Delvina KËRLUKU
Në opinionin e gjerë avokatja Artene Ademi Iseini u bë e njohur si avokate mbrojtëse e anëtarëve të grupit të Kumanovës, të cilët kryesisht janë banorë të Republikës së Kosovës. Pikërisht nga ky shtet vjen edhe Artene Ademi Iseini, e cila studimet e jurisprudencës i kreu në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Juridik. Artene Ademi Iseini është anëtare e Dhomës së Avokatëve të Republikës së Maqedonisë dhe ushtron profesionin e avokatit në qytetin e Shkupit, ku dhe aktualisht jeton. Është e martuar në qytetin e Gostivarit.
KOHA: Zonja Artene, ju jeni një juriste që jepni ndihmë e këshilla për çështje të drejtësisë?
ISEINI: Po. Në rrafshin akademik jam juriste e diplomuar, kam mbaruar studimet e magjistraturës dhe jam në përfundim të punimit shkencor mbi reformën e Kodit të procedurës penal në Zvicër dhe Maqedoni. Kurse në rrafshin profesional jam avokate e licencuar në Maqedoni. Në Shkup, në Qendrën tregtare Mavrovasja kam zyrën time të avokatisë ku ofroj konsulta, përfaqësim dhe mbrojtje juridike në çështje penale dhe civile. Njëkohësisht Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Zvicerane ka nostrifikuar diplomën time në Zvicër dhe unë mund të angazhohem si juriste e diplomuar edhe pranë gjitha institucioneve në Zvicër.
KOHA: Në cilësinë e avokatit ndiqni çështje dhe konteste në gjykatat penale dhe civile, si mbrojtëse ose përfaqësuese juridike. Cilën çështje gjyqësore do ta veçonit si ngjarjen më të jashtëzakonshme?
ISEINI: Puna e avokatit si e tillë është e jashtëzakonshme. Duke nisur nga çështjet pronësore juridike, pastaj ato nga kriminaliteti deri te shkurorëzimet, janë raste që kanë specifikat e veta. Procedurat mbi denacionalizimin na sfiduan neve avokatëve. Në zyrën time më vinin njerëz në moshë me tapi të Perandorisë osmane, ku konfirmonin posedimin e parcelave më atraktive në Shkup dhe gjithandej në Maqedoni. Vinin edhe shumë të rinj që me sukses kishin hulumtuar gjenealogjinë familjare për të treguar se janë trashëgimtarë të pronarëve të tokave që kanë migruar në vitet e brishta të zullumit komunist. Pjesërisht e fituam këtë betejë, por një pjesë e madhe e pronave ishte tjetërsuar aq mirë nga uzurpatorë shtetëror ose privat, sa që kthimi i pronës te pronarët legjitimi ishte juridikisht e pamundur.
KOHA: Po nga kriminaliteti. Cila çështje ka qenë më ‘mbresëlënëse’?
ISEINI: Mbajtja e kobures, alltisë ose manzerkës në shtëpinë shqiptare është amanet nga stërgjyshërit. Nga që gjithmonë kemi qenë të rrethuar nga fqinjë armiq dhe gjatë historisë shqiptarët janë sulmuar në befasi. Pra, është bërë traditë mbajtja e armëve të zjarrit në familje. Në mungesë të shtetit dhe të pushtetit, legalizimi i armëve sidomos te shqiptarët ka qenë i pamundur në këto hapësira. Pasiguria dhe rreziku permanent ndaj familjes shqiptare e ka bërë të domosdoshme armëmbajtjen. Përfundimi i konfliktit te armatosur në Maqedoni me një marrëveshje paqësore dhe dorëzimi vullnetar i armëve të zjarrit për fat të keq la hapësirë kriminalizimi. Ata që edhe me tutje vazhduan të mbajnë armë pa leje në shtëpi, u ballafaquan me procese penale. Diversiteti dhe jokompatibiliteti i vendimeve gjyqësore të gjykatave në Maqedoni vështirësuan mbrojtjen dhe unë si avokate isha e lumtur nëse nxjerr vendim – dënim me kusht- për klientët. Mbrojtja ndërtohej me arsyetime se armatimi i gjetur nga forcat e sigurisë kishte ngelur nga konflikti i vitit 2001. Edhe divorci apo shkurorëzimi nuk e humb aktualitetin e vet. Ajo më prekësja në këtë procedurë është e drejta mbi fëmijët dhe përkujdesja ndaj tyre. Gjendja e vështirë ekonomike shtynë shumë çifte të bëjnë divorce fiktive.
