BETEJA E NOKSHIQIT, SPROVA MË E SUKSESSHME USHTARAKE E LIDHJES SHQIPTARE

Kur kujtojmë 140 vjetorin e Betejës së Nokshiqit, historiografia shqiptare nuk duhet të mjaftohet vetëm me observime deskriptove e sipërfaqësore, siç ka vepruar në të shumtën e rasteve, por duhet të ngrihet në nivelin e qasjes serioze, ku do të dominonte këndvështrimi më i thellë dhe më reprezentues për një opinion më të gjerë, me argumente shteruese dhe krahasuese që do të përfshinte këto ngjarje në fokusin e interesimit shkencor të studiuesve ndërkombëtarë mbi historinë e shqiptarëve

Prof.dr Skender Asani

Vendimet e hileqare të Kongresit të Berlinit që i njihnin të drejtën Malit të Zi aneksimin e viseve shqiptare, përfshi Plavën e Gucinë, mobilizuan shqiptarët që të kundërshtonin fuqishëm këto vendime, duke zhvilluar beteja heroike në mbrojtje të tokave të tyre stërgjyshore. Organizimi ushtarak e politik i shqiptarëve tani mbante vulën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila doli hapur kundër vendimeve arbitrare të Fuqive të Mëdha dhe për rrjedhojë u zhvillua edhe Beteja e Plavës dhe Gucisë ( dhjetor 1879- janar 1880) në Nokshiq, por edhe në disa pika të tjera strategjike që i kishin fiksuar komandantët e rezistencës shqiptare. Kjo ishte një nga betejat më të lavdishme shqiptare që pati dy efekte thelbësore: zmbrapsi synimet grabitqare të malazezëve për aneksimin e viseve shqiptare dhe ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, duke i dhënë kësaj çështjeje karakterin e një lufte politike që shqiptarët e bënin për të fituar autonominë e shumëkërkuar nën Perandorinë Otomane.

Gazetat e kohës madje përmes korrespodentëve të tyre në Ballkan, dërgonin raporte të detajuara që përshkruanin heroizmin e shqiptarëve si përpjekje titanike për të mbrojtur tërësinë e tyre territoriale, por nën anën tjetër edhe kritikonin vendimet e Kongresit të Berlinit, duke i kualifikuar ato si shpërfillje e të drejtave të një kombi për liri e pavarësi.

Historia njeh shumë beteja të suksesshme e të pasuksesshme, por janë të rralla ato beteja që dalin fituese, siç ishte ajo e Nokshiqit, kur përballë saj ishte një makineri e tërë diplomatike evropiane dhe një ushtri e organizuar siç ishte ajo e Mbretërisë Malazeze. Në anën e shqiptarëve nuk ishte asnjë aleat, por aleati më i madh i tyre ishte vendosmëria për të rezistuar ndaj një padrejtësie që kishte edhe aminin e Fuqive të Mëdha.
Kjo betejë që ishte njëherësh edhe sprova më e sukseshme ushtarake në terren e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nxori në pah shkathtësitë luftarake të shqiptarëve, kurse ne sot me pietet nderojmë figurat e Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit, Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës, Jusuf Sokolit etj. të cilët përpos që ishin bartësit kryesor të kësaj kryengritjeje, ata dëshmuan se në hirin e popullit gjithmonë ndodhen gacat e pashuara të luftës për liri e pavarësi.

Beteja e Nokshiqit, e cila mund të jetë edhe sot aktual për nga fuqia e mesazhit, i tregoi Evropës hileqare, por edhe pushtuesve malazez se vendimet e gabuara në tryezat diplomatike, nuk mund të merren si të mirëqena nëse ato janë në kundërshtim me vullnetin e popullit.

Duke qenë një betejë që kishte prishur komoditetin e diplomatëve të huaj, dëshmon edhe një raport konsullit austro-hungareze në Shkodër, z. Shmuker, i cili pasi që e kishte ndjekur nga afër zhvillimin e betejës për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, i raportonte qeverisë së tij se “Malazezët thanë hapur se në betejën e Nokshiqit shqiptarët luftuan me guxim. Me të vërtetë, forca e Lidhjes shkatërroi forcat e Malit të Zi që gjithmonë i dhanë gratë e tyre turqve otomanë për të mbetur të pavarur. Shqiptarët luftuan me një shpirt të vërtetë kombëtar”, përfundonte raporti i konsullit austro-hungarez.

Sot kur kujtojmë 140 vjetorin e Betejës së Nokshiqit, historiografia shqiptare nuk duhet të mjaftohet vetëm me observime deskriptove e sipërfaqësore, siç ka vepruar në të shumtën e rasteve, por duhet të ngrihet në nivelin e qasjes serioze, ku do të dominonte këndvështrimi më i thellë dhe më reprezentues për një opinion më të gjerë, me argumente shteruese dhe krahasuese që do të përfshinte këto ngjarje në fokusin e interesimit shkencor të studiuesve ndërkombëtarë mbi historinë e shqiptarëve.

Shkup, 15 janar 2020