Pati guximin t’i kundërvihet fushatës antishqiptare nacionaliste serbe e maqedonase por dhe tezave antishkencore në kontinuitet të disa qendrave akademike dekada me radhë
Nga Rrahim GANIU
Kohë më parë ndërroi jetë akademik Idriz Ajeti, njëri nga plejada e albanologëve më të mëdhenj të shekullit 20. Ikja e këtij dishepulli të letrave shqipe, është shkas i mirë për t’u përkujtuar me disa nga kontributet e tij konkrete, por dhe të shumë autorë e personalitete shqiptare për të mbrojtur të vërtetat shqiptare në një mjedis ku hegjemonia politike serbe kishte zgjatur duart gjer te shkenca…
Ka arkeologë që përdorin metoda vërtetë shkencore gjatë studimit të vendeve e monumenteve kombëtare për të pasuruar e zgjeruar njohjen e historisë dhe kulturës kombëtare. Askush nuk mund t’i kritikojë ata përderisa jo vetëm metodologjia e përdorur për studimin, por edhe qëllimet e këtij studimi janë përcaktuar nga etika shkencore. Kjo vlen, natyrisht, edhe për studiues të sferave tjera nga arti në përgjithësi – historianët e artit, të muzikës, studiuesit e historisë kombëtare, etnologjisë etj. Por, kur arkeologët dhe historianët i përdorin zbulimet e tyre për t’u dhënë politikanëve e ideologëve argumentet për veprimet e tyre politike e ushtarake kundërnjerëzore të shteteve fqinje, atëherë lindin shqetësime, siç është rasti i arkeologjisë dhe historiografisë sllave, asaj serbe… e cilët me të pavërteta – mundohen ta mohon të drejtën dhe autoktoninë e popullit shqiptar ndaj lashtësisë së vet pellazgjiko-ilire.
Pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos pas revolucionit shqiptar në Kosovë në vitin 1981, arkeologët serbë merren me hedhjen poshtë të teorisë pellazge-ilire të etnogjenezës shqiptare. Ka shumë raste kur në mënyra të ndryshme njësoj veprojnë edhe shkencëtarët në Maqedoni, siç është shembulli më eklatant të një farë dr. Petar Popovski apo të akademik Bllazhe Ristevskit, të cilët në shkrimet e tyre “shkencore” , mundohen të mohojnë autoktoninë ilire të shqiptarëve. I veçuar është rasti i arkeologut të njohur serb, M. Garashanin, i cili shkroi në vitin 1955 një artikull në revistën “Përparimi” të Prishtinës, ku argumenton se shqiptarët janë pasardhës të dardanëve fis i njohur ilir. Mirëpo, në vitet që pasuan ai iu bashkua gjithnjë e më shumë studiuesve të tjerë serbë që nuk e pranonin prejardhjen ilire të shqiptarëve. Ky ndryshim u bë edhe më i dukshëm te problemi i Ilirisë së dardanëve që banonin në rajonin e Kosovës. Kjo çështje u bë një nga më të diskutueshmet në shkencën arkeologjike dhe historike serbe, duke marrë pas vitit 1981 një karakter të dukshëm politik. Serbët sulmonin me forcë idenë se dardanët i përkisnin etnisë ilire, jo pse kishin argumente shkencore që t’i shpinin në përfundime të tilla, por thjesht se serbët dhe disa të tjerë edhe në Maqedoni edhe më tutje donin ta mbanin Kosovën si koloni serbe. Shkencëtari serb shpejt harroi se në vitin 1955 si dhe në vitin 1973 në sintezën e tij “Për Serbinë Parahistorike”, Garashanin atëherë shprehet hapur se dardanët, sipas onomastikës së tyre, janë ilirët-shqiptarët.
I njejti rast është edhe me një dr. Dushko Hr.Konstantinovin. Ky historian nga Manastiri, në një shkrim të tij, botuar në Muzeun Popullor të Maqedonisë, nr.1 mars 1966, shkruan: “Shqiptarët janë banorë më të vjetër në Gadishullin Ballkanik dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan”.
