Një artist që nuk do shumë përshkrim është pikërisht Bexhet Jagodini, i cili edhe përkundër viteve që ecin – nuk di të ndalet. Ka sjellë shumë këngë të bukura që kanë mbetur në memorien e publikut shqiptarë. Ai vjen në një bisedë interesante për gazetën KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Çfarë je në gjendje të bësh me një mikrofon në dorë dhe me një publik përpara?
Është shumë me interes që me një mikrofon në dorë ti përgjigjesh një mase të tërë dhe të jesh në vijën e tyre të kënaqësisë shpirtërore. Nuk ka diskutim që është edhe obligative që te ajo masë patjetër duhet të rrezatoj energji pozitive emocionale. Nuk jam i qet asnjëherë nëse nuk shkoqis duartrokitje nga prezentatorët qofshin në aheng, koncert apo tv. Nuk është i suksesshëm manifestimi nëse të gjitha nuk janë në këmbë për të ndarë gëzimin në atë aheng. Kënga e bukur dhe interpretim i lezetshëm është ushqim i ndjenjave dhe kjo nuk më len rehat nëse unë nuk e arri, por gjithmonë me një “dozë të kursyer” me qëllim që të na kërkojnë edhe nesër. Këtë e argumentojnë numri i konsideruar i prenotimeve si edhe duartrokitjet në manifestimet e ndryshme ku prezantoja.
KOHA: Me çfarë do të doje ta sfidoje veten artistikisht e profesionalisht?
Sfidat në artin e këngës janë të llojllojshme dhe për ti arritur qëllimet artistike dhe profesionale me doemos duhet që të ballafaqohemi me ato. Ajo që e veçon këngën time është kënga burimorja e ruajtur, kultivuar dhe popullarizuar atë jashtë atarit gjeografik kërçovar. Ky thesar është shumë specifik, autokton dhe autentik në të gjitha trojet shqiptare më diafoni të theksuar dhe me ngjyra të gegërishtes dhe toskërishtes. Sfiduese do të më ishte nëse arri me mbështetje shoqërore e institucionale të arri që këtë pasuri kulturore ta ngris dhe ta dërgoj në UNESKO si trashëgimi kulturore botërore sikurse që është kënga toskërishte.
KOHA: Je mërzitur ndonjëherë duke kënduar?
Po, po është më se e vërtetë që jam mërzitur , por është edhe normale pasi këtu kemi të bëjmë me një fushë emocionale më plot të pranishëm. Kur vërej publikun që nuk është duke na përcjellë apo vallëzuar, kjo më bënë që ta pyes veten, ndoshta pika muzikore nuk është e qëlluar, nuk është për kuvend. Kjo për mua është brengosëse, nuk na jep komoditet, pasi momentet e ahengjeve për mua janë të shenjta dhe të rralla për familjarët.
KOHA: Si nis ideja e një kënge e më pas, e një klipi për ty?
I falënderoj thesarit të bujshëm të këngës burimore kërçovare, që fatmirësisht unë edhe kam mbledhur, për mua shërben si një fondament me plot ide për të sjellë gjithmonë para të pranishmëve dhe adhuruesve të mi këngë rrëqethëse dhe emotive. Kjo është vërtetë një investim tepër i rëndë por edhe profesional. Një numër i konsideruar i këngëve burimore nuk e kanë tekstin e kompletuar, vijën muzikore, ende nuk i dihet ritmika … me një shoshitje të thuktë vihet deri te ideja e saj për t’ia ruajtur bërthëmën. Por te unë janë të pranishme edhe këngët që jam autor i tyre. Ne jetojmë në këto midise gjeografike me plot sfida jetësore ku për mua janë një frymëzim për të krijuar shumë këngë nga ato lirike e deri te ato atdhetare. Për mua krahasuar me audio këngën realizimi i klipit paraqet një rrugë të trasuar ku nga teksti dhe melodia edhe realizohet, por kuptohet kjo kërkon kohë, punë, investim dhe profesionalizëm.
KOHA: Një këngë që nuk është për shijen tënde…
Të gjitha këngët e zhdrejta që bien ndesh me kriteret dhe rregullat e muzikës janë jo në disponimin tonë, por që tash nuk do të veçojmë ndonjë për moment.
KOHA: Si e konsideron veten në muzikë?
Unë jam këngëtar por në muzikë jam një punëtor i thjeshtë, pasi prezentatori ynë ka nevojë për argëtim, janë më se të nevojshme reflektimet e emocioneve nga këngëtari për të pranishmit , ka nevojë për relakse, e kjo arrihet vetëm me punë….
KOHA: Je dakord me muzikën që po bëhet në këto kohë, pak para nisjes së pandemisë?
Kënga paraqet element thelbësor të një etniteti. Nuk mohoj faktin që midis asaj muzike përplot me elemente të huaja ka edhe nga ato që janë shumë shqipe, Ajo që bien ndesh ëshëtë antivlera dhe absorbimi I muzikës së kiçit , pa fijen e elementit kombëtar shqiptar. Absolutisht nuk jemi dakord me servimin e muzikës së huaj e cila edhe fyen rëndë kulturën artistike shqiptare. Por këtu nuk është fajtor vetëm këngëtari, është edhe ai që i servohet kënga, institucioni etj .Kuptoj edhe situatën e sigurimit të ekzistencës të këngëtarit që servon këtë lloj antivlere. Thesari i gjerë i këngëve heterogjene shqipe jep mundësinë që kjo të arrihet edhe me këtë repertor të shenjtë e të çmuar. Ne kemi raste ku edhe në festivale botërore prezantohen këngëtar me këngë të bukura shqipe. Kësaj gjendje gjithsesi duhet që të gjendet modus në mënyrë që të evitohet nga manifestimet e ndryshme, të kuptohet se këto janë elemente të huaja, thjeshtë të tejkalohet.
