Beteja e vetmuar e Zaevit

88

Të thuash “fashistë” për bullgarët, është sikur bullgarët t’i bësh italianë, ndërkaq fati e deshi që ata të jenë më shumë aleatë të nazistëve gjermanë. Për librat e historisë ndoshta nuk është vështirë të hiqet “fashizmi”, por, një ushtri e huaj s’mund të jetë tjetër pos okupator, apo ndoshta edhe këtu ka një finesë…?

Nga Daut DAUTI

  1. KËMBËNGULJA PËR TA SHPËTOJË MIQËSINË

Kryeministri Zoran Zaev ka vendosur dosido ta marrë Nobëlin. Njëherë e përmendën bashkë me Ciprasin, pas mbylljes së kontestit për emrin, kurse tash, me gjithë oratorinë e vrazhdë nga Sofja, ai përgjigjet qetë, dhe me çdo kusht dëshiron ta ruajë miqësinë nga marrëveshja homonime që e ka nënshkruar me kryeministrin Bojko Borisov. Bojko Borisov po del jashtë loje, ai me “lojtarët” e vet, paksa si tepër i ngritën llafet, dhe s’mund t’i bëjnë garë Zaevit për Nobël. Ai don ta shpëtojë miqësinë, qoftë edhe duke dhënë “autogola” në këtë lojë të pabarabartë. Të pabarabartë, jo vetëm pse “miqtë tanë bullgarë” mundohen t’i fusin “baxhaka” (topin nëpër këmbë), po pse papritur vetë ai u harrua se ku gjendet, dhe edhe “lojtarët” e vet ja i largoi nga fusha, ja ata e lanë vetëm! Për më tepër, duket se edhe ata po luajnë në anën e kundërt: Pendarovski që ia ktheu se ka përvojë, edhe Mickovski që e çon zërin gjer në kupë të qiellit duke i organizuar popullin para qeverisë, madje edhe ish-mentori i tij politik, Cërvenkovski…e, kuptohet, edhe historianët me gjithë akademikët.

Kështu është kur dëshiron të hysh në histori me çdo kusht, duke marrë mbi supe një mal telashesh të vendit sa s’mund t’i mbash.

Pas intervistës që Zoran Zaevi ia dha agjencisë bullgare BGNES, hapet një faqe e re politike e historike, ku ja gjërat do të përmirësohen duke relativizuar gjithçka, ja Zaevi do të shkojë vetë në histori. Aty duket tendenca e qartë e tij, përpjekja e fundit për ta shpëtuar miqësinë që dëshiron ta prishë Bullgaria, duke i vënë thera rrugës për BE (si Brahimi i katundit tim për të cilin thonë se e kishte zënë me thera rrugën Shkup-Tetovë dhe me këtë hyri në gojëdhënat e katundit!), vetëm pse në një moment udhëheqësisë së këtij shteti i është kujtuar se “tash është momenti” për t’ia mohuar Maqedonisë gjithë ç’është e mundur t’i mohohet! Zaevi për t’ua ngrohur shpirtin miqve, përdori fjalor tepër miqësor, që të lë një përshtypje “të bukur artistike” në skenën bullgare (Karakaçanovi menjëherë e lëvdoi, por pohimin se dy popujt kanë një origjinë nuk i mjafton, pa e thënë se ato janë rrënjë bullgare!), por duke mos menduar fare se si do të duket kjo te Mickovski dhe te anëtarët e komisionit për çështje historike e arsimore, ku duhen harmonizuar qëndrimet për disa çështje të së kaluarës. Dhe duket se ka rrëshqitur jo pak, me çka mund ta humbë krejt drejtpeshimin politik, por dhe ka thënë edhe disa të vërteta, për të cilat kanë folur para tij edhe disa të tjerë, ku drejtpërdrejt, e ku midis rreshtash! Duke qenë se në kërkesat e Bullgarisë ka gjëra iracionale, Zaevi edhe atyre mundohet t’u japë përgjigje racionale, duke anashkaluar faktin se gojëmbëlsia e tij nuk mund t’i mbulojë faktet historike.

Cilat janë poentat që o do ta varrosin politikisht Zaevin, ose do ta ofrojnë drejt Oslos, për t’u bërë i treti kandidat për Nobël nga Maqedonia, pas Nënë Terezës dhe Ferid Muradit?