SHKENCTARI SERB GARASHANIN DHE AI MAQEDONAS KONSTANTINOV NDËRROJNË MENDIMIN SHKENCOR!
Kur Akademia e Shkencave dhe e Arteve Serbe e Beogradit organizoi në vitin 1986 një sërë konferencash kushtuar lidhjeve midis ilirëve dhe shqiptarëve, tani Garashanin, nga pozita të reja kuazishkencore, me ide raciste-fashiste serbomadhe u shpreh qartë se “dardanët nuk mund të quhen ilirë”. Edhe ky mjeroni tjetër, Konstantinov, nga Manastiri, duke qenë besnik patronit të vet ndërron mendimin e tij shkencor, nëse edhe ky e ka pasur fare. Pas ngjarjeve të vitit 1981 ose më mirë të themi pas Kryengritjes Shqiptare të vitit 1981, ky shkencëtar ndryshon mendimin dhe qëndrimin e ti ndaj historisë shqiptare njësojë si kolegu serb Garashanin, se shqiptarët nuk janë rrjedhë e ilirëve të vjetër, bile ky edhe Kongresin i Alfabetit shqip në Manastir 1908,e quan si një mbledhje e rastësishme e disa intelektualëve shqiptarë. Sa gjë e ulët, sa poshtërsi e paturpësi për një shkencëtar, i cili e vë në pikëpyetje edhe etikën e vet shkencore për qëllime të të errëta shoveniste të politikës ditore millosheviqiane që ishte në ekspanzion… por edhe të politikës raciste e cila pretendon se shqiptarët nuk duhet ta kenë atë që historikisht u takon, e sidomos atë që ka vlera të larta, siç është historia autentike e lëvdishme shqiptare dhe shumë personalitete të mëdhenj të historisë, artit dhe shkencës shqiptare… Qëllimi i tyre përveç atij grabitës, është edhe synimi që shqiptarëve t’u mveshin vetëm gjëra negative, banditeske e horllëqe…, e kurrsesi vlera që kanë dimension të gjerë civilizues evropian dhe botëror. Shtypi serb, po edhe ai në Maqedoni, duke u bërë jehonë shkrimeve të studiuesve nacionalistë, nisi një fushatë denigruese ndaj shkencës shqiptare. Në të u bashkuan shumë “shkenctarë” serbë e maqedonas sllavë, por dhe ndonjë shqiptar shpirtshitur me titull shkencor, u vunë në shërbim të politikës ekspanzioniste serbomadhe, duke u pozicionuar me vetëdije në anën e krimit dhe nëpër gazetat e Beogradit paraqiteshin me intervista ose shkrime të tyre siç është gazeta “Osmica” “Duga”dhe disa të tjera të cilat nga shqipfolës pas vitit 1981 gjer në vitin 1992 ishin me plot shkrime me përmbajtje antishqiptare dhe raciste.Vërte ishte habi të lexohen shkrimet nga intelektualë shqiptar në gazetat e krimit të Beogradit kundër etnisë së vet. Gazetat janë ende në biblioteka dhe mund të lexohen e të shikohet marrëzia e këtyre njerëzve intelektualë si u pozicionuan në vijën e politikës kriminale. Po t’i lexoni shkrimet në “Osmica” të viteve 1988 vetë do sillni pëfundime se çfarë njerëz kanë udhëhequr me kulturën dhe arsimin shqiptar….Mund të shikohen edhe gazetat shqiptare të asaj kohe, ku disa gazetarë dhe publicistë e “shkencëtarë” shqiptarë u vunë në shërbim të fushatës antishqiptare që e zhvillonte KQ i LKJ-së dhe një pjesë e madhe masmediave serbe dhe në Maqedoni etj., që ishte tërësisht nën dominimin e nacionalizmit serbomadh. Në faqet e gazetave të asaj kohe duhet të lexohen dhe të shikohet fushata e egër antishqiptare…të shikohen edhe disa protagonist shqipfolës që me shkrimet dhe intervistat e tyre në gazetat shqiptare ose ato serbe, maqedonase…e ndihmonin këtë fushatë, siç ishin Halit Tërnava, profesor i gjuhës shqipe në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit, Sejdo Bajramoviq, politikan shqiptar ose më mirë me thënë antishqiptar dhe disa të tjerë profesora, magjistra, doktora…