KOHA: Kënga më me vlerë shpirtërore që ke realizuar deri më tani?
Janë të realizua mbi 100 këngë të mia, e ku një numër i tyre janë edhe hite në të gjitha trojet shqiptare ku edhe ato këngë janë pjesë e ahengjeve të ndryshme. Nuk e di cilën ta veçoj pasi për mua këngët që i kultivoj dhe krijoj mundohem që të gjitha të kenë vlerë shpirtërore si: “Molla Mollalije”, “I hypa pamporrit”, “Udhës së Shullanit”, “O bylbyl në kafaz t’argjent”, “Oj Xollufe boj”, “Elife”…
KOHA: Një gjë për të cilën ke qenë konfuze gjatë karrierës tënde muzikore…
Është vërtetë me interes që gjatë vjeljes apo krijimit të këngëve paraqitet ,thjeshtë paqartësi kur duhet të zgjedhësh midis vijave muzikore, orkestracioneve etj tjera për të ardhur deri te ajo që është adekuate. Kjo sjell vërtet konfuzitet që ne i themi nuk dimë kah t’ia mbajmë.
KOHA: Me çfarë e ke edukuar shpirtin?
Unë mundohem që gjithmonë të jem konsekuent, të jem parimor, durimtar, me shprehi pune e tjera, por për këtë më mire gjërat edhe flasin vetë,nuk e di më mirë më njeh rrethi, mos edhe e teproj.
KOHA: Nëpër cilën rrugë i ke hedhur hapat në muzikë?
Është një pyetje ku do të më duhet të elaboroj një aktivitet plot 50 vjeçar e kusur. Kam frikë që edhe mos e lodh lexuesin dhe të bie ndesh me parimet e mia. Kërçova paraqet një provincë ku për tu avancuar dhe për të arrit drejt piedestaleve të lakmuara të karrierës artistike ishte një rrugë shumë e rëndë dhe lodhshme, për shumë arsye, por me punë arrihet gjithçka. Unë jam i lindur me këngën dhe asnjëherë nuk mund ti jap përgjigje pyetjes se kur unë dola në skenë, pasi që kur mbajë mend unë vetëm në skenë jam. Isha në moshën 5-6 vjeç mbaj mend babai më bëri një çifteli e cila nuk tingëllonte ashtu si duhej, por nuk kishim ku të blejm , më vonë një fis-harmonikë ku këndoja në mesin e odave, ku edhe në moshën tetëvjeçare e kam një shirit në mesin e burrave, ku shpesh si solo këngëtar i vogël më shoqëronin instrumentist vendas.Disa vite më vonë formojmë një grup muzikor me bashkë vendasit e mijë i cili grup më vonë avancohet në SHKA “Zëri i Rinisë” i fshatit Sërbicë me këngëtar valltar e këngëtare si Atixhe Dikena. Shpesh ishim të ftuar edhe nga Radio Kërçova ku me grupin muzikor argëtonim drejt për drejt. Anëtar gati i të gjitha shoqërive kulturo artistike këtu në Kërçovë, por edhe si student i ShKA “Bajram Currit” në Prishtinë. Jam pjesëmarrës në shumë festivale dhe emisioneve radio televizive , do ta veçoj “7 Milion në 5 shtete” në RTSH, pjesëmarrës në shumë koncerte dhe manifestime ku jemi dekoruar me çmime e mirënjohje.
KOHA: Muzika është vetëm për veshin apo edhe për sytë?
Tash është koha ku në dorë e kemi tërë globin tokësor dhe që të dyja tash shkojnë bashkë, por realisht vizuiliteti duhet ta plotësoj auditiven dhe jo ti prijë asaj. Muzika paraqet ilaç për veshin e shpirtin, ajo vërtetë shëron shumë plagë, ku sot edhe jorastësisht përdoret edhe si terapi shëruese në disa qendra shëndetësore, prandaj më mire që ti kushtohet rëndësi të pares se sa të dytës.
KOHA: Në duart e kujt do ta lije me kënaqësi zërin tënd?
Do të ishte mirë kjo pyetje të më bëhej pas shumë vitesh pse jo pas dekadash, por juve ju faleminderit për vlerësimet. I takoj një zhanri interesant të burimit të këngës kërçovare me kthesa shumë autentike ku do të isha i lumtur që dikush edhe i absorbon. Këngët e mia rikëndohet apo riinçizohen nga shumë këngëtar, këtë dukuri unë e vërej që ajo lenë gjurmë, por dorën në zemër janë shumë zëra të ëmbël nga gjeneratat e reja ku kam bindjen që zëri im edhe do të ketë influencë në teknikat e tyre të këndimit, gjë që shumë do të ju isha atyre mirënjohës.
KOHA: Një kujtim i ëmbël fëmijërie…
E di që nuk do të ju besohet, në moshën 8-9 vjeç më bleu babai një fis-harmonikë, dhe asaj kohe nuk kisha kujt ti drejtohem për të më dhënë ndihmë, sugjerime e këshilla që unë ta zotëroj atë, mësoja mekanikisht problematike skam sqarim. Një ditë i hipur mbi arkën e nënës që ruante teshat dhe i kthyer me kokën nga qielli dhe me fis-harmonikën në duar, dikush më urdhëroi duke më thënë “O Bexhet shih duke shkuar me gishtërinjtë teposhtë zëri tëhollohet dhe duke shkuar lart ai trashet”, po kuptova pasi me të vërtetë tastieri i fis-harmonikës qëndron vertikalisht, e kuptova – eureka – që nga ai moment nuk kisha problem në instrument qoftë në harmonikë, çifteli, sharki, violinë etj.