tani ka një problem: Tuchel”. Ja sa i fuqishëm është titulli i “Bild” në edicionin dixhital, duke aluduar për fillimin e çuditshëm të Bayern Munich në këtë sezon. Gjashtë pikët e tij në grupin më të vështirë të Ligës së Kampionëve, pas fitoreve kundër Interit dhe Barcelonës, nuk i kanë lënë në hije rezultatet e dobëta në Bundesligë, ku kampionët gjermanë nuk kanë fituar katër nga gjashtë ndeshjet e tyre, diçka që nuk kishte ndodhur në 20 vitet e fundit.
“Ndonjëherë super Bayern! Ndonjëherë kastravec Bayern!” – këmbënguli media gjermane e sipërcituar. Aura e Julian Nagelsmann, pesëmbëdhjetë muaj pasi Bayerni pagoi 25 milionë euro për ta marrë në stolin e vet, duket shumë e heshtur. Aq sa shkarkimi i fundit i Thomas Tuchel nga Chelsea është një shtesë tjetër në horizontin e stuhishëm të Nagelsmann, sepse e bën zgjidhjen shumë të lehtë kur gjërat nuk funksionojnë.
Zyrtarisht, stafi drejtues i Bayernit vazhdon të mbajë fjalën e tij në mbështetje të Nagelsmann. Drejtori i klubit bavarez Oliver Kahn nuk kishte asnjë shqetësim për të pranuar “humorin e tij të keq” për ecurinë, startin e tmerrshëm të një kampionati që prej vitesh e ka fituar pothuajse rregullisht.
Në të njëjtën kohë, ish-portieri donte të shprehte mbështetjen e tij për trajnerin: “Ne nuk merremi me trajnerë të tjerë, jemi plotësisht të bindur për Julian. Falë Zotit jemi ende në fillim të sezonit dhe gjithmonë kemi forcën për t’u rikthyer në majë, aty ku na takon”.
Në analizën e tij, Kahn pranoi shqetësimin e tij për situatën: “Të gjithë jemi të pakënaqur dhe me humor të keq. Prandaj është e rëndësishme të qetësohemi herë pas here për të parë se çfarë duhet bërë për t’u rikthyer në rrugën e suksesit shumë shpejt”.
Në fjalën e tij rrëshqiti mendimi se ndoshta iu mungon ende Lewandowski: “Ne krijojmë gjithmonë shumë raste, por nuk shënojmë gola të mjaftueshëm. Herë pas here kërkohet qëndrueshmëri dhe fokus në finalizim. Tani do të marrim kohën tonë për të parë dhe analizuar gjithçka, pastaj duhet të nisim rrugën drejt suksesit”.