Do të ishte e pamundur të flitej tërësisht për këtë fushatë mediatike, mjafton të përmendim vetëm një rast thuajse zbavitës të kësaj propagande staliniste në Zagreb në vitin 1982. Dy vjet më parë, më 1980, u botua vëllimi i parë i Enciklopedisë jugosllave (botimi i dytë), ku ishin edhe dy artikuj të titulluar “Albanci” (Shqiptarët) dhe “Albansko jugoslovenski odnosi” (Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare). Në faqet 75 – 79, historiani shqiptar Ali Hadri kishte një pjesë të artikullit “Shqiptarët”, ku bënte fjalë për origjinën dhe zhvillimin e popullit shqiptar dhe ku mbështeste mendimin se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve. Të njëjtën gjë e pohon edhe gjuhëtari Idriz Ajeti kur flet për origjinën e gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo është rrjedhojë e gjuhës ilire. Sapo kishte dalë ky vëllim, shpërtheu revolucioni kosovar 1981. Në këtë kohë duhej të përgatitej botimi serb i të njëjtit libër, mirëpo përfaqësuesit serbë në redaksinë qendrore nuk donin të pranonin tekstin që tashmë ishte shtypur në botimin kroat (i pranuar nga vetë ata!), por këmbëngulnin që këta dy artikuj të ribëheshin sipas mendimeve të historiografisë serbe! Lindi kështu një debat i gjatë dhe i rrëmbyeshëm në mjedisin e redaksisë qendrore që shumë shpejt pati jehonën e vet në gazetat e Zagrebit dhe të Beogradit, por edhe në Maqedoni. U bënë dhjetë recensione nga historianët dhe nga arkeologët për të arritur në një version të ri të këtyre artikujve.
Aso kohe, anëtarët serbë të redaksisë qendrore nuk mund t’ua impononin të tjerëve mendimin e tyre stalinist, kështu që në versionin e ri të botimeve të tjera të Enciklopedisë jugosllave u bënë ndryshime në tekst, por autorët serbë dhe disa autorë të popujve tjerë sllavë, nuk ia dolën të hiqnin atë që donin, pra pohimin se shqiptarët janë bijtë e ilirëve. Meqë nuk mund të ndryshonte atë që ishte shkruar tash në botimin kroat, botuesi i Enciklopedisë jugosllave shtypi versionin e ri të të dy artikujve që iu dërgua pajtimtarëve me kërkesën që ta inkorporonin në enciklopedi. Diskutimi i redaksisë qendrore të Enciklopedisë jugosllave shumë shpejt e pati jehonën e vet edhe në qarqet politike. Marrëzia dhe paturpësia arriti kulmin, kur në Kongresin e nëntë të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë që tanimë ishte tërësisht shoveniste u mbajt në Beograd nga 27 deri më 29 maj 1982, shpërtheu një polemikë e madhe për problemin e etnogjenezës së shqiptarëve. Natyrisht, kongresi i një partie politike nuk është vendi i përshtatshëm për të diskutuar probleme të tilla shkencore, por dukej qartë tashmë se ky problem ishte politizuar dhe shkencëtarët dhe politikanët serbë e sllavë të tjerë ishin bërë tanimë një dhe flitnin me të njëjtën gjuhë “shkencore” bolshevike. Shkencëtari dhe gjuhëtari i madh shqiptar, doktor Idriz Ajeti, duke folur për këtë çështje, shtroi pyetjen se përse këta dy artikuj u shërbyen studiuesve serbë, si dhe gazetarëve, për ta politizuar problemin, pasi një forum politik si ky nuk mund t’i zgjidhë problemet shkencore. Prof. Ajeti u sulmua nga të gjitha anët edhe në kongres nga delegatët e kongresit të djallit edhe në gazetat serbe dhe në gazeta tjera , por ai me një guxim dhe dituri konsekuente shkencore e mbrojti tezën e lidhjes gjuhësore midis ilirishtes dhe shqipes dhe në mënyrë të prerë u tha se vazhdimësia etnike e drejtpërdrejtë e shqiptarëve është nga ilirët. Lidhur me këtë rast u prononsuan më vonë disa shkenctarë shqiptarë, si akademik Rexhep Qosja, Aleksandar Stipçeviq në një tekst të shkruar të tij dhe shumë të tjerë.
