Institucionet fetare mund të jenë një aleat i fortë i betejave kundër dukurive asociale e devijante në shoqëri. Nëse institucionet fetare shikohen vetëm si qendra prej ku mund të rekrutohen votues që do të mbështesnin njërën apo partinë tjetër, atëherë misioni bazik i këtyre institucioneve deformohet, dhe ato shumë lehtë mund të shndërrohen në shesh ku horrat e ngjyrave të ndryshme mund t’i xhirojnë filmat e tyre të mjerë
Nga Emin AZEMI
Zhvillimet e fundit në Bashkësinë e Fesë Islame në Shkup kanë nxjerrë në sipërfaqe edhe njëherë gjendjen komatike në të cilën ndodhet një pjesë e shoqërisë sonë, si pasojë e çrregullimit të balancit në mes të fesë dhe politikës. Asgjë të re s’do të thoshim nëse e përsërisim një qëndrim të të njohur se, çdo involvim i politikës në jetën fetare, është po aq i dëmshëm sa edhe involvimi i jetës fetare në politikë. Në rastin e fundit patëm një përpjekje të dështuar për një puç, me një involvim të dozuar të disa segmenteve të caktuara shtetërore (politike e gjyqësore).
BFI në historinë e vet ka kaluar nëpër turbulenca e zhvillime nga më dramatiket. Në vazhdimësi ka pasur përpjekje që ky institucion të futet nën sqetullat e qendrave vendimmarrëse politike. Me vet faktin se këto përpjekje kanë qenë gjithmonë aktive, ilustron më së miri një dukuri për të cilën politika refuzon të flet hapur. Në radhë të parë, ka ekzistuar një interesim i vazhdueshëm që ndikimi politik i partive të shtrihet edhe në radhët e besimtarëve, në mënyrë që ky ndikim pastaj të përkthehet në votë. Në anën tjetër, vetë kreu i BFI-së herë pas herë ka koketuar me lidershipin e njërës apo partisë tjetër, dhe kjo ka shkaktuar pastaj një marrëdhënie problematike, në momente e periudha të caktuara, ku gjithsesi më të humbur kanë dalur besimtarët e devotshëm, të cilët asnjëherë nuk kanë qenë ithtarë fanatik të ndonjë opsioni politik. Për rrjedhojë, ata kanë dalur të keqpërdorur e të manipuluar.
Në gjithë këtë planimetri zhvillimesh, shteti ka bë sehir, ose është bërë sikur nuk po i intereson çka po ndodhë në BFI. Fatkeqësisht, ky rol i shtetit ka krijuar hapësirë për veprime anarkike që herë pas herë kanë tentuar të dëmtojnë imazhin e këtij institucioni fetar.
Për një pjesë të madhe të besimtarëve të sinqertë, janë të pakonceptueshme veprimet e fundit, sidomos përpjekjet që në mënyrë klandestine të merret drejtimi i BFI-së. Përdorimi i gjykatave për qëllime bizare, duke i ushqyer ato me materiale të rreme dhe të falsifikuara, flet për një gjendje kaotike në sistemin e drejtësisë në vend. Ky sistem që në vazhdimësi prodhon drejtësi selektive, herët a vonë duhet të jetë objekt reformash të thella, pa të cilat ne nuk mund të afrohemi as te paradhomat e BE-së.
Retorika e ashpër e kreut të BFI-së në adresë të strukturave të caktuara shtetërore dhe taktikat tinëzare të shtetit për të disiplinuar drejtuesit e BFI-së përmes shantazheve e veprimeve joparimore, duhet të marrin fund dhe të hapet një kapitull i ri në bashkëpunimin institucional në mes të BFI-së dhe shtetit. Në radhë të parë, vetë BFI duhet t’i përmbahet frymës transparente të punës së organeve brenda saj, përfshi edhe veprimtarinë financiare, dhe në anën tjetër – shteti të mos përdor kuaj të Trojës për të goditur këtë institucion kaq vital për një pjesë të madhe të popullatës në këtë shtet. Hapësirë për punë të mira e të përbashkëta ka sa të duash, vetëm nevojitet një vullnet dhe gatishmëri që kontributi i gjithsecilit të jetë në favor të zhvillimit normal të shoqërisë sonë. Institucionet fetare mund të jenë një aleat i fortë i betejave kundër dukurive asociale e devijante në shoqëri. Nëse institucionet fetare shikohen vetëm si qendra prej ku mund të rekrutohen votues që do të mbështesnin njërën apo partinë tjetër, atëherë misioni bazik i këtyre institucioneve deformohet, dhe ato shumë lehtë mund të shndërrohen në shesh ku horrat e ngjyrave të ndryshme mund t’i xhirojnë filmat e tyre të mjerë. (koha.mk)