Fillimi i fushatës gjashtë muaj para se të mbahen zgjedhjet e lodhin votuesin, por i lodhin edhe strukturat partiake. Sipas njohësve të çështjeve politike, më e rëndësishmja është se fushata e lodh edhe votuesin e papërcaktuar, atë votues i cili nuk voton emblemën partiake dhe kjo, siç shprehen ato, mund të ketë efekt negativ
Destan JONUZI
Shkup, 9 nëntor – Edhe pse sipas Kodit zgjedhor, fushatat e partive politike për zgjedhje fillojnë 20 ditë para ditës së votimit, në Maqedoni kjo normë ligjore vazhdon të mos respektohet. Partitë politike gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit, të cilat madje ende zyrtarisht nuk janë shpallur, kanë filluar aktivitetet e tyre në terren, sikur zgjedhjet të mbahen nesër, shkruan gazeta KOHA.
Takimet e tyre me qytetarë i ngjajnë fushatave parazgjedhore, ndërsa efekti i tyre, sipas njohësve të çështjeve politike në vend, mund të jetë negativ. Sipas tyre, qytetarët tanimë janë mësuar të dëgjojnë gjithçka nga liderët politik përveç projekteve konkrete. Por, cili është efekti i fushatave të parakohshme dhe të zgjatura? A ndikon kjo në uljen e numrit të votuesve që dalin në zgjedhje? A e lodhin qytetarin?
“E lodhin fizikisht, mendërisht e materialisht. Kjo për shkak të mungesës së asaj që quhet ofertë e program apo edhe strategji elektorale! Në vend se partitë të shkojnë tek votuesi, ato e bëjnë të kundërtën: e ndjellin, e ‘mjelin’ dhe gjithë kjo e rrit armatën e atyre të cilët, për arsyet e mësipërme, janë indiferentë! Në këtë nuk duhet harruar as faktin se edhe pas gati tri dekadash, partitë e partiçkat tona jo të pakta mbeten të paprofilizuara ideologjikisht”, deklaroi për KOHA, Seladin Xhezairi, kryeredaktor i TV Klan-Maqedonia.
Nga ana tjetër, analisti Faton Aliti vlerëson se fushata e zgjatur parazgjedhore e lodh votuesin, por i lodhin edhe strukturat partiake. “Më e rëndësishmja është se lodhin edhe votuesin e papërcaktuar, atë votues i cili nuk voton emblemën partiake dhe i cili pothuajse gjithmonë është përcaktues për fituesin e zgjedhjeve. Në fushatën parazgjedhore, e cila fillon disa muaj më herët, në kushte kur interneti mundëson lloj-lloj propagande, e cila është e pamundur të kontrollohet nga shtabet partiake, sigurisht se qytetari i interesuar për zhvillimet politike, i cili rrjedhimisht është votues aktiv, ka rrezik të shndërrohet në votues pasiv. Kjo është një ndër arsyet më të mëdha që ulin daljen në zgjedhje. Sepse, votuesi i lidhur me strukturat partiake gjithmonë del në zgjedhje”, deklaroi Aliti. Prandaj, shprehet ai, duhet ndaluar fushatat e bazuara në nxirjen e tjetrit dhe liderët politik të fokusohen në ofertë konkrete.
Përveç fjalimeve standarde, puthjeve, duartrokitjeve me simpatizantë dhe qytetarë, në tribunat dhe takimet me qytetarë të partive politike mes oponentëve politik në vazhdimësi dëgjohen edhe akuza të ashpra. Ndërkaq, përveç aktiviteteve të liderëve politik, partitë politike në vend kanë filluar të praktikojnë edhe shkëmbimin e akuzave mes tyre edhe me anë të komunikatave me shkrim. Në bllokun politik maqedonas, LSDM e Zoran Zaevit ka filluar fushatën “Në rrugë të mbarë”, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare vijon takimet me qytetarë me sloganin “Për Ripërtërirje”. Nga ana tjetër, liderë politik shqiptarë shfrytëzojnë çdo takim të tyre me strukturat partiake për të dërguar porosi ndaj oponentëve politikë, ndërsa militantët e tyre më vulgarë janë në rrjetet sociale. Gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të planifikuara për 12 prill të vitit 2020, përshtypja e opinionit është se partitë kanë filluar fushatën elektorale dhe se siç shprehen qytetarët, “herët kanë filluar, do na lodhin deri në mot”.
Në bazë të dakordimit të liderëve politik në takimin në vilën presidenciale në Vodno, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 12 prill të vitit 2020, ndërsa Parlamenti duhet të shpërbëhet deri më 11 shkurt. 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve me Qeverinë udhëheq kryeministër teknik, ndërsa pjesë e saj është edhe partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE me disa ministri, në mesin e të cilëve udhëheq edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme. (koha.mk)