Shkup, 8 mars – Me qëllim të nxitjes së kulturës së leximit, biblioteka “Braqa Milladinovci”nga Shkupi, përmes projektit të bibliotekës mobile, i titulluar “Bibliobus”, synon të jetë më afër qytetarëve që jetojnë në periferi të kryeqytetit. Në listën e fundit të publikuar nga Qyteti i Shkupit, ku sqarohej marshuta e “Bibliobusit”, nuk mund të shihej asnjë vendbanim shqiptar.
Për këtë arsye nga Qyteti i Shkupit, për gazetën KOHA, shprehen se drejtuesit e Bibliotekës së qytetit “Braqa Milladinovci”, janë në bisedime me kryetarët e Komunave të Sarajit dhe Studeniçanit, për hapjen e bibliotekave klone, me të vetmin qëllim që të jenë më afër banorëve të kësaj ane.
“Në lagjen e Hasan Begut, në hapësirat e Shkollës Fillore “25 Maj”, ekziston degë e bibliotekës së qytetit, e cila disponon me fond të pasur të librave në gjuhën maqedonase dhe shqipe, lektura të ndryshme. Ky lokacion është vetëm 200 metra larg rrugës për në Haraçinë. Njëherit vetë marshuta e ‘Bibliobusit’ nuk është fikse dhe ndryshohet (modifikohet), varësisht prej interesit të komunave dhe publikut’. Kështu që nëse në disa vendbanime ekziston interes i ulët, i njëjti zëvendësohet me vendbanime që shprehin dëshirë për tu përfshirë në këtë projekt”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Ndryshe, në të kaluarën bibliobusi i ka shërbyer banorët e disa fshatrave të Komunës së Sarajit, siç është rasti me Shishovën, Matkën dhe Lubinin. Mirëpo, nga Qyteti i Shkupit, si mbështetës të kësaj nisme, theksojnë se për shkak të interesit të vogël me kuadrin arsimore dhe publikun lexues, kjo marshutë është larguar nga projekti. Nga Qyteti i Shkupit gjithashtu njoftojnë se biblioteka mobile punon pesë herë në jave, duke përfshirë periudhë shtator-qershor.
Gjatë periudhës që pason, marshuta e biblobusit pritet të kalojë në vendbanimet në periferi të Shkupit, siç janë nxënësit e shkollave fillore në Bunarxhik, Tekija, Mërshevci, Kuçevishte, Sopishte, Sushica, Orizare, Pripor, Konjare e Poshtme, Dobri Dol, Pobozhje, Dollno Sonje, Orman, Çiflik, Trubarevo dhe Vollkovë. (koha.mk)