Ndarja e posteve drejtuese sipas përkatësisë partiake në sektorin e sigurisë flet shumë për problemin shumëvjeçar – politizimin e uniformave “blu”, thonë ekspertët. Sipas tyre, disa ndryshime në reforma janë bërë, por çalon reforma aty ku duhet në sistemin e punësimit dhe vlerësimit të punës së policisë
Destan JONUZI
Shkup, 23 shtator – Shefa policie që caktohen nga selitë partiake të partnerëve të koalicionit qeveritar të të gjitha përbërjeve të deritanishme, “beteja” politike se cilës parti do ti takojë Byroja për Siguri Publike dhe Policia Financiare, lënë nën hije profesionalizmin dhe reformën e sinqertë të forcave të sigurisë. Deri më tani Drejtor i Byrosë për Siguri Publike ishte Sasho Tasevski të cilin opinionin e ka njohur nga ngjarjet e “27 Prillit”, kur si sigurim i ministrit të atëhershëm të sigurisë Oliver Spasovski u vë në mbrojtje të deputetëve gjatë sulmit të njerëzve të maskuar. Në pozitën e drejtorit të Policisë Financiare deri më tani ishte Arafat Muharemi, i cili në atë pozicion erdh si hetues nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), ndërsa më parë ka punuar si inspektor në Policinë Financiare.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se në këto pozicione duhet të emërohen kuadro profesionist dhe kualitativ, në vend të njerëzve që janë pjesë e kalkulimeve politike. Hasim Murtezani ekspertë i sigurisë thotë se reformat në polici gjegjësisht në MPB janë komplekse, të ngatërruara dhe jo lehtë të realizueshme duke ditur se në këtë institucion ka një rivalitet specifike dhe të ndjeshëm dhe si e tillë ka të trashëguara probleme nga e kaluara.
“Për të qenë objektiv, reformat serioze janë ende në fazën e diskutimit dhe jo në atë të fillimit të realizimit. Ngadalësimi i kësaj reforme vjen si pasojë e asaj se në shumë raste ish-udhëheqësit politikë vetëm se kanë instaluar strukturat e tyre dhe në disa vende të njëjtët kanë dhe statuse të definuar juridik dhe ligjor në kuptimin e sistematizimit dhe këtu kërkohet kohë dhe procedurë deri në definimin apo t’i thuash spastrimin e këtij institucioni nga individë jo profesional dhe jo kompetentë. Me vullnet politik, kjo garniturë qeverisëse, brenda këtij mandati me një qasje serioze, ndajë bindje se munde të realizojë një Veting cilësorë ku nga ky institucion do të ‘dezinfektohen’ të gjithë ata që nuk e kanë vendin dhe meritën e duhur të jenë pjesë e policisë dhe MPB-së”, deklaroi për KOHA, Murtezani.
NË VEND TË PROFESIONISTËVE, MILITANTË PARTIAK!
Ndërsa, kreu i Shoqatës së ish-të burgosurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani, vlerëson se është turp i madh që në këtë kohë në vende ku kërkohet një profesionalizëm adekuat, njerëz që janë ekspertë të fushës, të vendosen njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me fushën. “Çfarë mund të presim ne prej atyre kuadrove që nuk janë profesionistë në sektorë ku nuk janë profesionistë vet bartësit e funksioneve. Pra kuadrot e këtilla jo profesionale do të jenë vetëm se kukull, të cilëve me siguri se nuk do ti jepen edhe informacionet e duhura nga instancat brenda organeve të sigurisë, e mos flasim për dokumentet sekrete. Faktikisht do të kemi një kukull në ato funksione”, deklaroi për KOHA, Pollozhani. Sipas tij, është tmerr që edhe pas 30 vjetëve pluralizëm partitë politike nuk u mësuan se në poste kyçe duhet të dërgojnë kuadro profesionist, madje sikurse ato të mos jenë kuadro partiak.
“Partitë politike me këtë praktikë janë duke e varrosur vetëm vetveten duke dërguar militantët partiak në poste përgjegjëse dhe në këtë mënyrë duke degraduar edhe politikën kombëtare dhe gjithçka tjetër. Reformat po ashtu po çalojnë edhe në shërbimet sekrete të shtetit. Andaj duhet një reformë e trurit të njerëzve dhe mentalitet. Me këtë mentalitet 100 reforma të shkruhen në letër, të 100-tatë do të dështojnë, sikurse që kanë dështuar, si në arsim, drejtësi, polici, shërbimet sekrete etj. Vetëm profesionistët dhe një mentalitet progresiv demokratik mund të arrihen ndryshimet. Me këto reforma të paralajmëruar nuk pres asgjë”, thekson Pollozhani.
ENDE KA PARAGJYKIME NDAJ STRUKTURAVE TË SIGURISË
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Oliver Spasovski në paraqitjen e tij të fundit televizive deklaroi se ndryshimet në strukturat drejtuese të policisë janë kategori që nuk kanë të ndalur asnjëherë dhe se çdo kund ku do të vërehet se ka lëshime dhe cilësisë në punë do të vije te ndryshimi. Në anën tjetër, në Programin e Qeverisë nuk janë të shënuara reformat e planifikuara për këtë mandat të Qeverisë, por në fjalën e tij gjatë marrjes së detyrës Spasovski ka theksuar 21 pika, sipas të cilave do të duhet të bëhet ndryshimi në strukturat drejtuese të policisë. Midis tyre janë theksuar edhe pritjet e përgjithshme, siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe kërkesa tjera konkrete.
Në anën tjetër, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), edhe pse është transformuar në Agjenci për Siguri Kombëtare (ASK), nuk ka arritur qëllimin e saj që pas 30 viteve nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mund të lirohen nga paragjykimet e qytetarëve ndaj saj, dhe të mos e përdorin emërtimin “Shërbimi Sekret”. Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) e cila në vitin 2015 ishte burimi kryesor i krizës së madhe politike në vend, për shkak të përgjimeve masive, nga ku dolën edhe të ashtuquajturat “bomba” të Zaevit, ka pushuar së ekzistuari nga 1 shtatori i vitit 2019. Në vend të DSK-së ka filluar me punë ASK-ja, e cila është formuar në pajtueshmëri me rekomandimet e dala nga konstatimet e ekipit të ekspertëve të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Rajnhard Pribe, i cili gjatë krizës politike në vend i ka skanuar kapacitetet e institucioneve vendore, e në veçanti ato të sigurisë dhe kundërzbulimit. (koha.mk)