Zaevi nxiton t’u lëvdohet bullgarëve se janë hequr mbi 20 tabela(këtë e përgënjeshtron ministrja e tij e kulturës, hajt bela!), ku është shkruar “fashistët bullgarë”? Çështja e këtij farë “fashizmi” u bë shumë e ndjeshme për miqtë bullgarë, por kjo nuk është aspak një çështje për një kryeministër, por si e porositën disa historianë, kjo është çështje e historisë. Në Bullgari momentalisht janë forca politike të cilat e kanë mëni komunizmin jo aq për shkak të ideologjisë së mbrapshtë, por për shkak se në atë regjim maqedonasve në Bullgari u është pranuar e drejta e kombësisë, madje pas luftës së dytë edhe u janë hapur shkolla në gjuhën maqedonase, ku kanë punuar shumë mësues nga Maqedonia dhe përfundimisht i kanë shuar të gjitha pretendimet se mund ta rikthejnë ndonjëherë. Prandaj e urrejnë hapur Gjorgji Dimitrovin që “i shtyrë nga Kominterna” ka pranuar ekzistimin e “popullit artificial”…Po të njëjtat forca politike, duan të retushojnë historinë dhe në këtë kuadër sigurisht është edhe njolla(për të cilën nuk u kanë faj maqedonasit) e bashkëpunimit me Gjermaninë naziste. Ky kapitull i historisë, ndoshta dhe ka një motivim tjetër, e ky, që Cari Borisi duke u futur në Boshtin Tripalësh Berlin-Romë-Tokio, ka dashur të rikthejë kufijtë e Bullgarisë së Shën Stefanit(gjer në Ohër e pak edhe në Shqipëri), pra ta rikthejë Maqedoninë që përfundimisht u humb në Luftërat Ballkanike. Mirëpo, duke bërë pakt me Hitlerin, Car Borisi pranon edhe kushte për të zbatuar politikat që i zbatonte vetë Hitleri kundër hebrenjve dhe ky është një fakt i pakëndshëm. Edhe pse ligjin për hebrenjtë bullgarë e kishte sjellë parlamenti, edhe pse shumë intelektualë e forca progresive bullgare kishin qenë kundër(shkrimtari Elin Pelin etj.), pjesë e planit për deportimin e hebrenjve në kampe famëkeqe ishte realizuar, madje një pjesë e këtij plani ishte realizuar pikërisht në Maqedoni, ku Hitleri ua kishte mundësuar ta pushtojnë ose, si thonë disa qarqe bullgare, “ta administrojnë”. Këtë administrimin e përmend edhe Zaevi në intervistën e përmendur. Por, çkado që të bëjë, çështja nuk mund të jetë bardhe e zi. Ndoshta atributi “fashist” pranë “okupatorit” mund të tingëllojë vrazhdë, por gjithsesi, nuk mund ta ikësh nga fakti se ushtria bullgare ishte e huaj dhe ishte pushtuese. Mirëpo, mund të gjendet ndoshta arsye te përdorimi i gabuar i këtij atributi, sepse, ndër ushtritë pushtuese të ish-Jugosllavisë, fashistë kanë qenë vetëm italianët, kurse gjermanët kanë qenë nazistë, kurse bullgarët vetëm aleatë të tyre. Vërtetë, të thuash “fashistë” për bullgarët, edhe pse fashizmi ka hyrë si një term i përgjithshëm për të gjithë pushtuesit, është sikur bullgarët t’i bësh italianë, ndërkaq fati e deshi që ata të jenë më shumë aleatë të nazistëve gjermanë. Për librat e historisë ndoshta nuk është vështirë të hiqet “fashizmi”, por, një ushtri e huaj s’mund të jetë tjetër pos okupator, siç tha historiani Gjeorgjiev, apo ndoshta edhe këtu ka një finesë…?

 

  1. BETEJA E TË VËRTETËS SË ARTAN GRUBIT

Nga një shkëndi bëhet zjarr, nga një element minor, bëhet një e vërtetë e madhe. Kjo, në diskursin manipulativ. Organizata “Civil” i kishte bërë analizë pikërisht një diskursi të tillë të portaleve, të cilat nga një konfirmim nga goja e vetë zv.kryeministrit Artan Grubi se ka qenë përkthyes i ekipit hetimor të Gjykatës së Hagës(që e tha në një emision debativ në një TV shqiptar para do kohe), u lëshua një ortek manipulimesh nga më të ndryshmet, që me të drejtë e spikat ekipi monitorues. Sepse, manipulimi ka shkuar në vijën e kontekstit që mediat iu vunë Lulzim Bashës, përmes Milaim Bellanicës (ai edhe më parë e ka përmendur si personin, të cilit ia ka dhënë kasetën origjinale për masakrën e Krushës), që duket se Partia Socialiste po e shfrytëzon si argument për “rolin destruktiv” të liderit demokrat. Por, në dallim nga Basha, Grubi vetë e sqaroi edhe kohën dhe vendin ku ka qenë i angazhuar. Prej nga, pra, pozicionin e përkthyesit në Tribunalin e Hagës, dikush e lidhi me krime lufte, siç bënë disa emra jo të panjohur të skenës politike, kulturore ose mediale në Maqedoni, sikur ai të kishte qenë kirurg që ka nxjerrë organe, në të ashtuquajturën “shtëpi të verdhë”, në të cilën kishte dyshime Karla del Ponte, e pastaj edhe i famshmi Dik Marti (për qarqet serbe të mos flasim), por që praktikisht kishte ngritur dorë si Tribunali i Hagës, si tash Gjykata Speciale. Prandaj, a nuk është mjerim intelektual, kur përskaj personave si Milenko Nedellkovski ose Dimitar Apasiev (asgjë e çuditshme prej tyre) t’i varen në qafë Artan Grubit edhe persona “të moderuar” si aktori Sasho Tasevski, i njohur pikërisht si luftëtar kundër histerisë nacionaliste?Apo, disa qarqe maqedonase, qoftë të djathta ose të majta, bashkohen në një pikë: ato parapëlqejnë një imazh sa më të zi për shqiptarët, që gjithë bëmat serbe t’ua veshin atyre!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)