Në zgjedhjet e 15 korrikut, platformat e partive politike do të mbetën nën hije, veçanërisht të atyre që kanë kandidatë për kryeministër, ndërsa akuzat dhe kundër akuzat do të jenë si asnjëherë më parë të shfaqura dhe me tendenca shpifje, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend
Destan JONUZI
Shkup, 27 qershor – Partitë politike me fillimin e fushatës zgjedhore i përdorën rrjetet sociale dhe mediat për t’i prezantuar programet zgjedhore, por nuk mbetën imune as panotë reklamuese dhe bilbordet. Por sa realisht partitë politike përdorin këto mekanizma propagandistik për të promovuar programet e tyre elektorale.
Analisti Blerim Hyseni konsideron se edhe në këto zgjedhje si edhe në zgjedhjet tjera, në planë të parë do të jenë akuzat mes pjesëmarrësve në garën elektorale, ndërkohë që shumë pak do të flitet për programet e tyre. “Si fillim, fushata nuk lë përshtypje të një gare programesh e idesh. Kjo ndoshta do ndryshojë. Shpresoj sepse fillimi s’është edhe aq i mbarë nëse sheh se nuk merren me platforma po merren me akuza nga më të ndryshimet, madje edhe duke trilluar. Nëse kësaj ia shtojmë edhe fushatën në kohë pandemie, kësaj herre platformat në veçanti të partive që s’kanë kandidat për kryeministër do të mbeten nën hije, ndërsa akuzat do të jenë si asnjëherë më parë të ashpra me tendenca dhe shpifje”, thekson Hyseni.
Ndryshe, sipas Udhëzimit për shpërndarjen e panove reklamuese dhe bilbordeve, 40 për qind e lokacioneve janë në dispozicion për partitë në pushtet, po aq për qind janë dedikuar për partitë në opozitë ndërsa nga 10 për qind e lokacioneve janë në dispozicion për partitë parlamentare të cilat nuk kanë grup deputetësh dhe partitë jashtëparlamentare. Nëse ndonjë parti politike, koalicion apo ndonjë kandidat i pavarur nuk e shfrytëzon përqindjen e përgjithshme për qiramarrje atëherë edhe kandidatët e pavarur kanë të drejtë për qiramarrjen e këtyre lokacioneve.
“Partia politike apo koalicioni i cili nuk do ta shfrytëzojë përqindjen e përgjithshme për marrjen me qira të panove reklamuese dhe bilbordeve apo lokacioneve obligohet ta njoftojë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për këtë. KSHZ në një procedurë shtesë do t’i shpërndajë panotë e pashfrytëzuara reklamuese dhe bilbordet apo lokacionet për partitë e tjera politike apo koalicionet në pajtim me nenin 78-a të Kodit Zgjedhor”, thuhet në Udhëzim. Më 18 qershor nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve u zbatua short për ndarjen e lokacioneve të panove reklamuese dhe bilbordeve. Përveç këtyre opsioneve për reklamim politik, partive në periudhën zgjedhore në dispozicion u qëndron opsioni për reklamim të paguar politik. (koha.mk)