Shkup, 9 shtator – Sipas një liste të publikuar nga e përditshmja “Nezavisen”, ekipi i bashkëpunëtorëve dhe këshilltarëve të jashtëm të kryeministrit Zaev ka pësuar disa ndryshime kadrovike. Instituti për studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIEMES) nga Ljubljana është “emri” i vetëm i ri në listën e fundit të bashkëpunëtorëve të jashtëm në kabinetin e kryeministrit, Zoran Zaev. Në listën e bashkëpunëtorëve të jashtëm nuk është më gazetari nga Strumica, Gjorgji Kallajxhiev, i cili kishte kontratë deri në korrik të këtij viti si këshilltarë për komunikime dhe marrëdhënie me opinionin, për të cilin angazhim ka marrë honorar prej 40 mijë denarë, transmeton gazeta KOHA.
Nga lista e bashkëpunëtorëve të jashtëm është larguar edhe Mersel Bilalli, i cili deri më tani ka qenë i angazhuar si këshilltarë për komunikime dhe marrëdhënie me opinionin për përmirësimin e marrëdhënieve midis bashkësive etnike, për të cilin shërbim është paguar me honorar mujor prej 40 mijë denarë. Bilalli e ka konfirmuar largimin e tij, duke u shprehur i kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm me kryeministrin Zaev.
Mes bashkëpunëtorëve të jashtëm të kryeministrit Zaev nuk është më as profesori universitar Vanço Uzunov, për të cilin në listën e parë të këshilltarëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të kryeministrit qëndronte se është i angazhuar deri në fund të vitit 2019. Përndryshe, Uzunov është ish-nënkryetar i LSDM-së, si këshilltarë i kryeministrit për çështje ekonomike ka qenë i angazhuar me honorar mujor prej 53.500 denarë. Edhe Uzunov ka konfirmuar largimin e tij, duke theksuar se me kërkesë të tij, kontrata si këshilltarë i jashtëm në kabinetin e kryeministrit është ndërprerë dhe se për këtë vendim të tij nuk ka ndonjë arsye të veçantë.
Ai ka potencuar se edhe më tej është i hapur për komunikim me kryeministrin dhe se edhe pa kontratë është i gatshëm për t’i dhënë këshilla kryeministrit, dhe se bashkëpunimi i tij me Qeverinë në pjesën e bashkëpunimit rajonal, procesit të Berlinit dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE mbetet në fuqi. (koha.mk)