Administrata e re e Joe Biden-it ka sinjalizuar se kërkon të lërë në plan të dytë princin trashëgimtar të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, duke paralajmëruar një “ndryshim qëndrimi” mbi politikat e ndjekura nga administrata Trump. Zyra e Biden-it ka theksuar gjithashtu se në SHBA presin që qëndrimi i sauditëve të ndryshojë karshi SHBA-së. Një minimizim i kontaktit të drejtpërdrejtë midis presidentit të SHBA-së dhe princit Salman është i pritshëm. Ky ndryshim i qëndrimeve është tërësisht i ndryshëm nga qasja që Donald Trump kishte. Ish-presidenti amerikan, jo pak herë i ka thurur elozhe princit të ri saudit.
Ky vendim nuk është i rastësishëm, pasi një raport i inteligjencës amerikane mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, pritet t’i dërgohet Kongresit brenda një jave. Sipas të dhënave, raporti do të implikojë drejtpërdrejtë princin Salman për vrasjen e gazetarit të Washington Post. Në një prononcim nga zëdhënësja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Jen Psaki, është bërë më parë me dije se “Biden-i ka ndërmend të rishikojë marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite”. Detaje të tjera, sugjestionojnë se si homolog të tijin, presidenti i SHBA-së cilëson mbretin Salman dhe jo të birin. Në Washington janë ngritur pyetje të shumta mbi drejtimin që marrëdhëniet do të marrin.
Në janar, SHBA-ja vendosi të ndërpresë furnizimin me armë dhe avionë ushtarakë ndaj Arabisë Saudite. Çështja e Yemen-it u kthye në kryefjalë të politikës botërore. Joe Biden-i e cilësoi atë si katastrofën më të madhe humanitare globale. Gjithashtu është bërë një paralajmërim se SHBA-ja do të rishikojë qasjen e saj ndaj çështjes së Yemen-it. Ajo me Arabinë Saudite është një ndër aleancat më të forta që SHBA-ja ka në Gjirin Persik. Ky ndryshim i qasjes së SHBA-së mund të jetë tregues mbi vëmendjen e shtuar që superfuqia botërore mund të ketë ndaj çështjes së të drejtave të njeriut.