(Dedikuar sakrificës së vajzës malësore për të mbrojtur “nderin” e familjes, bazuar në një rrëfim të një burrëneshe kosovare)
Nga Erëza LAJQI
Është në të shtatëdhjetat, këtë e tregojnë më së miri flokët e thinjura dhe rrudhat që i kanë mbuluar çdo cep të fytyrës. Ka lindur në një familje malësoresh, në një kohë kur lindja e një vajze konsiderohej jo shumë e mirëpritur. Historia e saj është trishtuese dhe prekëse, mbase e pa besueshme për gjeneratat e reja që tani jetojnë në një kohë krejtësisht tjetër nga ajo e saj, në një botë të lirë ku vajza gëzon të paktën një të drejtë që ajo se gëzoi kurrë.
Gjithçka filloi pesëdhjetë vite më parë, në kohën e egër të ligjeve të Kanunit. E rëndë për të ishte tradita e pamëshirshme për të bërë një jetë pa dëshirën e saj. Në odën e burrave, nën dritat e kandilave, ku tymi i duhanit kishte mjegulluar trurin njerëzor, po thurej fati i një vajze të re. Donin ta fejonin për një njeri shumë më të moshuar. Askush nuk e pyeste atë të gjorën që trupin e kishte rritur maleve, e lirë, duke pirë ujin e krojeve të kthjellëta, duke pushuar nën hijen e pishave ku mrizonte tufa qengjave, e duke dëgjuar fyellin e bariut që i ngjallte dashurinë rinore. Ajo, në të njëzetat e saj, frymonte e lirë, nën hijeshinë e Alpeve tona ku po aty mendja e saj ëndërronte të takonte një zemër djaloshare me të cilin do te thurte ëndrrat e jetës. Në odën plot tym ato ëndrra po mbyteshin.
Sapo e kuptoi se çka po zhvillohej në odën e burrave, bëri të hynte brenda por i mungonte guximi.
– Mos!- i tha nëna, çika nuk guxon me hy në odë të burrave se nuk asht zakon.
Bota e saj po rrokullisej, ëndrrat po i shembeshin dhe melodia e fyellit baritor po shteronte. Edhe pse i kishte menduar të gjitha pasojat dhe e kishte ditur se sa i ashpër e ndëshkues është ligji i maleve, ajo kishte vendosur, nuk do ta lejonte, nuk donte dhe me vrap shtyu derën e odës dhe bërtiti:
– Nuk dua të martohem me këtë njeri, nuk pranoj. Përnjëherë, shumë shikime të zemëruara ju përplasën në fytyrë dhe ajo tashmë rrëzoi murin e fortë të kanunit që po ja shuante ëndrrat.
Të gjithë ju vërsulen mu si ato bishat e egra kur ndeshën me gjahun dhe shumë të rëndë ia shihte fundin kësaj pune. “Do të vishesh në pantallona sepse në ato kohë ishin pantallonat simbol i burrërisë përndryshe na e ke borxh një gjak”, i kishin thënë ata. Për të mos sakrifikuar familjen, ajo zgjodhi të sakrifikonte të ardhmen e saj. Që nga ajo natë, u betua të mos martohej asnjëherë dhe i dha vetës detyrë të sillej si burrë, e veshur si burrë, filloi ta mbysë brendësinë e saj femërore. Nga shpirti i njomë i një gruaje, filloi te kthehej në një burrë malësor, të egër dhe sundimtar.
Ajo harroi ndejat me çika dhe gjatë gjithë kohës ishte me meshkuj, në dasma e në morte. Flokët e gjatë e të zinj që dikur butësisht ia ledhatonte era, i shkurtonte dhe kokën e mbështillte me shallin e zi, ndizte cigaren dhe në odë pleqnonte tamam si një burrë. U bë krah i vëllezërve në punët e rënda te pyllit. Ajo jeton edhe sot, me supet mbi të cilat iu ngarkuan trishtime e dhimbje, jeton me plagën e hapur që e fshehu për kaq vite, është trupi i një gruaje i mbështjellur me rroba burri. Sipas ligjeve kanunore, refuzimi i martesës nga ana e vajzës ndëshkohej ashpër dhe ajo nuk guxonte të martohej në një vend tjetër sepse martesa në këtë rast mund të sillte hakmarrjen me vrasje ( duhej të paguhej me gjak). (kultplus)