Paragjykimet dhe etiketimet janë prezente në shoqëri dhe shpesh përballja ndaj tyre jo gjithmonë është e thjeshtë. Dhe e dini, habitesh më shumë kur përballesh me to në mënyrë më të papritur. Beyonce dhe Jaz Z më bënë të mendoj për gjithë sagën e tyre dhe zezakëve dhe dëshirën për arritje dhe vlerësim. Futbollistët Xhaka e Shaqiri më bënë të mendoj se si shqiponja në Ballkan përjetohet si kërcënim nga disa dhe jo simbol i esencës së qenies shqiptare. Kurse reklama e birrës që ka në fokus të ndryshmen me bëri të mendoj se sërish kërkimi i secilit pa dallim ndryshueshmërisë që ka, për barazi e respekt është konstant
Nga Nazim RASHIDI
Të qenurit në media dhe pranë saj, produktet mediatike mbase më tërheqin por dhe analiza mbi to mund të mos jetë tipike. Dhe dua të flas sot për tre produkte dhe fenomene që i shoh në media e që në të gjitha rastet edhe pse s’kanë asgjë me njëra-tjetrën i lidh fuqishëm sensi i përkatësisë ndonëse për arsye të ndryshme por që përshkruan shumë natyrën njerëzore, qoftë të autorëve qoftë të protagonistëve, por që ne na bën të kuptojmë veten dhe të tjerët më mirë.
BEYONCE DHE JAY Z
Prej ditësh ka dalë në qarkullim kënga e re e një prej çifteve më me influencë në muzikën botërore, Beyonce dhe Jay Z ose siç njihen së bashku The Carters. Kënga e tyre “Ape**t” për veç se është xhiruar në një prej muzeve më të njohur në botë, në Luvër në Paris, gjë që nuk bën vaki shpesh, ose thuajse asnjëherë. Gjithashtu shfaq vepra të njohura të artit botëror, por të vëna në një kontekst të fuqishëm politik, racor dhe personal.
Praktikisht video, por edhe teksti i këngës ka mesazhe të fuqishme që tenton të vë në fokus çështjet e barazisë raciale, vlerësimin personal të artistëve si simbol të respektit global ndaj të zinjve por edhe referime direkte me përplasjet raciale të përditshmërisë aktuale politike amerikane.
Video ka më shumë detaje me mesazhe përtej artistike. Të parën që do theksoja është kur çifti por edhe vetë Beyonce këndon e kërcen para perëndeshës Nike, perëndeshës së fitores sipas mitologjisë greke. Çifti Carters por dhe vetë Beyonce duan të thonë se janë fitimtarë, se kanë fituar pas aq shumë dhimbjesh kolektive e personale, por edhe se ajo vetë është perëndeshë.
Skena tjera të videos lidhen me momentin kur Napoleoni shpallet mbret. Piktura impozante është me përmasa të mëdha dhe çifti përpiqet të tregojë madhështinë e tyre, por dhe racës së tyre në kontekst historik. Apo dhe momenti kur dy artistët qëndrojnë para Mona Lizës së famshme, në fillim dhe në fund të videos, por dhe me detajin ku para pikturës së famshme, një vajzë ia kreh flokët kaçurrelë një djali, që të dy me ngjyrë. Të gjitha skenat tentojnë të thonë se edhe e “zeza” është art se edhe e “zeza” mund të konsiderohet art i sofistikuar, tashmë. Teksti ka dhe reagime si personale ashtu dhe të përditshmërisë politike amerikane, por ajo që video dhe kënga bën, për mua, është një shprehje e fuqishme e gjithë asaj ngarkese sociale që çifti i njohur muzikor ka personalisht por dhe si pjesë e shoqërisë nga ku vjen, e që është zezakët e Amerikës.
Suksesi i Beyonce dhe Jay Z është aq i madh sa edhe pasuria e tyre mund të numërohet me miliarda dollarë (besoj), por asgjë s’ka arritur të shkëpusë origjinën e tyre dhe të njerëzve të tyre. Shqetësimet dhe vuajtjet historike dhe në të tashmen, dëshirën e madhe të tregojnë me forcë dhe me agresivitet, racën, kush janë por mbi të gjitha dhe krenarinë për ata çka janë dhe çfarë kanë arritur shndërrohet në mision.
E fuqishme është kjo ndjenjë. Dikush mund ta marrë gjithë këtë video si një arrogancë apo dhe kompleks, por gjithashtu është nevojë, që vjen e rrjedh natyrshëm në venat e tyre për të treguar krenarinë. Një ndjenjë aq njerëzore, si të gjithë ne, si të gjithë pa dallim race, etnie e feje. Sepse të fuqishme janë këto rrënjët tona të cilat për një arsye ose tjetër i respektojmë dhe i duam.
