Nga Daut DAUTI
BETEJA E VMRO-së DHE TALATIT
Talat Xhaferi, ia bëri si ia bëri, i uli edhe një here deputetët për ta votuar “Ligjin për përdorimin e gjuhëve…”. Nuk e pati lehtë kryetari i Parlamentit, sepse u desh të ballafaqohet me shumë skena dhe prapaskena. U desh njëherë të gjejë rrugën ligjore për ta shmangur debatin për 35 mijë amendamentet e VMRO-së, që ishte rruga shpëtimtare. Atë e gjeti te Rregullorja e Parlamentit. Krahas kësaj, duhej të shmangte obstruksionet e heshtura (të mundshme) nga partneri i koalicioni, që si nishane mund të ishin disa shtyrje të pashpjegueshme të vënies në rend dite të kësaj çështje. Kjo nuk qe lehtë, sepse dukej se obstruksioni i VMRO-së mund t’i shkonte përshtati edhe LSDM-së. Këtë betejë në Parlament, sigurisht duhej fituar përmes Alisë dhe Zaevit, se vetëm ata mund t’i çonin deputetët për “mbledhi”.
Dhe i mbeti pjesa më e lehtë e punës. Kur i mblodhi të gjithë që i duheshin për numra, z.Talatit iu desh edhe një betejë e vogël, por jo aq e lehtë, me VMRO-në, më saktë, me ish-kryetarin e qeverisë së përbashkët, i cili seç ishte çakërdisur në ditën e 14 marsit për ta penguar me çdo kusht votimin e serishëm. Por, ndonëse ajo që bënte Nikolla, i ngjante asaj që bënte LSDM-ja më 27 dhjetorin e famshëm, revanshi nuk ndodhi me të njëjtën mënyrë, por me dinjitet dhe kulturë politike dhe shkathtësi admiruese, për ta çuar votimin deri në fund. Kësisoj, kryetari i parë shqiptar i parlamentit pluralist të Maqedonisë, Talat Xhaferi, e fitoi betejën që duhej të ishte më e vështira, për ta dëshmuar më së miri faktin se ai në atë post nuk u gjet si zgjidhje kadrovike e rastit, por si një personalitet me përvojë të madhe, elokuencë dhe shkathtësi të veçanta për një politikan.
Humbi VMRO-ja! Nuk është humbje nga Talati, ndonëse humbi edhe prej tij, por VMRO-ja humbi ardhmërinë e vet politike! Duke u çuar edhe një herë kundër gjuhës shqipe, Nikolla i bëri diversion pasardhësit të vet të ri, Mickovskit, duke e lënë pa ardhmëri politike. Pas kësaj përpjekjeje parlamentare për ta penguar shqipen, Mickovski s’ka më çka kërkon, sikur partia e tij të fitojë në mënyrë absolute në ndonjë palë zgjedhje të ardhshme, s’do të ketë parti shqiptare që do të ulet me të! Ose do të vihet në pozitën e lutësit i cili do të japë çka gjithçka për të ardhur në pushtet. Çudi se si në këtë parti, që u shfaq me platformë antishqiptare, gjatë këtyre viteve nuk kuptoi se kjo më është një letër e humbur. Sidomos është mjerues dhe tmerrues fakti që këtë mësim nuk e morën as pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale të fundit, sepse u shfrynë të gjithë balonët e tyre që i përdorte si gogolë për qëllime populiste.
Po shihet ashiqare që VMRO-ja do ta vazhdojë betejën e saj. Duke frymëzuar apo manipuluar me protestat e njerëzve të brengosur për fatin e shtetit të tyre(sepse kështu janë manipuluar) por dhe duke përdorur letrën e fundit, atë të kryetarit të shtetit. Por, me këtë, kjo parti, vazhdon fundosjen e vet, jo vetëm duke humbur shanset për korrigjimin e imazhit antishqiptar, por dhe te vetë qytetarët maqedonas, duke parë në të një parti që të vetmen strategji e ka destruktivitetin, i cili fundja, është edhe në dëm të shtetit, që aq shumë “e mbrojnë” nga shqiptarët, grekët, bullgarët…
BETEJA E QEVERISË
Për ligjin për gjuhët barra më e madhe binte mbi qeverinë, më saktë mbi koalicionin i cili tashmë e kishte pjesë të platformës zgjedhore. Po të mos votohej prapë, pesha do të binte mbi LSDM-në e cila mori dhjetëra mijë vota shqiptare, dhe obligimin moral që ta kënaqte një kërkesë të kahershme të tyre. Por nëse shihej ndonjë taktikë e fshehur për ta shmangur, duke gjetur lloj-lloj preteksti, shumë shpejt do të vinte në pyetje koalicioni edhe koalicioni, sepse edhe BDI-ja s’do të donte gjendej në pozitë që të mos përmbushte një premtim parazgjedhor. Urtësia politike, si duket, ishte e destinuar të fitojë mbi dyshimet dhe taktikat e fshehura.
