Shkup, 23 janar – Marrëveshja e Prespës është zgjidhje e cila është e mirë për kredibilitetin e BE-së, por edhe vendet tjera të Ballkanit. Me ratifikimin e saj në Parlamentin grek mënjanohet edhe pengesa e fundit, ajo çështje do të zgjidhet dhe nuk do të ketë kthim të mundshëm sipas të vjetrës, vlerëson analisti politik dhe profesor i Universitetit të Gracit, Florijan Biber, transmeton Koha.
Në intervistën për Doçje Vele, Biber thekson se në pah ka rezistencë që vërehet edhe sipas demonstratave në Greqi dhe sjelljes së opozitës në Maqedoni, por konsideron se vështirë është të pengohet ratifikimi dhe implementimi i Marrëveshjes së Prespës.
Maqedonia, thekson Biber, me marrëveshjen fiton shumë- anëtarësim në NATO dhe perspektivë për integrim në BE, ndërsa Greqia sipas tij ka mundur edhe më tej të vazhdojë të jetojë edhe pa marrëveshjen.
Për mbështetjen e hapur të qeverisë gjermane për Marrëveshjen e Prespës dhe largimin e bllokadës për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, Biber thotë se vetoja greke që nga fillimi ka qenë blamazhë për BE-në, hap problematik dhe jo kredibil.
“Mendoj se Gjermania drejtë veproi që insistoi ky konflikt të zgjidhet. Tani jo vetëm që hapet mundësi për inkuadrim të Maqedonisë në NATO, por i tërë procesi për perspektivën e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor bëhet më kredibil dhe më i lehtë. Procesi do të varet nga reformat e brendshme politike në vend, jo nga arsyet simbolike të jashtme”, thotë Biber.
I pyetur nëse eksiton rrezik real nga destabilizimi i Ballkanit nëse Maqedonia mbetet jashtë NATO-s dhe BE-së, Biber vlerëson se destabilizimi nuk vjen nga ajo që një vend nuk do të pranohet, por mospasja e perspektivës kuptohet që ndihmon aspektin destabilizues në vend dhe rajon.
Prandaj, sipas tij, çdo vend në rajon duhet të ketë perspektivë të qartë për pranim në BE dhe NATO që për Maqedoninë mundësohet me Marrëveshjen e Prespës si sinjal pozitiv edhe për shtetet tjera të rajonit.