Beteja për Alepon – dhjetëra të vrarë, me mijëra braktisin qytetin

Përparimi i forcave qeveritare dhe përshkallëzimi i ofensivës ushtarake në lindje të Alepos i kushtoi jetën dhjetëra civilëve gjatë orëve të fundit, ndërsa rebelët tërhiqen gjithnjë e më shumë në pamundësi të ndalin vrullin e forcave të Bashar al Assad dhe aleatëve rusë. Observatori sirian për të drejtat e njeriut tha se të paktën 30 persona u vranë si pasojë e bombardimeve të artilerisë në zonën Jubb al-Qubbeh, ndërsa aktivistë nga terreni raportojnë për më shumë viktima.  Megjithëse shifrat është e pamundur të verifikohen në mënyrë të pavarur nga mediat, eksodi masiv i civilëve nga zonat lindore të Alepos tregon se përleshjet atje kanë arritur një kulm të ri dhe për banorët nuk ka më vend ku të fshihen, duke lënë arratinë zgjedhjen e vetme. Dhjetëra mijëra civilë janë detyruar t’ia mbathin për shkak të luftimeve, ndërsa OKB shprehu shqetësim të thellë për fatin e tyre dhe të mijëra të tjerëve që janë të bllokuar në zonat e rrethuara.  Për këtë arsye, Këshilli i Sigurimit do të zhvillojë një mbledhje emergjence për krizën humanitare që po verifikohet në Alepo, e cila nga disa zyrtarë të OKB është cilësuar si zbritja drejt ferrit.  Franca, e cila kërkoi takimin, tha se lufta civile e Sirisë që zgjat prej 6 vitesh, nuk mund të zgjidhet me një nga masakrat më të mëdha ndaj popullatës civile që prej Luftës së Dytë Botërore.  Komuniteti ndërkombëtar po kërkon gjithnjë e më fort një zgjidhje politike, diçka që Këshilli i Sigurimit s’ka mundur ta bëjë prej vitesh, sidomos prej vetove të Rusisë. Kjo e fundit është aleati më i madh i presidentit sirian Bashar al Assad dhe ktheu fatin e luftës në favor të tij që kur nisi fushatën e bombardimeve ajrore në shtator 2015.  Rusia fajësohet për pjesën më të madhe të shkatërrimit në Alepo, por Moska është përpjekur të distancojë veten nga ofensiva aktuale, duke thënë se nuk bombardon në Alepo që prej datës 18 tetor.