Fronti europian i ruajtjes së vlerave nga invadimet Lindore nuk është një vijë imagjinare, por një betejë konkrete që popujt liridashës të Ballkanit e kanë zhvilluar, për çka edhe do të duhej të meritojnë jo vetëm mirënjohje verbale, por edhe mbështetje konkrete. Nëse vazhdon përkëdhelja e Serbisë nga ana e burokratëve të caktuar të Brukselit, ky do të ishte në fakt akti më i turpshëm që iu bëhet atyre ballkanasve që gjatë gjithë këtyre dekadave u angazhuan për stabilitet dhe mirëqenie europiane
Nga Emin AZEMI
Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilloi dje një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe, sipas asaj që prezantoi shtypi serb, në qendër të kësaj bisede ka qenë ndërtimi i rrugës Nish-Prishtinë. Vuçiqi ka kërkuar nga kancelarja që të ndikojë, në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër e që është vazhdimësi e Procesit të Berlinit, në përshpejtimin e këtij projekti, i cili, sipas Vuçiqit, qenka e “një rëndësie të veçantë”.
Bashkëpunimi rajonal, të cilin aq shumë e proklamojnë zyrtarët serbë, është kuptuar njëanshëm dhe para se të marrin ndonjë përgjigje konkrete nga kancelarja Merkel, ata është mirë të sqarojnë arsyet e maltretimit të kosovarëve që kalojnë nëpër autostradat e Serbisë. Janë po ato autostrada që Vuçiqi ka dëshirë t’i lidhë me transversalen Nish-Prishtinë, e ku janë evidentuar disa raste kur shtetas të Kosovës, ose janë kthyer mbrapsht në kufi dhe nuk iu është lejuar të vazhdojnë udhëtimin më tutje, ose janë ndalur në ndonjë pritë policore dhe pa dhënë shpjegime të hollësishme janë dërguar në paraburgim.
Procesi i Berlinit, sikundër dihet, është një iniciativë e nisur nga kancelaria gjermane Angela Merkel, në 2014. Çdo vit, ai mbledh bashkë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerë të BE dhe përfaqësues të institucioneve europiane, për të punuar së bashku në mbështetje të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
Serbia, e cila po vetëtrajtohet si faktor stabiliteti në rajon, i ka kuptuar shumë njëanshëm këto lëvizje europiane që po ndodhin. Nuk mundet të kesh aq shumë ambicie përfituese nga Procesi i Berlinit, ndërkohë që vazhdon politika millosheviqiane e trajtimit të Kosovës. Zyrtarët në Bruksel dhe në qendrat tjera të vendimmarrjes nuk do të duhej ta amnistojnë aq shpejt Serbinë nga mendësia e saj antieuropiane, sidomos në raport me qytetarët e Kosovës, të cilët udhëtimin nëpër Serbi ende e konsiderojnë si ferr të vërtetë. Është paradoksale të mbyllen sytë para kësaj Serbie, e cila në njërën anë sillet aq brutalisht me kosovarët, kurse në anën tjetër – kërkon nga liderët europianë të përshpejtojnë ndërtimin e rrugëve që do ta nxirrnin atë më shpejt në detin e Adriatik. Nga do të kalojnë ato rrugë? Pse Serbia, e cila paska aq shumë interes nga modernizimin i rrugëve rajonale, sillet sikur nuk ekziston Kosova dhe shqiptarët, ndërkohë që jo pak përfaqësues të jetës politike e shoqërore serbe tash me kanë pranuar se Kosova është e humbur përgjithmonë për Serbinë.
“Jemi përshkruar si shtet që ka fshehur krimet dhe katastrofën humanitare mbi shumicën shqiptare në Kosovë, që ka kërcënuar paqen rajonale dhe botërore, e në raste të tilla intervenimi i armatosur ndërkombëtar është i lejueshëm… Shumica e shteteve anëtare të OKB-së dhe pothuaj të gjitha shtetet e BE-së dhe NATO-s, e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës”, tha këto ditë njëri prej liderëve nacionalistë serbë, Vuk Drashkoviq, i cili njihet në të kaluarën për qëndrimet e tija të forta kundër Kosovës.
Fryma antikosovare që mbretëron në politikën zyrtare serbe nuk korrespondon me nismat europiane për bashkëpunim dhe mirëkuptim rajonal. Brukseli, Berlini dhe qendrat tjera europiane e kanë shumë gabim kur sillen me kaq përkëdheli ndaj Beogradit dhe shoqërisë serbe në përgjithësi. Është po ajo shoqëri që nga gjiu i vet nxjerr media me përmbajtje fashiste, ku disponimi antishqiptar, antikroat, antiamerikan shfaqet shumë hapur dhe papengueshëm. Mjafton të bëhet një shëtitje e shkurtër nëpër faqet e para të gazetave serbe ku dominojnë tituj të turpshëm që stigmatizojnë të gjithë ata që bëjnë tifo për Kroacinë në kuadër të botërorit që po mbahet në Rusi. Pse po deshka të tolerohet kjo gjuhë rrugaçësh e mediave të Beogradit dhe a duhet që ky çmim tolerance i zyrave europiane të vendosjes të kuptohet si dekurajim për përpjekjet e popujve të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova e Kroacia, në betejat e tyre antihegjemoniste serbe. Brukseli dhe Uashingtoni do të duhej madje t’i shpërblejnë këto përpjekje, sepse ato në instance të fundit ishin bedema që mbronin Europën nga ndikimi arbitrar rus. Fronti europian i ruajtjes së vlerave nga invadimet Lindore nuk është një vijë imagjinare, por një betejë konkrete që popujt liridashës të Ballkanit e kanë zhvilluar, për çka edhe do të duhej të meritojnë jo vetëm mirënjohje verbale, por edhe mbështetje konkrete. Nëse vazhdon përkëdhelja e Serbisë nga ana e burokratëve të caktuar të Brukselit, ky do të ishte në fakt akti më i turpshëm që iu bëhet atyre ballkanasve që gjatë gjithë këtyre dekadave u angazhuan për stabilitet dhe mirëqenie europiane. (koha.mk)