KOHA: Ju ndërtoni mbrojtjen mbi argumentet e klientëve tuaj, që pretendojnë të jenë të pafajshëm dhe gjithmonë të kenë të drejtë. Për të njëjtën çështje organet e sigurisë dhe prokuroria ngrenë akuza dhe pohojnë të kundërtën. Na tregoni pak si mbrohet e drejta, respektivisht e padrejta?!
ISEINI: Për fat të mirë unë nuk jam as e para dhe as e fundit që marrë si detyrë të ndërtoj mbrojtje juridike për klientë, ndaj të cilëve ngrihen akuza të bazuara ose jo në fakte. Unë udhëhiqem nga parimet e humanitetit të mbështetura në kushtetutë dhe ligj. Parimi i prezumcionit të pafajësisë është i garantuar me ligj. Derisa nuk kemi një vendim gjykate të plotfuqishëm, çdo i akuzuar është i pafajshëm. Pasi klienti ose ndonjë i afërt nënshkruan autorizimin, zyra ime vendos kontakt me prokurorinë, gjegjësisht me institucionin përkatës. Kërkojmë vështrim në lëndë dhe nisim grumbullimin e fakteve, bëjmë analizimin e tyre, shqyrtojmë gjitha rrethanat lehtësuese që janë në dobi të klientit dhe vijmë deri në konkluzione që çojnë në zbardhjen e çështjeve. Nëse prokuroria pas hetimit te rastit ngrit aktakuze të qëndrueshme të cilën e dëshmon me prova të pakontestueshme, atëherë ne si mbrojtje nuk na mbetet tjetër, përveç që të hulumtojmë rrethanat lehtësuese të parapara me ligj, me synim të zbutjes së dënimit dhe mundësisë që pas vuajtjes së dënimit të bëhet risocializimi i të dënuarit. Dënimi është masë ndëshkuese me qëllim arritjen e risocializimit dhe kthimin e një të dënuari në shoqëri me shpresë të mos jetë recidiv.
KOHA: Zonja avokate, në Maqedoni zhvillohen disa procese me ekskluzivitet në opinion. Disa kanë një pompozitet dhe jehonë të lartë në mas-mediume. Opinioni këtu në Maqedoni, në Ballkan dhe në Uninioni Evropian, sidomos përfaqësitë e huaja diplomatike kanë ndjekur me vëmendje ‘statement-et’ dhe prononcimet e Juaja për rastin në lidhje me ngjarjet e 09 – 10 maj të vitit 2015, në Lagjen e trimave në Kumanovë. Procesi gjyqësor ka shumë paqartësi dhe mbeten shumë dilema. Na tregoni si e shihni ju?
ISEINI: Mua si avokate e disa prej të akuzuarve në procesin gjyqësorë në opinion, i njohur si ‘Rasti i Kumanovës’ me ligj nuk më lejohet, që derisa nuk ka mbaruar gjykimi të flasë për çështje që eventualisht mund ta dëmtojnë strategjinë e mbrojtjes dhe procesin. Sidoqoftë, rasti Kumanova është sui generis. Është fakt se nga ato ngjarje humbën jetën 18 njerëz, u plagosën mbi 40 dhe u burgosën 29 të tjerë. Këtij procesi iu bashkëngjitën edhe 8 persona tjerë me akuzë që kanë ofruar logjistikë. Juridiksioni në Maqedoni nuk njeh rast tjetër me këto përmasa. Rasti i Kumanovës, si i tillë, sfidon gjitha strukturat e sigurisë dhe të drejtësisë në Maqedoni. Unë e shohë edhe si test për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Maqedoni. Këtu sfidohemi ne si avokat, kapacitetet demokratike juridiko-etatore, resurset dhe profesionaliteti i ministrive përkatëse, atë të Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë, partitë politike dhe gjithë shoqëria demokratike me orientim drejt integrimeve në Unionin Evropian dhe NATO.
