Në kuadër të këtyre takimeve krijoheshin treshet, të cilët betoheshin para stafit udhëheqës të ONDSH-së. Teksti i betimit ishte me sa më poshtë vijon: “Betohem në Kuran, në flamurin kombëtar dhe në armë, se do të punoj me besnikëri e vetësakrificë me çmim të jetës, për kombin shqiptar dhe për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare në Shqipërinë etnike”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Organizata e NDSH-së, menjëherë pas formimit të saj, filloi misionin e vet të shenjtë, i cili përmbante disa pika:
- a) Lidhja sa ma e shpejtë me organizatat simotra në Kosovë dhe Shqipëri;
- b) Propagandimi dhe zgjerimi i organizatës në trevat shqiptare të Maqedonisë;
- c) Lidhja e organizatës me forcat e armatosura shqiptare që vepronin në këto hapësira;
ç) Inkuadrimi i intelektualëve dhe nacionalistëve progresivë shqiptarë në organizatë;
- d) Inkuadrimi i anëtarëve të NDSH-së në administratën shtetërore në të gjitha nivelet sidomos në arsim, armatë dhe polici;
- dh) Zhvillimi i një fushate në popullatën shqiptare, e cila do t’i përkushtohet arsimimit shqiptar etj..
Periudha kur ja filluan punës ilegale atdhetarët shqiptarë, ishte më e errëta e pasluftës së Dytë Botërore, kur pushteti “popullor” maqedonas, kryente reprezalje ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare duke vrarë, burgosur, pastaj duke kryer mobilizime të dhunshme në ushtri, konfiskim të pasurisë, dërgimin nëpër llogore të përqendrimit, procese të montuara, etj. Të gjitha këta bëheshin në emër të parullës së mirënjohur komuniste të “vëllazërim-bashkimit”.
Anëtarësimi në ONDSH-ë, bëhej në kontakte individuale, për të cilët udhëheqësit e NDSH-së mendonin se mund të pranonin të ishin anëtarë dhe në mënyrë aktive të punonin për realizimin e programit të saj. Në kuadër të këtyre takimeve krijoheshin treshet, të cilët betoheshin para stafit udhëheqës të ONDSH-së. Teksti i betimit ishte me sa më poshtë vijon: “Betohem në Kuran, në flamurin kombëtar dhe në armë, se do të punoj me besnikëri e vetësakrificë me çmim të jetës, për kombin shqiptar dhe për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare në Shqipërinë etnike”.
KUR PRINTE AZEM MARANA, MAHMUT DUMANI…
Gjatë vitit 1945, krahas K.Q të NDSH-së formohen edhe Komiteti i NDSH-së për rajonin e Tetovës, Komiteti i NDSH-së i Dibrës dhe Komiteti i NDSH-së për rajonin e Kumanovës. Fillimi i vitit 1946, do të sjellë një freski në hapësirën politike të K.Q. të NDSH-së. Gjithsesi, meritë për këtë do të kenë anëtarët e organizatës nga Shkupi që i prinin Azem Marana, Mahmut Dumani, Qemal Skënderi dhe Hasan Bilalli, por edhe veprimtarët tjerë të organizatës që vepronin në tërë trevat shqiptare, intelektualë dhe nacionalistë të njohur shqiptarë si: Gjon Sereçi, Halim Orana, Kapiden Hysni Rudi, Mehmed Bushi, Hamdi Berisha, Osman Cami, Qeram Zllatku, Medat Tërshana, Mehdi Ndreu, Jonuz Balla, Ajet Gërguri, Sefedin Shabani, Mulla Haki Taibi e shumë e shumë të tjerë. Falë punës së palodhshme të këtyre veprimtarëve, K.Q. i NDSH-së arriti t’i ketë pas veti rreth 30 mijë shqiptarë, të gatshëm për t’u hedhur në luftë të armatosur për çlirimin e tokave shqiptare nga pushtuesi jugosllav.
Në fillim të muajit prill 1946, në Shkup vjen Gjon Sereçi, i cili mbajti një takim të rëndësishme me Azem Maranën dhe Hasan Bilallin. Gjatë bisedës së zhvilluar kanë rënë dakord që të bëhet riorganizimi i NDSH-së, përkatësisht “themelimi i komiteteve komunale dhe regjionale”. Ndër vendimet tjera duhet veçuar edhe krijimin e çetave ushtarake, të cilat do të funksiononin në kuadër të komiteteve regjionale etj.