Në Maqedoni ka pasur dhe ka orvajtje që të përvetësohet pasuria shpirtërore shqiptare. Ndër personalitetet që i kanë tërhequr vjedhësit janë Skënderbeu, Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereze… Kështu përshembull një “historian” i quajtur Petar Popovski këtu në Maqedoni po paraqitet publikisht me tezën e tij “shkencore” se heroi kombëtar Gjegj Kastrioti – Skenderbeu është me origjinë mijake i maqedonasve të tanishëm. Ky farë “historiani” paska “hulumtuar” aq shumë sa paska ardhur në konkluzione se Skenderbeu nuk qenka shqiptar por maqedonas. Ky lloi psitacisti mizer ballkanik qenka rraskapitur duke “studiuar” e lexuar që më në fund të gënjejë se ka hulumtuar në shumë qendra evropiane dhe të gjithë këtë mund dhe mjete materiale që i ka harxhuar vetëm e vetëm të thotë një gënjeshtër mizere se Skenderbeu nuk na qenka shqiptar.
Është humbje kohe vërtet të merresh me këso marrina që fabrikohen nga shkencëtarë infantilë. Defakto këto shembuj qartë flasin se për çfarë shkence bëhet fjalë. Kjo tregon se në Maqedoni harxhohen mjete financiare edhe për gënjeshtra dhe për libra tipike të kuazishkencës siç është ky rasti me këtë hajdut të pronës shqiptare. Mendoj se nuk ka nevojë të shqetësohemi nga këta kuazishkencëtarë, sidomos kur kemi parasysh argumentet e Frank Bardhit që i dha në Apologjinë e tij në mbrojtjen e nacionalitetit të yllit tonë kombëtar, i cili me argumente shkencore i deklason të gjithë hajdutët ballkanikë që kanë zakon të vjedhin pronën e huaj e sidomos atë shpirtërore ose margaritarët e kombit tonë. Ne duhet këta vjedhës dhe gënjeshtarë t’i këshillojmë se e huaja kur nuk bëhet e jotja. Krijo tënden e mos vjedh të huajën…! Ose shembullin që na sjellë historiani i njohur shqiptar nga Maqedonia, dr. Nebi Dervishi. Në një shkrim botuar në gazetën e përditshme ”Koha”, botuar më 6 tetor, 2009, ja si historiani shprehë habinë e tij: “Duke shfletuar Enciklopedinë e përgjithshme maqedonase, botuar në vitin 2006, nën redaktimin e Jovan Pavllovskit, në mesin e shumë ngjarjeve, figurave që bëhen përpjekje të përvetësohen, është edhe figura e madhe e muzikës mesjetare, kompozitori e reformator i muzikës bizantine, Jan Kukuzeli, me origjinë shqiptare nga qyteti i Durrësit. Në faqen 867 të Enciklopedisë maqedonase të Jovan Pavllovskit, në mes tjerash lexojmë: “Jovan Kukuzel është i lindur në fshatin Xhermenci, rajoni i Dibrës. Jetoi në shekullin XIV dhe ishte këngëtar maqedonas, kompozitor dhe teoricient i muzikës… Është përfaqësues më i shquar i kulturës mesjetare maqedonase”.