KOHA: Ju disa herë keni denoncuar për shkeljen e të drejtave dhe ushtrimin e dhunës ndaj të burgosurve, mos respektimin e procedurës penale dhe …, në fakt dështimin e shtetit juridik, ku edhe keni gjetur mbështetje nga Avokati i Popullit, por na thoni çfarë lidhje kanë këtu partitë politike?
ISEINI: Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua, atëherë, nga katër partitë politike më relevante në shtet, nga VMRO-DPMNE, me në krye Lubço Georgievski; PPD – Imer Imeri; LSDM – Branko Cërvenkovski dhe PDSH – Arbën Xhaferi, e mbështetur dhe garantuar nga EU dhe NATO. Dy partitë shqiptare, PPD dhe PDSH, paraprakisht nënshkruan Marrëveshjen e Prizrenit me përfaqësuesin e UÇK – së – Ali Ahmetin, me çka siguruan përkrahjen e faktorit më determinues të ndryshimeve kushtetuese, që pasuan në legjislacionet e ardhshme në Kuvendin e Maqedonisë. Partitë politike janë ata që përbëjnë pushtetin dhe drejtojnë shtetin. Nga këtu del edhe përgjegjësia e tyre si bartës dhe garantues të funksionimit të institucioneve demokratike. Ministri i Drejtësisë dhe zëvendës-ministri i Punëve të Brendshme janë nga radhët e partisë shqiptare në pushtet. Konform ingerencave ligjore ata patjetër obligohen nga ligjet dhe kushtetuta të sigurojnë respektimin e të drejtave të të paraburgosurve, të drejtave të njeriut dhe të procedurës gjyqësore, respektimi i konventave ndërkombëtare të nënshkruara edhe nga Republika e Maqedonisë, siç është edhe Komiteti evropian për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese. Më falni, detyrimi të zbathet pastaj shkelja e këmbës me çizme ushtarake, zhveshja totale dhe futja e gishtave në gojë, lidhja gjatë transportit me kokën deri në dysheme, goditje pas qafe dhe thyerje të këmbëve në bodrumet e gjykatës, mohimi i ndihmës mjekësore, mbajtja në izolim total në hapësira me lagështi dhe myk është torturë dhe trajtim çnjerëzorë dhe poshtërues. Ju lutem të qartësohemi. Qendrat ndëshkuese – përmirësuese janë nën Ministrinë e Drejtësisë. Qëndrimi, ushqimi, siguria, shëndeti në paraburgim është punë e gardianëve dhe drejtorëve të burgjeve. Transporti nga burgu deri në gjykatë dhe kthimi është kompetencë e MPB. Krahas kësaj pushtetarët shqiptarë kanë edhe obligim moral dhe kombëtarë të kontribuojnë për një proces fer dhe demokratik, duke pasur parasysh se bëhet fjalë vetëm për të akuzuar shqiptarë. Madje, pjesa dërmuese bashkëluftëtarë të pushtetarëve aktual.
KOHA: Prokuroria themelore për krim të organizuar ka ngritur aktakuzë për terrorizëm. Është vepër shumë e rëndë?
