Prej kësaj ndërmarrje kanë sqaruar se qytetarët kanë shumë mundësi për të paguar, sidomos pagesën online dhe nëpër sportelet e vet ndërmarrjes me qëllim që të mos dëmtohen punëtorët, respektivisht mos rrezikohen rrogat e tyre
Urim HASIPI
Tetovë, 4 prill – Në këtë kohë kur kemi pandemi të koronavirusit, janë mbi 200 punëtorë të Ndërmarrjes publike komunale në Tetovë, që përkujdesen për pastërtinë dhe higjienën e qytetit. Edhe ata, sikurse mjekët dhe policët, janë të ekspozuar ndaj virusit Covid 19, sidomos ata që bëjnë grumbullimin e mbeturinave në Kodrën e Diellit, ku janë të izoluar qindra qytetarë. Nga Ndërmarrja publike komunale në Tetovë kanë bërë të ditur se gjatë marrjes së mbeturinave në këtë pikë turistike janë ndërmarrë masa shtesë preventive. “Në Kodrën e Diellit, gjatë marrjes së mbeturinave bëjmë dezinfektimin e mbeturinave, të kamionëve,si dhe të vendit ku janë mbeturinat. Ka prezencë të mjekëve, policisë, të cilët mbikëqyrin procesin e marrjes së mbeturinave në Kodër të Diellit”, thotë drejtori i NPK-së në Tetovë, Xhelal Ceka.
Mbeturinat që merren në Kodrën e Diellit, njofton Ceka, dërgohen direkt në deponinë Drislla, nuk ka për këto mbeturina proces të ngarkim-shkarkimit. Krahas kësaj, punëtorët e higjienës publike, të ujësjellësit dhe kanalizimit, mirëmbajtjes së gjelbërimit, janë të pajisur me maska dhe dorëza. “Këta punëtorë, të cilët punojnë në mirëmbajtjen e pastërtisë së qytetit, kanë me vete edhe dezinfektues, gjatë tërë kohës kanë maska dhe doreza, kurse ata që janë në moshë dhe të sëmurë kronikë, janë lëshuar në shtëpi. Ndërkaq, u është rekomanduar atyre që kanë probleme shëndetësore në këtë periudhë që të shkojnë te mjeku të vizitohen dhe mos qëndrojnë në punë”, deklaroi për gazetën Koha, drejtori Ceka.
Sipas tij, grumbullimi i mbeturinave kryhet normalisht, ndërsa është rritur dukshëm sasia e mbeturinave për shkak të qëndrimit të qytetarëve në shtëpi.“Këta punëtorë që punojnë në grumbullimin e mbeturinave, kryejnë të njëjtën punë që kanë bërë edhe në kushte normale. Kur të gjithë qëndrojnë në shtëpi gjatë orës policore, ata janë në terren dhe bëjnë grumbullimin e mbeturinave. Bartja e mbeturinave fillon nga ora 21.00, kemi leje të posaçme nga policia, kurse ajo që vlen të potencohet është se tash nuk ka pengesa nëpër rrugët e qytetit, pasi që nuk ka frekuentim të automjeteve, të cilët në kushte normale e vështirësojnë qarkullimin e kamionëve në rrugët e Tetovës. Po ashtu pastrimi si dhe fshirja e qytetit zhvillohet më lehtë në këtë kohë”, pohon drejtori Ceka.
Ai sqaron se Ndërmarrja publike komunale së bashku me njësinë e zjarrfikësve është e angazhuar në dezinsektimin dhe dezinfektimin e hapësirave publike në tërë territorin e Komunës së Tetovës. “Dezinfektimi dhe dezinsektimi kryhet në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo mënyrë e dezinfektimit bëhet sikurse në Shkup dhe Strumicë. Mendojmë se kjo do të ketë efekt pozitiv për të mbrojtur popullatën nga virusi”, theksoi kreu i NPK-së në Tetovë.
Ndërkaq, sa i përket gjendjes me ujin e pijshëm në Tetovë, nga kjo ndërmarrje theksojnë se momentalisht qyteti furnizohet 24 orë me 400 litra ujë në sekondë dhe nuk ka probleme. Po ashtu, me rekomandim të mjekëve nga Shtëpia e Shëndetit është hedhur pak më shumë klor në rrjetin e ujësjellësit. Ajo që është brengosëse për ndërmarrjen është niveli i ulët i pagesës së faturave të ujit. “Gjatë këtyre tre javëve sa ka filluar gjendja e jashtëzakonshme, ka rënë dukshëm niveli i pagesës së ujit dhe mbeturinave. Lirisht mund të them se diku rreth 20 për qind paguajnë dhe 80 për qind nuk paguajnë faturat. Apeli ynë është që qytetarët të paguajnë faturat sepse ndërmarrja jonë varet nga pagesa e rregullt e këtyre faturave”, thonë nga NPK-ja.
Prej kësaj ndërmarrje kanë sqaruar se qytetarët kanë shumë mundësi për të paguar, sidomos pagesën online dhe nëpër sportelet e vet ndërmarrjes, me qëllim që të mos dëmtohen punëtorët, respektivisht mos rrezikohen rrogat e tyre. (koha.mk)