Ndeshja e fundit derbi në futboll e zhvilluar në Sarajevë mes ekipeve të Zeljeznicar dhe Sarajevo FC, ka qenë e veçantë, jo vetëm se ishte një përballje e fortë mes dy ekipeve rivale të një qyteti, por edhe për një ngjarje interesante që ndodhi në mes të takimit. Gjithçka po shkonte mirë deri në momentin që nis dëbora, e cila zbardh totalisht fushën dhe lojtarët e kanë të vështirë të dallojnë topin e bardhë. Skuadra e Zeljeznicar është pritëse dhe në pushimin e ndeshjes gjyqtari kërkon, sipas rregullores, topa portokalli për të vazhduar takimin, topa të cilat nuk gjenden në magazinë.
Por magazinieri ka një ide gjeniale, merr një bombul dhe i lyen topat me bojë portokalli, në mënyrë që ndeshja të luhet me çdo kusht. Gjyqtarët bien dakord dhe hyjnë në fushë me kapitenët e skuadrave, por më pas kuptojnë se është e pamundur që ndeshja të zhvillohet normalisht, pasi duhen topa zyrtarë portokalli dhe jo të lyer me bojë. Takimi ndërpritet dhe vazhdon pas 24 orësh, por nuk ka më dëborë në fushë, pasi ajo është hequr. Ndeshja duhet të vazhdojë me topa portokalli, por fusha nga e bardhë prej dëborës është kthyer në baltë, ku bëhet e vështirë këtë herë të duket topi me ngjyrë. Për kronikë, skuadra e Zeljeznicar fitoi 2-1 dhe u ngjit në krye të renditjes.