‘Pasi t‘i ketë lexuar me dhjetëra libra mbi historinë e kësaj pjese të Ballkanit shkëmbor, Llukas Dajns i është dashur t’i mbyll sytë për një çast dhe të fiksojë larg në horizont pluhurin e një karvani që po linte prapa shijen e hidhur të një skene tragjike e komplotiste që po ngrihej mbi truallin e asaj që sot quhet Maqedoni’, tha kritiku Emin AZEMI
Remzije BILALLI
Shkup, 31 tetor – Mbrëmë në QIK-Shkup u bë promovimi i romanit ‘Bijtë e dheut’ të autorit Llukas Dajns.
Për librin foli kritiku Emin AZEMI.
Romani“Bijtë e dheut” i autorit amerikan, Llukas Dajns është jehohë e një realiteti që përthehet në pejsazhin e vrazhdë të historisë qindvjeçare ballkanike. Si eksplorues i mirë i natyrës së njerëzve dhe ngjyrave të dheut të këtushëm, autori nuk është mjaftuar vetëm me nivelin informacionit ditor mbi realitetin social e etnospikologjik, që e kishte marrë gjatë qëndrimit disavjeçar në Pollog, por ka insistuar që të shkojë përtej perdeve të mbyllura të kohëve, duke mbindërtuar informacionin e tij me sfondin e ngjarjeve të ndodhura në fillim të shekullit 20”, vlerëson kritiku Emin Azemi, sipas të cilit ky roman është i ndërtuar mbi një tipologji marrëdhëniesh të brendshme tekstore ku paralelisht zhvillohet edhe fabula kryesore edhe meditimi anësor.
‘E gjithë historia e këtij romani shikohet përmes syve të Jon Ahmetit. Ai përpos që, thënë figurativisht, është një arkë e mbyllur që lëviz mbi shpinën e kërrusur të një kohe të mbarsur me shtërgata, që pritet të shkarkohen mbi kokat pafajshme të ballkanasve, por edhe të banorëve të Shipkovicës dhe gjithë Malësisë së Sharrit, është edhe dëshmitar okular i shumë bisedave, ngjarjeve por edhe një hallkë në të cilën autori lidhë kontrastet etnike e fetare të Maqedonisë së fillimshekulit 20.Metodologjia e shkrimit të këtij romani, ka ndjekur dy linja paralele kërkimi: njëra që shpinte nëpër dokumente, arkiva e botime të ndryshme me karakter historik e dokumentar dhe tjetra duke përshkuar me prerje gati kirurgjikale subtilitetin e natyrës së brendshme njerëzore, e cila herë na paraqitet tepër e mjegullt e dinake (anglezi Mec Gregori, serbi Petar, bullgari Dashkov, grekja Eleni ) e herë melankolike dhe e trishtuar nga meditimi për njerëzit e shtëpisë në vendlindje, atje në Shipkovicë ( shqiptari Jon Ahmetaj)’, nënvizoi Azemi.
Sfidat e përkthimit
Një dimension mjaft i rëndësishëm që e bën këtë vepër të komunikoj rrjedshëm me lexuesin është gjithsesi përkthimi mjaft cilësor në shqip nga ana e profesershës universitare Behare Kasami. Procesin e përkthimit ajo e quajti më tepër kreativitet krijues, e jo punë teknike, kurse foli edhe për disa sfida që e kanë ndjekur
“Ka pasur disa momente mjaft shqetësuese gjatë përkthimit që më kanë përcjellë dhe vazhdojnë t’më përcjellin edhe sot. I pari ka qenë kur gjatë kërkimeve kam kuptuar se shumica e figurave dhe ngjarjeve historike ishin reale. Këtë moment e mbaj mend si sot se ka qeni momenti kur më ranë supet nga barra e përgjegjësisë që u dyfishua, dhe me këtë rast do falënderoja miqtë e mi të katedrës së historisë për përkrahjen profesionale dhe njëkohësisht kërkoj ndjesë sepse e njoh veten.Rasti i dytë ishte kur fillova të mendoj se mua më duket përkthimi i mirë sepse e kam bërë vet. Se ndoshta edhe nuk është aq i mirë, ndoshta diku e humb rrjedhshmërinë por unë nuk mund ta hetoj. Nuk besoj se ka gjë më të lëkundshme se vetëbesimi. Janë momente kur edhe fjalinë më të thjeshtë e verifikon dy herë. Që i bie mbase se është gjë e mirë kjo lëkundja. Por në këtë rast kam pasur përkrahjen pa rezervë të mikeve të mia të cilat kanë dëgjuar të gjitha ankesat e mia. Njëra nga ata ka lexuar një pjesë bukur të mirë për të më konfirmuar se rrjedhshmëria dhe përkthimi janë në rregull dhe se po mërzitem kot. Ishte momenti kur edhe nga një person i jashtëm që më njeh më pak kam kërkuar të njëjtën gjë dhe sikur fillova të marr frymë më lirshëm, por nuk zgjati. Momenti i tretë ishte dyshimi im se a do të arrij të përcjell emocionin, se romani ka ngjarje që më lenin pa frymë dhe leja përkthimin për të lexuar shpejt e shpejt se çfarë do ndodh, momente kur nga pikëllimi detyrohesha të bëj pushim për të vazhduar pak më vonë se nuk po koncentrohesha dot. Dhe fatkeqësisht për këtë nuk mund të kërkoja ndihmë prej askujt po ia lë lexuesit ta vlerësojë”, tha Behare Kasami.
