Propozim-ligji për Punë të Jashtme, i cili ishte në procedurë parlamentare të përbërjes së kaluar do të tërhiqet dhe MPJ do të propozojë një version të ri të plotësuar, pasi propozim-teksti paraprak nuk është i harmonizuar më të gjitha institucionet
Destan JONUZI
Shkup, 15 shtator – Edhe pse nuk jepen detaje se çfarë përmbajnë propozim-ndryshimet në Propozim-ligjin për punë të jashtme, megjithatë ai tanimë ndodhet në procedurë parlamentare nga përbërja e kaluar. Gazeta KOHA merr vesh se i njëjti do të tërhiqet nga procedura parlamentare dhe do të dorëzohet një version tjetër i propozim-ndryshimeve në Ligjin për punë të jashtme, pasi versioni aktual nuk është i harmonizuar me institucionet tjera. Ligji që aktualisht është në sirtarin e Parlamentit, do të kthehet në Ministrinë e Jashtme për rishikim dhe adaptim. Ndërkohë, dy javë më parë – shefi i diplomacisë Bujar Osmani paralajmëroi se do ta rishqyrtojë propozim-ligjin që paraardhësi i tij, Dimitrov ia kishte propozuar Parlamentit vitin e kaluar.
Në anën tjetër, Sindikata e shërbimit diplomatik mbetet në kritikat e shumta për propozim-ligjin e Dimitrovit, që nuk u miratua shkaku i shpërbërjes së Parlamentit. “Në lidhje me thirrjet, apo titujt diplomatik, ne kërkonim zvogëlimin e afateve, të cilat sipas afateve ishin të shumta. Për një kategori të të punësuarve, në fakt personeli me arsimim të mesëm që kryen punë administrative sipas propozimit të atëhershëm duhej të ngelnin edhe nën ombrellën e Ligjit për nëpunës shtetëror. Kërkesa jonë ishte që edhe kjo kategori e të punësuarve të mbulohet plotësisht me dispozitat e Ligjit për punë të jashtme. Gjithashtu kishim vërejtje edhe sa i përket pozicioneve udhëheqëse, emërimit të pozicioneve udhëheqëse në ministri”, deklarojnë nga Sindikata e Shërbimit diplomatik. Me propozim-ndryshimet në Ligjin për Punë të Jashtme, përveç rritjes për 80 për qind të ambasadorëve nga radhët e diplomatëve të karrierës, propozohen edhe zgjidhje politike që ambasadorët të mund të tërhiqen nga detyra nëse për një gjë të tillë ka pajtueshmëri mes Qeverisë dhe Presidentit. “Propozojmë zgjidhje të re për ambasadorë, e cila do ta mbrojë shërbimin diplomatik në të ardhmen, duke u dhënë hapësirë diplomatëve të karrierës”, deklarojnë për KOHA nga MPJ.
Ndryshimet ligjore të cilat MPJ dëshiron ti miraton në pjesën e shërbimit diplomatik parashohin edhe avancim automatik deri në nivel të këshilltarit, ndërsa për shkallë më të lartë sipas ndryshimeve të propozuara do të jetë e nevojshme edhe mbështetja nga Kolegjiumi, i cili përsëri si organ i ri i propozuar në Ligj, do të jetë i përbërë nga ministri, zëvendësministri, sekretari shtetëror dhe katër drejtor gjeneral. Sipas ndryshimeve të propozuara ambasadorët të mund të kenë edhe shtetësi të dyfishtë, që deri më tani nuk ishte praktikë. Ndërkohë, që pikërisht shtetësia e dyfishtë ishte ajo që hapi Kutinë e Pandorës për listën e re të kandidatëve të propozuar për ambasador të cilët duhet të plotësojnë 19 vende të zbrazëta.
Madje, katër kandidatë të propozuar janë me shtetësi të dyfishtë, deri sa nuk miratohen këto ndryshime shtetësitë e tyre të dyfishta janë në kundërshtim me nenin 36 të Ligjit për Punë të Jashtme, i cili nuk lejon emërimin për ambasadorë të një kandidati që posedon dy pasaporta. Jozyrtarisht flitet se në rast se ato dërgohen edhe zyrtarisht për ambasador do të heqin dorë nga shtetësia e dyfishtë. Kontestuese po ashtu është edhe çështje se edhe ato si kandidatë të zgjedhur për ambasadorë në Ministrin e Jashtme kanë dorëzua deklarata të notarizuara se nuk janë shtetas të një shteti tjetër përveç Maqedonisë, që paraqet dëshmi të rrejshme me qëllim që të arrihet në pozitën e ambasadorit.
Përveç kësaj njëri nga kandidatët e kontestuar për ambasadorë njëherë vetëm se ka qenë ambasador, edhe pse ka shtetësi të dyfishtë. Por edhe ky nuk është rast i vetëm. Jozyrtarisht mësohet se Maqedonia po ashtu ka pasur edhe ambasador në Gjermani i cili ka pasur shtetësi gjermane, por edhe të Maqedonisë. Përveç kandidatëve me shtetësi të dyfishtë në listën e ambasadorëve janë gjetur edh emra të të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga eshalonët më të ulëta, por edhe nga ata të cilët në të kaluarën kanë dëmtuar diplomacinë e vendit. Kështu që me propozim të partisë së Liljana Popovskës, Ripërtrirja Demokratike e Maqedonisë, për ambasadorë është propozuar ish-këshilltarë në ambasadën e Romës për të cilin ka informacione se në mënyrë të drejtpërdrejt është përgjegjës për kontekst gjyqësor për të cilin MPJ duhet të paguaj 250.000 euro.
Ndërkohë që për një kandidat tjetër po zhvillohet procedurë disiplinore në MPJ, dhe është në përfundim para Gjykatës Penale. Më shumë kontradikta dhe debat në opinion ka zgjuar hoxha nga Dibra, propozim i Alternativës për ambasadorë në Kinë, i cili përveç “hoxhallëkut” nuk ka asnjë ditë karrierë diplomatike, madje sipas informacioneve tona nuk i posedon as certifikatat duhura. Bazuar në këtë do të jetë vështirë që Pekin ti hapë dyert për një “mysafirë” të tillë nga Maqedonia. (koha.mk)