ISEINI: Aktakuza është ngritur sipas nenit 394 – Organizatë terroriste dhe 394b Terrorizëm të kodit penal, ku parashihet edhe dënim burg i përjetshëm. Shikoni, Prokuroria themelore për krim të organizuar ka dështuar në tërësi edhe për nga forma edhe për nga cilësia, duke u dalluar si tendencioze, jo profesionale, konfuze, kontradiktore në ngritjen e kësaj aktakuze. Nuk është bazuar në fakte dhe prova, por në dëshirën e flaktë këta djem t’i paraqet si terroristë me çka unë kategorikisht nuk pajtohem sepse teoritë mbi terrorizmin dhe procesuimin e rasteve terroriste në botë nuk mbështesin këtë aktakuzë tendencioze. Më 09-10 maj të vitit 2015 nuk ka civil të vrarë, nuk ka peng-marrje, ka dorëzim me ndërmjetësim të OSBE-së. Është e faktuar se nuk është shkaktuar frikë e hëpërhëshme as te popullata civile as te forcat apo objektet e sigurisë publike. Kështu që akuza për terrorizëm do të bjerë dhe prokuroria do të duhet të bëjë rikualifikimin e veprës penale, çka besoj që do të jetë armëmbajtje pa leje, qëndrim ilegal në territorin e Maqedonisë, vrasje dhe vrasje e mbetur në tentativë. Familjarët e të akuzuarve kanë bërë kërkesë te Prokuroria Speciale, që rasti t’i kalojë kësaj prokurorie.
KOHA: Të jesh avokate është udhëtim me peripeci të mëdha, veçanërisht në Maqedoni?
ISEINI: Të ushtrosh profesionin e avokatit në përgjithësi është punë e rëndë, si femër edhe më e vështirë. Unë bëjë me kënaqësi dhe përkushtim punën e avokates, duke u bazuar në Kartën e parimeve fundamentale evropiane të profesionit të avokatit, e aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kongresit të Unionit Ndërkombëtarë të Avokatëve në Bon të Gjermanisë, pastaj e inkorporuar në Kodekset e Dhomës së Avokatëve të Maqedonisë. Unë jam e pavarur dhe e lirë të marr në shqyrtim çështjen e klientit, kam të drejtë dhe obligim ta trajtoj me besueshmëri dhe të ruaj sekretin profesional, të punoj me përkushtim dhe nder dhe të jem lojal kundrejt klientit.
KOHA: Cilat janë pikat e juaja të forta dhe cilat janë dobësitë. Jeni luftarake apo prekeni lehtë nga një ngjarje?
ISEINI: Anët e forta të mijat janë besimi në humanizëm dhe në forca progresive, ku nuk bëhet dallim në racë, fe, kombësi, gjini ose pozitë sociale. Dobësitë e mia nuk e di, ndoshta flijimi i kohës sime ndonjëherë për njerëz jo mirënjohës, jo falënderues, jo korrekt.
KOHA: A keni menduar të largoheni ndonjëherë nga profesioni juaj, i cili kërkon aftësi organizative, aftësi shumë të mira analizuese, aftësi kërkuese, objektive, komunikuese?
ISEINI: Unë e shikoj jetën në sy. Ndoshta do të largohem ndonjëherë nga profesioni i avokatit, por assesi nga profesionet që kanë të bëjnë me jurisprudencën. Dhe nëse do të ndodhte të largohem nga profesioni juriste, atëherë do t’i futesha me të njëjtin pasion profesionit të mësuar në prehrin e nënës dhe gjyshes sime, atij të gatimit tradicional si flija me saç, pogaçeve, reçeleve, sheqerpares, bakllavës ashtu edhe atyre moderne evropiane si shatobrijan, sushi, frutave të detit, fondy shinuaz, zaher torte, tiramisu etj.
KOHA: A gëzon të drejta avokati kundrejt prokurorisë apo ka vetëm detyra. Sa zbatohen në Maqedoni të drejtat dhe detyrat e avokatit?
ISEINI: Sipas Ligjit të procedurës penale dhe reformës së Kodit dhe procedurës penale në Maqedoni avokati dhe prokurori përpara gjykatës kanë armët e barabarta. Këtë fakt prokurorët e mësuar me sistemin komunist nuk mund ta përbinë dhe sillen si kapadai në gjykatë.