Dy tre ditë pas takimit me profesor Gjonin, Azem Marana u takua edhe me një figurë tjetër të rëndësishme shqiptare, ushtarakun matjan, Mehmet Bushi, i cili asaj kohe jetonte në Tetovë. Në takimin ku mori pjesë edhe Hasan Bilalli, Bushi ka kërkuar nga dy bashkëbiseduesit që të punohet, në atë mënyrë që “të gjitha krahinat të cilët së paku 60% përbëhen nga shqiptarët” duhej t’i çliroheshin e të bashkoheshin me Shqipërinë. Në vazhdim, dy bashkëbiseduesit i njoftoi se gjatë qëndrimit të paradokohshëm të tij në Zagreb, ishte informuar se kroatët punonin për “Kroaci të pavarur”, ndërsa serbët për kthimin e Jugosllavisë së vjetër, prandaj, shprehet Bushi: “ne duhet të punojmë për çlirimin e të gjitha trojeve dhe bashkangjitjen e tyre me Shqipërinë…”. Lidhur me këtë, ai mori për obligim të udhëtoj për Tetovë, Gostivar e Dibër, për ta hulumtuar situatën se a mund të punohet në këtë drejtim. Në fund u vendos që lidhjet e mëtutjeshme të tij me komitetin e Shkupit do të mbaheshin përmes Qemal Skënderi.
Menjëherë pas këtyre dy takimeve, Azem Marana konvokoi mbledhje të jashtëzakonshme të organizatës, ku përveç tij morën pjesë edhe Hasan Bilalli, Qemal Skënderi dhe Mexhit Zyberi, në të cilën u soll vendimi për krijimin e komiteteve komunale dhe regjionale.
QËNDRIMI I HALIM ORANËS NË SHKUP DHE NË DIBËR TË MADHE
Një aktivitet të bujshëm politik udhjëheqja e NDSH-së e zhvilloi edhe gjatë muajit maj të vitit 1946. Ky aktivitet erdhi si rrjedhojë e ardhjes së Halim Oranës në Shkup dhe takimin e tij me Azem Maranën, Hysni Rudin dhe Qemal Skënderin. Nuk kemi ndonjë datë të saktë për ardhjen e tij, mirëpo nga deklaratat e dala gjatë procesit të hetuesisë kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSh-së, del se Orana në Shkup erdhi disa ditë para Shën Gjergjit (fillimi i muajit maj). Në bisedimet e zhvilluara, ndër të tjerave është vendosur që më 1 qershor 1946 në Shkup të mbahet kongresi i II (IV) i NDSH-së, në të cilin do të ftohen delegatë nga të gjitha qendrat më të mëdha shqiptare. Në të do të merren disa vendime me rëndësi si: formimi i Komitetit Qendror, hartimi i Programit politik si dhe i Shemës së organizatës etj..
Nga burimet e njëjta informohemi se menjëherë pas këtyre takimeve, Azem Marana, në emër të udhëheqjes qendrore të NDSh-së në Shkup, lëshoi një letër qarkore deri te komitetet “epruere” dhe vendore, përmbajtja e së cilës ishte me sa vijon: “Në gjysmën e këtij muaji do të takohen ministrat e Jashtëm të shteteve të mëdha. Në këtë mbledhje do të lindin ngjarjet me karakter jetik. Mirëpo, çfarëdo që të ndodhë, për ne do të jetë shansi i parë në luftën për liri. Për këtë shkak është i nevojshëm regjistrimi i armëve dhe inkuadrimi i personave të aftë, si dhe të formohen komitetet atje ku nuk ka. Na ktheni përgjigje”.
Ndërkohë, Halim Orana udhëtoi për në Dibër të Madhe, ku qëndroi disa ditë te Dr. Qerim Zllatku, me të cilin njihej që në kohën u Luftës së Dytë Botërore, kur që të dy ishin student në Universitetin e Zagrebit. Në procesin e hetuesisë të zhvilluar më 17 shtator 1946, Zllatku veç tjerash bënë një përshkrim të hollësishëm rreth miqësisë së tij me Oranën, ku thekson shptrehimisht: “…Me Halim Oranën njihem një kohë të gjatë. Ai gjithashtu ishte student, me të u njoftova në mbarim të vitit 1941 në Zagreb. Gjithashtu më është e njohur se gjatë periudhës së zotërimit italian në Shqipëri, Halim Orana politikisht ka qenë pasiv. Kuptohet se nëse mua nuk më është e njohur, përndryshe e kam të njohur se nga ana e SIM-it /shërbimi informativ italian/ një herë ka qenë i burgosur. Pas një periudhe të gjatë, pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Shqipëri filloi një lëvizje politike përgjithësisht e njohur kur nga ana e grupimeve të ndryshme politike vinin në pushtet dhe zëvendësoheshin dhe në atë periudhë kohore unë vërejta se Halim Orana filloi publikisht të merret me jetën shoqërore-politike. Orientimi i tij politik ishte në lidhje të drejtpërdrejt me themeluesin e Lëvizjes së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashërin, e përveç kësaj, Halim Orana në periudhën e okupacionit në vitin 1944, falë aktivitetit të tij, Qeveria shqiptare duke e konsideruar si njeriun e tyre i cili do të mund ta kryej detyrën me nder e emërtojnë si përfaqësues zyrtar, përkatësisht, konsull i qeverisë shqiptare në Zagreb gjatë vitit 1944…”. (vijon nesër)