Romela Begaj është e bindur se nuk ka përdorur substanca të ndaluara në Kampionatin Botëror të zhvilluar në dhjetor të vitit të kaluar në SHBA. Peshëngritësja shqiptare u shpall Kampione Bote por më pas rezultoi me doping. Pas testit A u prit dhe përgjigja e testit B për të marrë dhe reagimin e parë zyrtar të peshëngritëses shqiptare. Këtë të premte ajo ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka treguar para gazetarëve dhe opinionit publik se nuk ka përdorur doping. Romela Begaj është betuar mbi Kuran (libri i shenjtë i besimit musliman) duke u betuar gjithashtu për njerëzit më të shtrenjtë dhe flamurin shqiptar se është e pastër.
“Jemi vend i botës së tretë, më vjen keq që kam lindur në një vend që shtet nuk ka, për një moment isha krenaria, sot në shi jam harruar e nuk jam më, ndaj unë punën time e bëra, medaljet Shqipërisë ia solla, kam harxhuar rininë që nuk blihet me lekë. Kurani është gjëja më e shtrenjtë që unë kam. Duart e mia kurrë nuk e kanë prekur atë lloj substance dhe prandaj betohem në Kuran.”-është shprehur Romela Begaj.
Më tej ajo është shprehur se për këtë flamur dhe për të nderuar Shqipërinë ka sakrifikuar gjithçka dhe se medaljet i ka marrë me gjak.
“Deri në ditën e fundit betohem para Kuranit, flamurit, popullit tim dhe i vë duart mbi këto gjera më të shtrenjta që kam, kam një emër Romela Begaj. Gjaku im është i pastër si Zoti më ka krijuar, betohem për Kuranin dhe dy njerëzit më të shtrenjtë që kam në jetë se këto medalje i kam marrë me gjak, me bukë e pa bukë, kam sakrifikuar dhe gjithë sakrifica e familjes sime është kjo që kam”- ka thënë Begaj në daljen e saj të parë para mediave që prej daljes së përgjigjeve të testit A të analizave antidoping. j
Çfarë ka ndodhur sipas jush?
-Unë kam marrë medaljen dhe kam mundur botën e parë, kjo ka ndodhur. Jam e gatshme të provohem. Është e turpshme për mua të përflitem për diçka të tillë. Jam e gatshme për çdokënd që të më testojë.
Se ka mundësi që keni rezultuar pozitive në të dyja testet?
-Sepse jemi bota e tretë. Na duhet ndihmë, sepse në asnjë vend nuk hidhet sportisti si këtu.
A keni pasur mbështetje nga shteti shqiptar?
-Mbështetje nuk ka pasur sepse nuk do të shkonte gjendja deri këtu. Po të isha amerikane do ta kisha medaljen në qafë.