Një pjesë e trupit votues shqiptar nuk do ta ketë euforinë si në zgjedhjet e kaluara që kishte ndaj LSDM-së dhe premtimeve boshe e megalomane. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i votave shqiptare pritet të derdhet në konton e kësaj partie maqedonase. Në anën tjetër, një numri minor i votave shqiptare do të derdhet edhe në konto të VMRO-DPMNE-së opozitare, shprehen njohësit e zhvillimeve politike në vend
Destan JONUZI
Shkup, 23 janar – Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fitoi 10 mandate deputetësh, ndërsa Lëvizja BESA me vetëm dy vite në skenën politike, në këto zgjedhje fitoi 5 mandate. ASH-ja e Ziadin Selës 3 mandate dhe dy mandate PDSH-ja e Menduh Thaçit. Në total shqiptarët nga këto zgjedhje dolën të jenë të përfaqësuar në Parlament me 20 deputetet. Kjo ishte një goditje e madh për subjektet politike shqiptare pasi që numri i deputetëve shqiptarë nga 27 sa ishte, ra në 20-të. Kjo situatë nuk ishte edhe aq befasuese pasi që shqiptarët e pakënaqur dhe revoltuar nga regjimi i Gruevskit, shpëtimtarin e tyre e shihnin në figurën e opozitarit të atëhershëm dhe pushtetarit të tanishëm Zoaran Zaev. LSDM-ja e Zaevit edhe pse kishte humbje në disa zona etnikisht të pastra maqedonase, këto disfata i kompensonte me fitore nëpër fshatrat shqiptarë dhe vendbanimet urbane ku jetonin edhe shqiptarët.
Sipas analizave të LSDM-së numri i shqiptarëve që i dhanë mbështetje kësaj partie dhe konceptit, sipas tyre, qytetar, sillej nga 50 mijë deri në 70 mijë. Përderisa këto vota ishin shpëtim për LSDM-në, për shqiptarët, sidomos për BDI-në e Ali Ahmetit kjo ishte një goditje e madhe, pasi që partia e tij humbi në zonat e luftës si Haraçinë dhe Tanushë, nga ku lindi UÇK-ja në vitin 2001, madje këto vendbanime konsideroheshin ndër vite edhe si bastione të BDI-së.
Ndërkohë që zgjedhjet parlamentare të 12 prillit po afrohen, LSDM po punon që të ruaj këtë ndikim dhe prezencë politike në elektoratin shqiptar me qëllim që të sfidojë edhe njëherë VMRO-DPMNE-në, ndërsa partitë shqiptare po hartojnë strategji se si ti kthejnë këto vota në konton e tyre dhe me këtë të rrisin numrin e deputetëve shqiptarë në Parlament.
Por a do ti bindin këto parti shqiptarët se ata janë artikuluesit e vërtetë të kërkesave të tyre?
“Kjo do të ndodhë vetëm në rast se bëhen bashkë Besa, Aleanca dhe Alternativa. Në rast se nuk i lëshojnë pe njëra tjetrës, atëherë fitues do të jetë LSDM, së cilës mosbashkimi i votës së partive të lartpërmendura do t’ia dyfishonte votat”, thotë për KOHA, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Shpëtim Pollozhani.
Në anën tjetër, gazetari vetera, Ismail Arsllani, vlerëson se një pjesë e trupit votues shqiptar nuk do ta ketë më euforinë që kishte ndaj LSDM-së dhe premtimeve boshe e megalomane ndaj shqiptarëve të liderit të saj, Zoran Zaev, si në zgjedhjet e kaluara.
“Një pjesë e trupit votues shqiptar nuk do ta ketë euforinë që kishte ndaj LSDM-së dhe premtimeve boshe e megalomane të liderit të saj, Zoran Zaev q; kishte ndaj shqiptarëve, siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i votave shqiptare pritet të derdhet në konton e kësaj partie maqedonase. Në anën tjetër, nuk pres që shqiptarët të japin vota për partinë VMRO-DPMNE, pos një numri minor. Kjo do të ndodhë, sikundër që ka ndodhur edhe herrave të tjera, me koalicione konfidenciale, interesash partiake, por kësaj here kryesisht për shkak të dëshpërimit të elektoratit shqiptar për mungesë ofertash shpresëdhënëse programore dhe dezorientimit politik të qytetarëve, por edhe për shkak të mosunifikimit të opozitës shqiptare dhe zënkave mes tyre të kurdisura dhe kundër-produktive”, shprehet Arsllani.
Ndërkaq, analisti Gazmend Ajdini konstaton se votuesi shqiptarë nuk ka parë artikuluesin e kërkesave të tyre te partitë maqedonase, por interesat e tyre individuale. “Nuk jam i mendimit se votuesi shqiptar ka parë tek partitë politike maqedonase artikulues të vërtet të kërkesave kolektive të shqiptarëve, por vota shqiptare në favor të partive politike maqedonase ka qen për shkak të dy aspekteve; e para ajo që ka prapavijë interesat individuale ose ajo që e quajmë votë klienteliste, që nuk mund të themi se nuk është e pranishme edhe tek partitë politike shqiptare. E dyta është edhe më esenciale, vota shqiptare ka shkuar në favor të partive politike maqedonase në momentin kur është kuptuar se ajo është mënyra për zgjidhjen e disa çështjeve të cilat nuk mund të zgjidhen me votimin e partive shqiptare. Ky ishte rasti në vitin 2016, kur vota shqiptare ishte për dënimin e një subjekti politik i cili haptas ishte kundër realizimit të aspiratave politike të shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi për KOHA, Ajdini.
Ndryshe, më 3 shkurt pritet të shpërbëhet Parlamenti dhe me këtë edhe zyrtarisht të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Ndërkohë, 20 ditë para mbajtjes së tyre fillon fushata elektorale në të cilën partitë politike duhet të bindin elektoratin për të votuar platformat e tyre. Në këtë drejtim pritet të jetë edhe beteja mes LSDM-së dhe partive shqiptare për ta mbajtur ose rikthyer elektoratin e humbur. (koha.mk)