XHAKA E SHAQIRI
Jo me një sofistikim arti, por me një sofistikim super sportiv, të njëjtën ndjesi dhe kënaqësi përjetuan ata, por dhe gjithë të tjerët që i ndjenë, kur Xhaka dhe Shaqiri dhanë golat.
E dimë gjithë historinë dhe histerinë e krijuar se si djemtë shqiptar të kombëtares zvicerane reaguan kur shënuan golat ndaj Serbisë. Por, edhe ata si Beyonce dhe Jay Z i lidh i njëjti pasion dhe dashuri e madhe për përkatësinë e tyre, për historinë e tyre, për jetën dhe suksesin e tyre. Video e artistëve amerikan me ngjyrë është një ulërimë dhe dëshmi për të kaluarën dhe respekt për arritjen. Shqiponja e djemve është e njëjta, një emocion dhe krenari që lidhet me gjithë historinë personale dhe kolektive. Shndërrohet pa dashur në mision dëshira për të treguar krenarinë.
Çifti Carters ka pasur një ekip të tërë të mendojë e dërgojë mesazhet me detaje të kuruara deri në perfeksion, kurse perfeksioni i djemve ishte rastësia dhe dëshira për fitore. Perëndia e tyre nuk ishte Nike në momentet e golave, por shqiponja që iu fali krahët e krenarisë. Sado të pa krahasueshme të duken këto dy momente që po analizoj sërish i lidh dëshira për të shfaqur origjinën me krenari dhe në asnjë mënyrë si shpërthim agresioni ndaj të tjerëve. E gjitha ka të bëjë me veten, me respektin e vuajtjes personale dhe kolektive dhe arritjes së madhe.
Shqiponja nuk është një simbol i krijuar për inat të të tjerëve, është simboli, Perëndi e asaj që ne jemi. Është krenaria me të cilën shfaqet dhe i përkulet edhe dhimbja edhe gëzimi shqiptar. Por, si mund të përshkruhet kjo ndjesi në mes të një loje futbolli kur asgjë s’ka të paramenduar sepse gjithçka në atë fushë karakterizohet nga pa parashikueshmëria.
Por edhe futbollistët edhe artistët shpesh mund të përballen me paragjykimin, më të lehtën karakteristikë njerëzore kur gjykohet tjetri. Ndërkohë po ky ves luftohet nga të gjitha anët. Madje edhe në reklama. Në mesin e debateve për shqiponjën, artin, mesazhet, të qëllimshme, rastësore, mirëkuptimet, keqkuptimet që ngjallën, më doli përpara një reklamë. Për birrë por kundër paragjykimeve.
BIRRA
Reklama si medie personalisht më është dukur gjithmonë interesante dhe hapësirë e jashtëzakonshme kreative. Ky element merr peshë kur porositësit me anë të saj nuk duan thjesht të shesin produktin që kanë, por paralelisht të përçojnë edhe mesazhe të tjera. Reklama e birrës kishte dhe kauzën “Pa paragjykime, pa etiketa”. Miku im, filozofi Artan Sadiku në një prezantim pak ditë më parë, për rolin e artit në shoqëri, thoshte se arti me format e ndryshme të shprehjes (pra edhe nëpër reklama) duhet të shokojë, por dhe të nxisë mendim dhe progresivitet.
Kur sheh reklamën e birrës në fjalë, që jo domosdoshmërisht ndjell etje, sërish nuk është se të le të qetë dhe nuk të shtyn për të reflektuar. Paragjykimet dhe etiketimet janë prezente në shoqëri dhe shpesh përballja ndaj tyre jo gjithmonë është e thjeshtë. Dhe e dini, habitesh më shumë kur përballesh me to në mënyrë më të papritur.
Beyonce dhe Jaz Z më bënë të mendoj për gjithë sagën e tyre dhe zezakëve dhe dëshirën për arritje dhe vlerësim. Futbollistët Xhaka e Shaqiri më bënë të mendoj se si shqiponja në Ballkan përjetohet si kërcënim nga disa dhe jo simbol i esencës së qenies shqiptare. Kurse reklama e birrës që ka në fokus të ndryshmen me bëri të mendoj se sërish kërkimi i secilit pa dallim ndryshueshmërisë që ka, për barazi e respekt është konstant. Kjo ndjesi do të shprehet në vazhdimësi, do të përforcohet sa herë shfaqet kërcënim dhe do të theksohet sa herë ka ndjesi mposhtjeje dhe urrejtje nga të tjerët. Kjo vlen për të gjithë dhe do të vijë në art, në sport qoftë dhe reklama sepse realizimi i njerëzve si individë apo në grup, barazia dhe respekti janë nevojë thelbësore njerëzore.
Prandaj me një birrë (nëse e pini), duke dëgjuar muzikë s’ka pse mos t’i kënaqesh shqiponjave të djemve, por gjithnjë me shprese se herës tjetër s’do lindin kaq keqkuptime, nga të gjithë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)