Porosia e romanit sipas autorit
Duke folur për veprën e tij, autori Llukas Dajns shpalosi disa detaje rreth përmbajtjes dhe prfosisë së romanit ‘Bijtë e dheut’.
“Qëllimi im ishte të tregoja të ligën në të gjithë ne, t’i shpalosim hijet tona njëri-tjetrit, në mënyrë që të fillojmë të bashkëndiejmë me luftën të vërtetë të njëri-tjetrit për të qëndruar në anën e mirësisë.
Karl Jungka thënë, “Asnjë pemë, thuhet, nuk mund të rritet në parajsë, nëse rrënjët e saj nuk arrijnë në ferr”.
Të gjithë kemi mangësi, kemi rrezik të zbresim në ferr. Doja që ky libër ti mundësonte secilit nga popujt e Ballkanit të shikonin njëri-tjetrin në sy dhe të shikonin një përzierje të dritës dhe errësirës, të mirës dhe të keqes dhe të shohin pasqyrimin e tyre në luftën e një grupi tjetër. Ndoshta atëherë mund të bashkëndiejmë me njëri-tjetrin. Vetëm kështu mund të konceptohet ecja përpara.”, ka sqaruar shkrimtari Llukas Dajns, i cili shtoi se romani i tij është fiksion historik i vendosur në Maqedoni në vitin 1902 për një shqiptar i cili punon për konsullatën Britaneze…’.
Autori kishte qëndruar disa vite në Maqedoni dhe kjo përvojë i ka shërbyer atij të hulumtojë më tepër në tematikën që kishte menduar ta trajtojë në roman.
“Pasi erdha për herë të parë këtu dhe fillova të hulumtoja kulturat dhe historinë, pyetjet filluan të më rrotullohen në kokë. Unë kisha lexuar për aq shumë mizori, dhunë dhe ligësi, kështu që pyetja e parë ishte, ‘Si ka mundësi që të gjithë këta njerëz të mirë që unë njoh të jenë të aftë për të gjitha këto të liga?’ serbët kundër boshnjakëve, kroatët kundër serbëve, serbët kundër kroatëve, shqiptarët kundër maqedonasve, maqedonasit kundër shqiptarëve, serbët kundër shqiptarëve, dhe lista vazhdon.Si mund të ndodhte kjo? Unë i dua të gjithë këta njerëz përreth meje dhe ata janë të gjithë të mirë, jo të përsosur, askush nuk është, por të mirë, normal, të paktën nuk janë autorëtëvrasjes së dhunshme. Andaj si? Si? Ky ishte fillimi i rrugëtimit tim. Më duhej të provoja dhe të kuptoja se si dhe përfundimi tek i cili arrita, pas shumë kërkimesh, vëzhgimesh dhe udhëtimesh personale, ishte: hija jonë.Askush nuk është imun ndaj saj. Ne të gjithë kemi atë errësirë brenda nesh, është vetëm çështje rrethanash dhe manipulimi me të tjerët. Ne të gjithë jemi të aftë për gjëra të tmerrshme”, ka nënvizuar shkrimtari Llukas Dajns.