Biden gëzon epërsi ndër votuesit e moshuar

23

Republikanët dhe demokratët po përpiqen të tërheqin votuesit më të moshuar, 65-vjeç e sipër. Sipas anketave, demokrati Joe Biden po avancon me këtë grupmoshë krahasuar me Presidentin Trump.

Gara për të tërhequr amerikanët e moshuar do të shfaqet edhe më qartë në shtetet fushë-betejë që kanë popullata më të mëdha të këtij grupmoshe, si Florida dhe Arizona, thotë Thomas Volgy i Universitetit të Arizonës.

Një ndër pesë amerikanë me të drejtë vote në Arizona është i moshuar, sipas statistikave. Për më tepër, thotë zoti Volgy, “personat mbi 65 vjeç marrin pjesë në përqindje më të larta në votime se grupmoshat e tjera”.

Për këtë arsye ky grup votuesish kanë një ndikim më të madh në këto shtete se në shtete të tjera. Në një diskutim në Shtëpinë e Bardhë më 15 qershor, presidenti konfirmoi “angazhimin e patundur” për të mbrojtur popullatën e moshuar të vendit. Në fund të majit, ai njoftoi një nivel tavan për çmimin e insulinës, duke përmendur të moshuarit që do të përfitonin nga kjo masë.

Një organizatë pro zotit Biden, e quajtur Ura Amerikane, ka filluar një fushatë reklamash që kanë në fokus votuesit e moshuar në shtete ku Presidenti Trump fitoi me epërsi të vogël: Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Në 2016, Presidenti Trump mundi demokraten Hillary Clinton në radhët e të moshuarve me rezultatin 52-45%. Sot presidenti renditet pas zotit Biden në shumicën e anketave me amerikanë mbi 65 vjeç, sipas anketës së fundit nga New York Times/Siena College Poll.

Fushata e presidentit Trump i ka vënë në pikëpyetje rezultatet e një ankete të CNN më 8 qershor që tregonte se 54% e të moshuarve kanë opinion negativ për udhëheqjen e zotit Trump.

Anketuesit thonë se po shfaqet një prirje e qartë. Presidenti “Trump nuk po ecën në drejtimin e duhur,” thotë Tim Malloy i qendrës së anketimeve me Universitetin Quinnipiac.

Comments are closed.