Amerikanët po shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj Presidentit Joe Biden, pothuajse nëntë muaj pasi ai mori detyrën. Në një seri anketimesh të bëra javën e kaluar në nivel kombëtar, 49.2% e të anketuarve nuk e miratojnë punën e zotit Biden, përkundër 44.5% që e miratojnë, thotë kompania e anketimeve FiveThirtyEight. Rezultatet e pesë anketimeve të bëra rishtazi nga RealClearPolitics shprehin pakënaqësi, ndërkohë që rezultatet e tre anketimeve janë në favor të zotit Biden. Analistët thonë se rënia në perceptimin e punës së zotit Biden ka qenë veçanërisht e ndjeshme në radhët e votuesve të pavarur, të cilët e ndihmuan atë të fitojë zgjedhjet vitin e kaluar përballë ish-Presidentit Donald Trump.
Në muajin korrik, kur u mbushën gjashtë muajt e parë të presidencës së tij, zoti Biden gëzonte një avantazh mbështetjeje prej 9%, por deri në fund të gushtit, anketimet tregonin se votuesit amerikanë ishin të ndarë në perceptimin ndaj punës së tij. Që atëherë ai ka humbur edhe më shumë terren dhe analistët politikë japin për këtë shpjegime të ndryshme.
Ishte periudha që përkoi me tërheqjen kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani pas 20 vjet lufte, thonë analistët. Ata gjithashtu përmendin mosmarrëveshjet politike në Uashington mes republikanëve dhe demokratëve për rritjen e tavanit të borxhit, si dhe mes ligjvënësve demokratë progresistë dhe të moderuarve për zgjerimin e rrjetit të sigurisë sociale të vendit pas gati pesë dekadash. Gjithashtu, numri i infektimeve të reja nga koronavirusi u rrit në shkallë vendi për disa muaj, përpara se të fillonte rënia më rishtazi, megjithëse rreth 70 milionë amerikanë vazhdojnë të jenë të pavaksinuar. Presidenti Biden ka urdhëruar vaksinimin ose testimin e shpeshtë për COVID-19 të punonjësve në kompanitë me mbi 100 të punësuar, por udhëzimet vazhdojnë të jenë të debatueshme në disa pjesë të vendit dhe në disa biznese, ku ende nuk po zbatohen.