Shkup, 7 qershor – Skuadra e FC Shkupi pasi që të mërkurën ka promovuar përforcimin e parë, sot ka sjellë edhe një tjetër futbollist. Me skuadrën bardhekaltër është bashkuar qendërmbrojtësi 24 vjeçar Amir Bilali, me të cilin ka nënshkruar kontratë dy vjeçare. Bilali, te FC Shkupi vjen nga Superliga e Shqipërisë, ku ishte pjesë e skuadrës së Teutës, ndërsa para se të kalonte te Teuta ishte pjesë e skuadrës së Rabotniçkit, derisa posedon shtetësi të dyfishtë, shqiptare dhe të Maqedonisë.
Bilali gjithashtu ka qenë pjesë e skuadrës së Bylisit, ndërsa ka luajtur edhe në kampionatin slloven me Celjen, si dhe ishte pjesë e U19 te Kremonezes e Lacios në Itali.
Pas prezantimit për faqen zyrtare të klubit ka folur Bilali, duke mos fshehur gëzimin që bashkohet me ekipin e Shkupit. “Jam shumë i kënaqur me mikpritjen e gjithë stafit, nga presidenca e deri te trajneri. Bisedova me menaxherët e mi të cilët më treguan për projektin qe ka ekipi i FC Shkupit, andaj nuk mendova dy herë për të qenë pjesë e ekipit që ka pas vete një traditë të madhe të futbollit. Nuk do të fsheh se kisha shumë oferta nga ekipe të Shqipërisë, Maqedonisë por edhe jashtë vendit, por jam shumë i lumtur për zgjedhjen qe kam bërë. Tani duhet vetëm punë dhe sakrificë, e që me ndihmën e Zotit të fillojmë një aventurë të re dhe të arrijmë së bashku sa më shumë suksese. Te Shkupi me shumë dëshirë kamë ardhur duke e ditur edhe se çfarë tifozerie ka, të cilëve u premtoj se në secilën ndeshje do japim maksimumin si ekip që të kënaqim pritshmërit e tyre”, deklaroi Bilali.