BETEJA SHQIPTARE
Beteja shqiptare ishte ajo që rezultoi me konsensus në votimin e parë. Ishte kjo një nga ato raste të rralla, tepër të rralla, kur pavarësisht pozicionit, mërive, rivaliteteve, partitë shqiptare u ngritën mbi interesat e ngushta për ta votuar dhe për t’i qëndruar prapa këtij ligji. Ky gjest duhet çmuar jo vetëm pse arritën një pajtim mes vete, por dhe ngase ndërkohë ndodhën shumë turbulenca në raportet e ndërsjella dhe brenda tyre. Aleanca për Shqiptarët për shkak të koalicionit me Lëvizjen Besa në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, humbi pozicionet në Qeveri, ndërkohë që u shfaqën përçarje edhe në Lëvizjen Besa ku vazhdon beteja statutare e dy fraksioneve. Në situatë të këtillë, nuk do të ishte çudi që ndonjëra nga këto subjekte të distancohej nga përkrahja e dytë ligjit, por kjo nuk ndodhi dhe të gjitha u treguan parimore. Duhet shtuar se partitë shqiptare duhej përballuar edhe një presion mediatik, sepse nuk ishin të paktë zërat që kritikonin ligjin si të pamjaftueshëm për t’i kënaqur nevojat e shqiptarëve, gjegjësisht, se ligji nuk e barazon gjuhën shqipe me maqedonishten.
Pra, partitë shqiptare duhej të zgjidhnin pozicionimin e tyre midis dy qasjeve të papërputhshme: të pranonin votimin e këtij ligji i cili e avancon dukshëm përdorimin e gjuhës shqipe, ose të shkonin në variantin “ja krejt, ja asgjë”? Në strategjinë e veprimit shpesh ndeshen këto dy logjika. Varësisht nga rrethanat. Duket sikur kjo periudhë ka qenë e përshtatshme për logjikën “ja krejt, ja asgjë”, që do të thotë shqipja të jetë krejtësisht e barabartë. Sepse, si asnjëherë më parë krijimi i qeverisë varej nga votat shqiptare dhe me cilindo partner, partitë shqiptare mund ta venin në tavolinë si kusht një gjë të tillë. Edhe VMRO-ja që tash e kundërshtoi me ngulm votimin e serishëm të këtij ligji, në kohën e negociatave për qeverinë e re(pasi doli fituese), ishte e gatshme të bëjë ndryshimet që kërkonte BDI-ja dhe partitë shqiptare (nënshkruese të “Deklaratës së Tiranës”) për përdorimin e gjuhëve. Mirëpo, sikundër edhe VMRO-ja, ashtu edhe LSDM-ja, nuk kishin gatishmëri absolute për të barazuar gjuhën shqipe me maqedonishten. Por, edhe sikur ta kishte ndonjëra prej tyre, do ta kishte vetëm partia që do të bënte qeveri dhe jo ajo që do të mbetej në opozitë. Kjo vlen të theksohet për shkak të atyre zërave kritikë të cilët harrojnë se pa dy të tretat e votave nuk mund të bëhet ndryshimi i kushtetutës ku do të bëhej barazimi i plotë i gjuhëve zyrtare edhe “përtej Marrëveshjes së Ohrit” (Z.Zaev).
Pra, vijmë sërish te pozicioni shqiptar ndaj këtij ligji ku gjuha shqipe është me terminologji hermafrodite(edhe gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës, por edhe e futur në kllapa si “gjuha shqipe”), për të mbetur pak me statusin e Marrëveshjes së Ohrit, e pak edhe jashtë kornizës së saj, sa për t’i kënaqur shqiptarët që gjuha e tyre të mos mbetej në kategorinë e përqindjes(Rregullorja e re e komunës së Strugës, para pak kohësh, e implementoi pikërisht të drejtën për ta përmendur gjuhën shqipe, për çka këshilltarët komunalë të VMRO-së reaguan ashpër). A duhet pjesa kritike e opinionit publik shqiptar të këmbëngulë se shqiptarët nuk duhej ta votonin një ligj të këtillë? Çka duhej të bënin partitë shqiptare, të votonin me logjikën më mirë ky ligj që e ngrit gjuhën shqipe në nivel më të lartë dhe në shtrirje më të gjerë të përdorimit, por pa e futur “edhe në Strumicë ose Gjevgjeli”(që do të kishte kuptim simbolik), apo të këmbëngulnin “ose barazi e plotë, ose asgjë” dhe të prisnin një kohë, kushedi se kur, kur maqedonasit do të ndjeheshin më shqiptarë se shqiptarët për të pranuar ndryshim kushtetute për ta barazuar shqipen me maqedonishten? Ndërkohë që duke pritur atë kohë, gjeneratat e tashme të mos realizonin një nivel dukshëm më të avancuar të përdorimit të gjuhës së tyre. Vërejmë në shumë reagime nëpër rrjete sociale se madje as që është bërë ndonjë zyrtarizim, duke harruar se zyrtarizimi kaherë ka ndodhur me Amendamentin V të Kushtetutës.
U bë çka u bë, mbetet beteja tjetër, ajo që më duket se do të jetë e komplikuar, që të krijojmë (kjo do të jetë në duart tona) përdorim cilësor të gjuhës shqipe. Nëse dikujt i duket kjo puna më e lehtë, unë mendoj të kundërtën, sepse edhe përskaj disa universiteteve shqiptare, niveli i kulturës gjuhësore ndër ne është në nivel të ulët!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)