Laura PAPRANIKU
Shkup, 13 tetor – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka përmbyllur fazën e përzgjedhjes së projektit ideor për godinën e universitetit, e cila duhet të nis ndërtimin nga viti i ardhshëm, shkruan gazeta KOHA. Të premten janë mësuar edhe emrat e dy kompanive projektuese që ishin përzgjedhur një ditë më parë si fitues të çmimit të parë dhe të tretë nga konkursi, i cili kishte qëndruar i hapur nga 23 gushti deri në datën 2 tetor.
Teuta Kajtazi Jashari, kryetare e Komisionit profesional për zgjedhjen e fituesve të këtij konkursi, tha se dallimi mes dy projekteve që kishin hyrë në rrethin e ngushtë të shqyrtimit ishte shumë i madh. “Për këtë arsye, komisioni vendosi që të ndahen dy çmime, çmimi i vendit të parë dhe çmimi i vendit të tretë”, pohoi kryetarja Jashari, duke shtuar se bëhet fjalë për projektuesit të cilët kishin konkurruar me shifrën “Hands”, respektivisht “Majka”. Ndërkaq, pasi shërbimet administrative për ndjekjen e procedurës kishin informuar të gjithë garuesit me vendimin për fituesit në fjalë, u zbuluan edhe emrat e kompanive që fshiheshin pas atyre shifrave. Konkretisht bëhet fjalë për kompaninë “BH ARKITEKTS DOOEL – Tetovë” me shifrën “Hands”, e cila është vlerësuar me çmimin e parë dhe për kompaninë “Stidio IN Inxhinering DOOEL – Shkup” me shifrën ”Majka” që është vlerësuar më çmimin e tretë.
Në konkursin për përgatitjen e projektit ideor të objektit të UNT-së, janë paraqitur gjashtë projekte, mirëpo gjatë selektimit të parë, sipas analizës në vija të trasha, katër nuk kanë mundur të kalojnë në rrethin e ngushtë të shqyrtimit apo analizës së detajuar. Karakteristikë e këtij konkursi është të gjitha projektet kanë përfaqësuar tendenca të ndryshme arkitekturore. Sipas Jasharit, nuk ka pasur dy projekte të të njëjtit stil, që të mund të bëhej krahasimi me njëri-tjetrin. Thjeshtë, secili projekt ka përfaqësuar një model të ndryshëm nga tjetri. “Projekti që është vlerësuar si koncept mjaftë interesant, duke pasuar parasysh lidhjen e drejtpërdrejt me emërtimin e vetë universitetit si dhe tendencën për të përfaqësuar në aspektin arkitekturor sa më denjësisht një institucion të arsimit të lartë, është projekti me shifrën ‘Hands’ dhe që figurativisht shpreh duart e Nënë Terezës. Marrë në përgjithësi është vlerësuar koncepti i këtij projekti”, sqaroi kryetarja e Komisionit profesional për projektin ideor të objektit të UNT-së.
Jashari, me profesion arkitekte, thotë gjithashtu se struktura e projektuar nga “Hands”, pëveç se është moderne, bën pjesë në ata strukturë që shprehin lehtësi lëvizje në ambient dhe që është mjaft e rëndësishme, sidomos për objektet që duhet të përfaqësojnë institucione të këtilla, sikurse është ndërtesa e një universiteti. Aspekti funksional i këtij projekti, plotëson më tej ajo, është në nivele të larta. E, përveç kësaj, Komisioni ka vlerësuar lartë edhe tiparin e ndriçimit maksimal natyror, pasi korrespondon me kërkesën për kursim energjetik. Mjaft e rëndësishme, sipas saj, është edhe ndërlidhja mes dy strukturave, që është ideuar në aspektin figurativ si të ishin dy duart e Nënë Terezës. E bukura e kësaj zgjidhje ideore, është se pjesa që bën ndërlidhjen e dy strukturave, krijon mes tyre një hapësirë e cila mund të shfrytëzohet për qëllime të shumta, ndërsa në pjesën e sipërme të saj mbulohet me simbolin e vetë Universitetit “Nënë Tereza”. Kjo pjesë ka qëllimin e socializmit.
Rektori Aziz Pollozhani, duke shprehur besimin e plotë në profesionalizmin e anëtarëve të Komisionit, tha se shumë shpejt UNT do të nis me Planin e zbatimit. Koha më e përafërt për fillimin e këtij plani pritet të jetë shkurti i 2018-ës, pasi në ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëveprim me Ministrinë e Lidhjeve dhe Transportit duhet të sigurojnë se toka në të cilën do të nisin punimet nuk ka asnjë kontekst pronësor-juridik. Vetëm pasi të vërtetohen çështjet pronësore-juridike, mund të shpallet konkurs për firmat që do të ndërtojnë objektin sipas projektit të idejuar nga “BH ARKITEKTS DOOEL – Tetovë”. Për këtë qëllim, në buxhetin e tre viteve të ardhshme, Qeveria ka planifikuar 21 milion euro, konkretisht nga 7 milionë për secilin viti. Për godinën e UNT-së, te hapësirat e ish-Kazermës “Ilinden” janë ndarë mbi 30 mijë metra katrorë ku përveç kabineteve dhe amfiteatrove, objekti do të shoqërohet edhe me një palestër dhe pishinë. (koha.mk)