Joe Biden ka intensifikuar përpjekjet për krijimin e frontit të përbashkët perëndimor kundër Rusisë, që nuk e përjashton pushtimin e Ukrainës. Por, edhe me gjithë thirrjet e liderëve të shteteve aleate, Perëndimi ende nuk po flet njëzëshëm. Gjermania dëshmoi çarjet e para të aleatëve
Presidentit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka shtyrë aleatët evropianë që të zotohen se bashkërisht do të marrin masa ndëshkuese kundër Rusisë nëse i nis trupat drejt Ukrainës. SHBA-ja, Turqia dhe Britania janë zotuar se do ta ndihmojnë Ukrainën me raketa antitanke, dronë të armatosur, luftanije dhe armë të tjera, bashkë me fonde për të ndihmuar ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës.
Refuzimi gjerman
Por aleatja kyç, Gjermania, duket se ka aversion ndaj ndihmës së drejtpërdrejtë ushtarake, saqë aeroplanët ushtarakë britanikë që po dërgonin armatim në Ukrainë është dashur të shmangnin hapësirën ajrore gjermane për të arritur në ish-Republikën sovjetike. Përderisa presidenti Biden ka paralajmëruar homologun Vladimir Putin për pasoja ekonomike, të papara ndonjëherë, nëse Rusia e pushton Ukrainën, disa aleatë të mëdhenj evropianë nuk kanë treguar entuziazëm për ndëshkime ekonomike që do të dëmtonin edhe ekonomitë evropiane. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kërkuar që të ketë një plan evropian të sigurisë për t’iu kundërvënë Rusisë. Ai ka thënë se gjatë javëve të ardhshme duhet të ndërtohet një strategji sigurie “në mesin e evropianëve” para se ta ndajnë me aleatët e NATO-s dhe eventualisht t’ia propozojnë Moskës.
NATO-ja me strategji më vete
Deklaratat e Macronit para eurodeputetëve në Strasburg kanë ardhur një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se organizata ushtarake është në proces të përfundimit të propozimeve të veta ushtarake. Stoltenberg shpreson se do të organizojë një seri takimesh me Rusinë në të ardhmen e afërt. Përpjekjet paqësore të Francës dhe Gjermanisë më 2015 ndihmuan përfundimin e armiqësive të përmasave të mëdha në lindje të Ukrainës, ku forcat ukrainase po luftonin separatistët prorusë që nga viti 2014. Por konflikti, i cili ua ka marrë jetën më shumë se 14 mijë personave është ndalur, por nuk ka ndonjë marrëveshje paqësore. Zyrtarët më të lartë besojnë se Putini është munduar të përçajë bllokun prej 27 shteteve anëtare, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, që ka 21 shtete anëtare të BE-së, me kërkesat e veta të sigurisë.
Protesta ruse
Gjatë javëve të tëra të diplomacisë së intensifikuar liderët rusë kanë hedhur poshtë zotimin e aleatëve për qëndrim të unifikuar kundër Rusisë. Në thelb, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka protestuar. Ai ka akuzuar amerikanët se po bëjnë çmos të unifikojnë Perëndimin, derisa evropianët nuk po mund të rreshtohen njëherazi me aleatët matanë Atlantikut. Dhe nëse diskutimet për unitet dhe premtime reperkusionesh po e bëjnë Putinin të mendohet dy herë, ai nuk po e dëshmon këtë. Rusia ka dërguar rreth 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë të martën se besojnë që Rusia është në gjendje të nisë sulmin. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka vizituar Ukrainën para se të premten të takohet me Lavrovin në Gjenevë. Liderët evropianë mendojnë se Rusia po mundohet të përçajë Bashkimin Evropian. “Shtetet e Bashkuara nuk e kanë luajtur lojën e tyre”, ka deklaruar shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell. “Rusia deshi të na ndante. Dështoi”.
Aleancë fjalësh?
Së paku me fjalë, rreshtimi evropian prapa lidershipit amerikan ka qenë gjithnjë sukses i politikës së jashtme për administratën e Bidenit pasi iu priu aleatëve në tërheqjen nga Afganistani me rezultate të dëmshme. Puna diplomatike amerikane po kapitalizon zotimet evropiane kundër Rusisë nëse e pushton Ukrainën, ka deklaruar senatori Chris Murphy, demokrati që udhëtoi me senatorë republikanë dhe demokratë në Kiev për t’i takuar në fundjavë liderët e Ukrainës. “Tani për tani duket se ka interes më të madh që po vjen nga Shtetet e Bashkuara për zbatimin e sanksioneve të serta ndërkombëtare se nga Evropa”, ka deklaruar Murphy. Kjo “për mua është disi tronditëse, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për integritetin territorial të Evropës e jo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. (koha.net)