Arratisja dhe fshehja e ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski në Hungari nuk është befasuese për njohësit e lidhjeve mes regjimit të Gruevskit dhe Viktor Orban, shkruan BGNES bullgare në analizën për lidhjet mes dy politikanëve.
“Vetëm disa muaj para rrëzimit të pushtetit të Gruevskit të gjitha mediumet e kontrolluara nga ai kaluan në duart e hungarezes Agnesh Adamik. Për disa javë portalet më të mëdha “Kurir”, “Lider”, “Ekonomski”, “Vistina”, “Netpres” dhe “Republika” i ndërmori “Adinamik Medija” e Agneshit, ndërsa nga Regjistri tregtar në Shkup mbetet e qartë se ajo është pronarja e tyre e qindpërqindtë nga kjo pranverë. Pronari i deriatëhershëm i “Kurir”, “Lider”, “Ekonomski” dhe “Vistina”- “Em-Medija” e ka transferuar grupacionin e Agneshit. Nga Regjistri qendror konfirmohet, thotë agjencia bullgare edhe se të gjitha portalet udhëhiqen në një adresë të njëjtë – rr. “Mirçe Orovçanec” në kryeqytetin e Maqedonisë. “Adinamik Medija” së pari gjatë muajit prill e blen “Republikën”, pas së cilës ka qëndruar oligarku i njohur rus Samsonenko. Vetë Adanamik refuzon të japë çfarëdo lloj komenti për atë marrëveshje”, citon BGNES.
Në biznesin mediatik të Maqedonisë, potencohet, u inkuadrua edhe një hungarez tjetër, Petar Shac, i cili së bashku me Adamik nga viti i kaluar e ka kontrollin mbi televizionin Alfa përmes kompanisë “Target Medija”. Interesant është fakti, citohet në tekst, se Shac dhe Adamik janë ish nëpunës të agjencisë gazetareske shtetërore hungareze MTVA, e cila punon për regjimin e Viktor Orban. Ato janë emëruar në Agjenci menjëherë pas ardhjes së Orbanit në pushtet dhe shumë shpejtë përparojnë në strukturën menaxhuese.
Shac merr pjesë në disa kompani mediatike në Budapest. Mes tyre është edhe “Ripost Medija” e cila e boton tabloidin më me tirazh dhe merr nga dy milion euro çdo vit nga shpalljet dhe reklamat shtetërore. Menjëherë pas blerjes së televizionit Alfa në Shkup u paraqit portali ripostmk.com, pa informacione dhe të dhëna për pronësinë, potencon BGNES.
Në fillm të muajit maj të këtij viti është bërë e qartë se “Adinamik Medija”, ka marrë edhe portal tjetër të afërt me Gruevskin “Netpres”. Ky portal, citohet në tekst, ishte pronësi e kompanisë “Finzi” të Kosta Kërpaç, i cili gjatë rrethanave mjaft të dyshimta ishte gjetur i vrarë në vitin 2016. Sipas informacioneve zyrtare ai ka kryer vetëvrasje. Kërpaç, përkujton autori i tekstit, ishte mes të hetuarve të PSP-së të Katica Janevës për lëndën “Trezor” për furnizimin e teknikës së përgjimit nga Izraeli për MPB-në.
“Të gjitha mediumet e lartëpotencuara me ashpërsi e mbrojnë personalitetin dhe veprimtarinë politike të Gruevskit. Ato u japin hapësirë personave të cilët janë kundër Marrëveshjes për Miqësi dhe Fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshjen e Prespës, kundër ndryshimeve kushtetuese, duke i përfshirë edhe personat të cilët janë kundër integrimit euroatlantik të Republikës së Maqedonisë. Njëherit, në ato mediume paraqiten publikime kundër Bullgarisë të cilat përkujtojnë në kohën e Ish Jugosllavisë. Në ato portale shpesh herë ka edhe përkujtime” për “madhësinë” e diktatorit jugoslloven Josip Broz Tito”, potencohet në analizë.
Para disa muajve Rrjeti Reportues Hulumtues Ballkanik BIRN zbuloi se të gjitha marrëveshjet për blerje të mediumeve kanë kaluar përmes Shoqatës së Avokatëve “Çukiq dhe Markov”. Shoqata e njëjtë, siç potencohet, bën marrëveshje të mëdha gjatë qeverisjes së Gruevskit. Klientët e tyre janë Stopanska banka, Telekomi i Maqedonisë, EVN, Kompania e sigurisë SGS, ofshor kompania e Luganos “Eksiko” dhe lotaria kombëtare. Përmes tyre ka kaluar edhe shitblerja e parcelave të Sheshit në qendër të Shkupit mes shtetit dhe biznesmenit grek Kondominas, i cili pastaj shumë shpejtë ia transferoi biznesmenit rus Sergej Samsonenko.
Viktor Oran siç citohet në analizë, është politikani i vetëm i huaj i cili erdhi personalisht në Maqedoni që të takohet me Gruevskin prejse ai vitin e kaluar mbeti pa pasaportë.
“Orban zbriti me aeroplanin e tij privat në Ohër dhe me Gruevskin biseduan disa orë në mbrëmjen para zgjedhjeve lokale të cilat VMRO-ja i humbi në mënyrë katastrofale. Sipas shpalljeve të ndryshme atëherë Orban i ka premtuar strehim dhe mbrojtje Gruevskit”, qëndron në tekst.
Autoritetet në Budapest, potencohet, ishin aktive në Shkup edhe gjatë krizës së madhe të refugjatëve gjatë viteve 2015-2016. Atëherë Hungaria vendit i dhuroi teknikë dhe rrethojë me gjemba për kufirin me Greqinë.
Vetë Orban në biseda personale me politikanë të ndryshëm e quan Gruevskin “djali ynë”. Orban gjithashtu mban marrëdhënie shumë miqësore edhe me presidentët e Serbisë dhe Malit të Zi, Aleksandar Vuçiq dhe Millo Gjukanoviq, citohet në analizën e BGNES.