Por, e vërteta është krejtësisht ndryshe, ajo nuk ka të bëjë fare me muzikën dhe prejardhjen sllavo-maqedone. Do të fillojmë me radhë. Në fillim të tetorit 2008, në kuadër të “Vjeshtës Muzikore Strugane”, u mbajt Konferenca ndërkombëtare e etnomuzikologëve nga më shumë vende të botës. Në konferencë muzikologu nga Shkupi, Marko Kollovski, në kumtesën e tij, duke iu referuar njëfarë kronisti rus, Gasman, disa herë theksoi se Jan Kukuzelli është bullgar. Po në këtë Konferencë mori pjesë edhe prof. dr. Eno Koço, dirigjent dhe muzikolog i shquar nga Tirana, i cili shfaqi habinë e madhe kur me veshët e tij dëgjonte referuesit maqedonas për origjinën e Jan Kukuzelit dhe në një moment do të shpërthejë: “Si ka mundësi Kukuzeli të trajtohet bullgar, ndërkaq dikur e trajtonin diçka tjetër. Sipas studiusve dhe historianëve të muzikologjisë shqiptare, Jan Kukuzeli është muzicient, kompozitor e reformator bizantin me origjinë shqiptare.
Duke studiuar historinë e muzikës mesjetare në përgjithësi është e nevojshme të shtohet diçka rreth kontributeve që dhanë shqiptarët në të. Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës bizantine, për shembull, luajti autori me origjinë shqiptare nga Durrësi, Jan Kukuzeli, i lindur më 1280 në Durrës. Që në fëmijëri tërhoqi vëmendjen për dhuntinë e zërit të bukur. U pranua në shkollën e pallatit perandorak në Konstandinopojë, ku u shqua si më i afti dhe u mbiquajt Kukuzeli. Ishte drejtues i këngëtarëve antik dhe mjeshtër i kapelës perandorake. Bëri emër si këngëtar dhe arriti të bëhet muzikant më i madh dhe reformator i Konstandinopojës në shek. XIV. Pasi ra në kontradiktë me perandorin e Bizantit, shkoi dhe u vendos në malin Athos, në manastirin Laura e Madhe, ku u mor tërë kohës me studime muzikore.
Në mes tjerash, krijoi sistemin e shkrimit muzikor, i quajtur shkrimi ‘kukuzeli’, që paraqitet si fazë e tretë e semiografisë bizantine. Sistemi kukuzelik përdorete 40 e ca germa grafike dhe bazohej në rrathët muzikorë. Këtë sistem e shtjelloi në një traktat të veçantë me titull “Fillimi i shenjave psaltike”. Notacioni muzikor i Kukuzelit u përdor për afro disa shekuj në muzikën kishtare dhe deri në reformën që bëri Krisanth Moditi, në shek.XIX. Jan Kukuzeli ishte edhe pedagog, poet e himnograf. Shkroi disa vepra didaskalike të rëndësishme për historinë e muzikës. Studiuesit kanë vënë re në muzikën e tij disa jone, që të kujtojnë muzikën popullore të Shqipërisë së Mesme. Me këtë lidhet edhe çështja e sekondës së zmadhuar, si dhe e barbarizmave që bashkëkohësit e Jan Kukuzelit vërenin në muzikën e tij. Disa nga krijimet e tij kryesore janë himnet: “Aniksandri”, “Kënga e Kerubinëve”, “Psalmi 107”, Polilei etj. Vdiq në Laura, ndërrmjet viteve 1360-1375. Pra, Jan Kukuzeli lindi në Durrës dhe u formua si muzikolog në Konstandinopojë, ku edhe ushtroi veprimtarinë. Rëndësia e tij në historinë e muzikës bizantine është se Kukuzeli ishte një reformator i shquar që solli një shërbim të madh në sistemin e shkrimit muzikor bizantin, duke e bërë këtë më të kapshëm dhe më të saktë. Do të shtoj edhe këtë, se janë të pashpresa tentimet e studiuesve maqedonas që mundohen t’i përvetësojnë figurat historike, e në këtë kuadër është Jan Kukuzeli, i cili pa dyshimin më të vogël është shqiptar (arbër) nga Durrësi. (koha.mk)