KOHA: Si e përballoni presionin, humbjen?
ISEINI: Shoqëria moderne dhe globalizimi e kanë bërë punën nën presion përditshmëri dhe të zakonshme. Edhe gazetari, gjykatësi, politikani, mjeku, inxhinieri, muratori, bukëpjekësi punojnë nën presione të ndryshme. Unë nuk njohë humbje. Kam keqardhje dhe ndjej neveri kur dënohen njerëz të pafajshëm, pa prova dhe dëshmi. Betejën vazhdoj ta bëjë kundër dënimeve me prapavijë politike, klanore ose interes afarist.
KOHA: Cilat janë qëllimet tuaja për karrierën?
ISEINI: Avokate e popullit tim.
KOHA: Të jesh avokate ka qenë një ëndërr e kamotshme. Që në vegjëli keni shikuar filma me tematikë të drejtësisë.., dhe prej atëherë keni menduar se një ditë edhe ju do të bëheni avokate?
ISEINI: Jo, as ëndërr nuk e kam pasur dhe as filma me tematikë juridike nuk kam parë, dhe as që kam menduar të bëhem ndonjëherë avokate! Ka ndodhur krejt ndryshe. Unë origjinën e kam nga familja Gërvalla, familje e madhe. Prindërit e mi kanë pesë fëmijë, unë jam më e madhja. Familjet e mëdha kanë edhe diferenca dhe përditshmërinë nuk e kanë të lehtë. Unë natyrshëm jo vetëm që nxirja me lehtësi veten time nga situata të palakueshme, por ndihmoja vëllezërit dhe motrat në konflikte të çastit, sa që në fillim dëgjoja nga nëna: „Këte sun e zen, u be si avokate, kqyrja si i bon goja“ për të vazhduar baba: „ti çiko prit studio, pastaj bëhu avokate, tash o herët“. Por, mënyra se si unë i prezantoja faktet i detyronte prindërit të më japin mua të drejtë. Kështu vazhdova shkollën e mesme juridike pastaj fakultetin…
KOHA: Cili është mentori i juaj?
ADEMI ISEINI: Mentor profesional e kam vjehrrin. Është një ndër juristët e parë në Maqedoni me shkollim të mirëfilltë në Beograd dhe Prishtinë, i çmuar si jurist profesionist dhe nxitës e mentor i shumë juristëve që mbajnë poste me rëndësi në Maqedoni. Kurse me bashkëshortin e ndaj shortin bashkë. Ai si profesor ka epërsi shpjeguese teorike kundrejt meje që jam praktike.
KOHA: Ju e fshihni familjen para opinionit, meqë e mbroni drejtësinë nga ata që nuk e duan drejtësinë. Cila është familja e juaj?
ADEMI ISEINI: Jo familjen nuk e fsheh, familja është motivi im. Burri im është profesor universitar. Më parë ka studiuar, ka jetuar në Zvicër dhe ka punuar në institucione të ndryshme qeveritare atje. Djali dhe vajza shkojnë në shkollë dhe bëjnë një jetë të rëndomtë.
KOHA: Për shumë avokatë mbetet shqetësues fakti se dhuna në familje, me theks të veçantë dhuna ndaj grave, vazhdon të jetë problem evident në shoqërinë tonë. Për ju cili problem është më shqetësues?
ISEINI: Dhuna ndaj grave dhe ndaj anëtarëve të familjes mbetet dhimbje e pashëruar në shoqërinë tonë. Një popull që nuk ngrihet kundër dhunës ndaj më të dobëtit, ai popull është i dënuar të mos jetë nga brenda asnjëherë i lirë.
KOHA: Cila është thënia juaj për padrejtësitë që i bëhet popullit tonë në Maqedoni?
ISEINI: Populli shqiptarë në Maqedoni për nga kultura, gjuha dhe zakonet është pjesë e kombit shqiptarë. Unë do thosha arsim, kulturë, humanizëm besim i ndërsjellët dhe harmoni në mes njerëzve dhe popujve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.