BIK-u reagon ndaj ambasadorit Qëndrim Gashi, publikoi karikaturë për profetin Muhamed

187

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka reaguar ndaj ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ka publikuar karikaturën e pejgamberit Muhamed, duke e cilësuar si ofendim nga i cili duhet të distancohen Ministria e Jashtme.

Sipas BIK-ut, në fillimin e muajit të datëlindjes së Pejgamberit Muhamed, kur mbarë bota islame ka filluar manifestimet për të përkujtuar, lexuar e studiuar biografinë e tij të ndritshme dhe mësimet e tij të shenjta, vjen publikimi i karikaturave që ofendojnë Pejgamberin Muhamed , nga ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

“Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë. Populli ynë njeh për vlerë kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin, bashkëjetesën e harmoninë ndër fetare, që është shembull edhe për popujt e tjerë. Harmonia ndër fetare që ne kultivojmë me shekuj mund të jetë shembulli i mirë edhe për popujt dhe shoqëritë tjera. Këtë shembull të mirë e vlerë të kombit tonë do të duhej ta ndiqte edhe ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e jo të bëj të kundërtën, dhe me veprimet e tij ti kontribuoj mos durimit e urrejtjes me bazë fetare. Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare”, thuhet në reagim.

BIK-u po ashtu, ka dënuar aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona mos të përdorën për urrejtje e mos durim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri.