Në bazë të hulumtimeve tona, në këtë betejë në fshatin Mateç, përveç 14 dëshmorëve, pjesëmarrës aktiv në këto 12 ditë luftimi ishin 144 ushtarë të lirisë, të cilët duhet të gëzojnë respekt të përjetshëm
Nga prof.Minir ADEMI
Të nderuar familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë dhe ushtarë të lirisë, të nderuar bashkëfshatarët e mi, të nderuar mysafirë, politikanë dhe ju gjithë të pranishëm: “Mirë se keni ardhur në Hotlën Legjendare”, në këtë manifestim tradicional.
Jemi tubuar sot bashkë për të përkujtuar 25 majin e vitit 2001 si data e fillimit të betejës, dhe 6 qershorin, mbylljen dhe fitoren e kësaj beteje në fshatin Mateç, e cila hapi rrugën e fitores, rrugën e furnizimit me ushqim, armatim dhe lëvizje në tërë territorin e Komunës së Likovës. Ne si pjesë e këtyre ngjarjeve të vitit 2001, duhet të përkujtojmë e asnjëherë mos t’i harrojmë e as anashkalojmë veprat heroike të bijve e bijave tona që dhanë edhe jetën për liri. Ditët e fundit të muajit maj të vitit 2001, ishin shumë të rënda. Popullata civile filloi t’i harxhojë rezervat e ushqimit. Granatimet nga të gjitha anët nuk ndaleshin. Atëherë, ushtarët e lirisë iu afruan edhe më shumë popullatës civile, duke e bindur se fitorja është shumë afër. Tanket maqedonase më 26 maj 2001, kishin arritur të depërtojnë gati në brendi të fshatit Likovë. Mirëpo, trimat e lirisë i sulmuan forcat armike nga fshati Likovë, ndërsa u ndërmor sulm edhe nga fshati Hotël, që armikun e detyroi të tërhiqet mbrapa. Sipas strategjisë ushtarake të komandës, para se të sulmoheshin forcat policore-ushtarake maqedonase në Mateç, dy herë ishte vëzhguar terreni dhe postblloqet armike. Pasi u stacionuan në brendi të fshatit Mateç, u ndanë në disa grupe për të marr pozicionet. Në orët e hershme të mëngjesit të 26 majit 2001, Batalioni i Tretë i Brigadës 113 “Ismet Jashari – Kumanova”, nën komandën e Komandant Malishevës, i ndau ushtarët në katër pozicionet më strategjike të fshatit. Pas përgatitjeve dhe marrjes së pozicioneve si dhe vëzhgimit të postblloqeve të policisë dhe ushtrisë maqedonase, u bë radhitja e të gjithë ushtarëve nëpër pika, ku në asnjë pikë nuk kishte të hapur istikame, por ishim të pozicionuar nëpër çdo kënd të shtëpive dhe mureve.
Pa dyshim se ishin përgatitje jo të mjaftueshme për të ndërmarrë një aksion, kur pritej të ketë kundërofensivë të fuqishme nga forcat e armikut, që ishin pozicionuar me armatim të rëndë artilerik, pizgauer, tanke,autoblinde dhe me një pozicion të mirë në mes të qendrës (jurisë) së fshatit dhe në disa pjesë përreth. Ushtarët rrëfejnë se gjatë tërë natës ne arritëm të shpërndaheshim nëpër pozicione dhe pritnim vetëm alarmin për sulm nga Komandant Malisheva. Alarmi për sulm u dhe në orët e para të mëngjesit, pa zbardhur drita në orën 03:45 minuta, kur me një ofensivë të papritur u sulmuan forcat e armikut, shumë fuqishëm nga forcat e UÇK-së. Ishte luftë e ashpër, luftë në një distancë shumë afër mes veti. Nga frika se ne jemi në numër të madh, forcat policore-ushtarake maqedonase, morën ofensivë të madhe mbi ne. Sipas taktikës tonë ushtarake, ne duhej të zmbrapsemi për disa metra dhe duke u zmbrapsur, duke sulmuar, arritëm deri në afërsi të lumit dhe shitores së njohur të Haxhi Ashimit. Aty u ndalë sulmi në të dyja anët. Nga komanda u kërkua përforcim, sepse ushtarët e UÇK-së, panë vendosmërinë e forcave të armikut për t’i mbrojtur pikat. Për shumë pak minuta erdhën përforcimet nga të gjitha anët, madje edhe udhëheqësit kryesor të luftës, ku për disa orë luftimesh të ashpra mes forcave policore ushtarake maqedone dhe UÇK-së, forcat e armikut u kthyen në pikat prej nga e kishin filluar sulmin.
Me këtë sulm të përbashkët të ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, forcat e armikut pësuan dëme dhe humbje në ushtarë. U luftua deri në orët e vona të natës dhe në mesnatë pushuan sulmet nga të dyja anët. U kërkua ndihmë nga Manastiri i Mateçit ku kishte ushtarë, mirë të stërvitur dhe në orët e pasdites ata arritën në frontin e Mateçit grupi i ushtarëve, me eksperiencë luftarake nga Kosova. Në mëngjesin e 28 majit 2001, kishin filluar sulmet dhe granatimet e njëpasnjëshme dhe të pandërprera. Ushtarët e lirisë sulmonin, taktizonin duke u bartur nga pika në pikë, plotësoheshin pikat me përforcime të reja, në çdo anë granatohej, sulmet dhe gjuajtjet e tankeve ishin pandërprerë, shkonte tym e flak në çdo anë të Mateçit. Të frymëzuar me ideale të larta kombëtare, duke e bartur amanetin e Sulë Hotlës, ushtarët tanë nuk ndaheshin nga pika, dhe nga shokët. I tillë ishte edhe Sali Latifi, i cili në ditën e 28 majit 2001, ra dëshmori i parë i kësaj beteje.
Luftimet vazhdonin, fronti nuk lëshohej, pikat përforcoheshin, vendet e ushtarëve që plagoseshin plotësoheshin me ushtarë të ri me përvojë ushtarake. Dita e 29 majit ishte edhe më e rëndë. U luftua pandërprerë gjatë gjithë ditës dhe në orët e mbrëmjes në luftim e sipër me forcat e armikut ra dëshmor Ismet Latifi nga fshati Majancë. Çdo ditë e re e muajit maj 2001 sillte fatkeqësi të ndryshme me sulme, granatime, vrasje e plagosje. Në mesin e të gjitha këtyre vuajtjeve, më së vështiri po e përjetonin pleqtë, gratë, fëmijët, nënat shtatzëna dhe e gjithë popullata civile e fshatit Mateç dhe Hotël. Pasi ishin të rrezikuar skajshmërisht, ndërmjet dy palëve të luftës, 29 maj 2001, popullata civile e fshatit Mateç, filloi nga mëngjesi të gjej rrugë të ndryshme për t’u shpërngulur nga vendi i tyre, ku zhvilloheshin luftimet. Prandaj, shumë shpejt, brenda ditës së 29 majit 2001, gati i gjithë fshati u zbraz nga popullata civile.
Lufta u bë edhe më e ashpër pas zbrazjes së fshatit nga civilët, meqë armiku ishte i lirë se përballë kishte vetëm forcat e UÇK-së. Ditët e 29, 30, 31 maj ishin shumë të vështira për ushtarët e UÇK-së. Trimi nga Shkupi, Imri Elezi, si luan depërtoi duke sulmuar forcat e armikut, dhe në luftim me forcat e armikut ra dëshmor në fushën e betejës më 31 maj. Dita e re e 1 qershorit 2001, ishte mjaft e rëndë. Sulmohet edhe minarja e xhamisë së Mateçit, në momentin kur forcat e armikut vërejtën se ushtarët e UÇK-së po sulmojnë nga lartësia e minares. Në orët e pasdites mes orës 16 e 17 të datës 1 qershor 2001, në luftim e sipër ra dëshmor Arsim Bajrami.
Në këto luftime të ashpra e vendimtare të 1 qershorit 2001, ishte edhe Llokman Neziri nga fshati Hotël, me një përvojë ushtarake nga Kroacia. Vendi ku u plagos rëndë Llokmani, ishte jo më larg se disa metra nga tanku, i cili kishte zënë pozicionin kryesor në mes të fshatit Mateç, afër stacionit policor, në drejtim të xhamisë. Ishin 18 tanke dhe mjete tjera teknike ushtarake nga më të përsosurat, të cilat gjatë sulmeve bënin shkatërrime të hatashme, ku ushtarët rrëfejnë se aty kemi parë vdekjen me sy. Mateçi u shndërrua në Drenicë të vërtetë. U kërkua ndihmë për intervenim të shpejt nga të gjitha njësitet ushtarake që i kishte në disponim Brigada 113, e sidomos nga Njësiti Special “Skënderbeu”, posa arritën në frontin e Mateçit, filluan t’i sulmojnë forcat e armikut në të gjitha anët, ku mbeti nën tym e flakë në mes të fshatit tanku i ushtrisë maqedonase. Ai tank ishte dëshmia më e madhe e fitores shqiptare së luftës së Mateçit. Mirëpo, në mëngjesin e hershëm të 2 qershorit 2001, ra dëshmor Visar Krasniqi nga Malisheva. Me datën 03 qershor 2001, pasi kishte shumë granatime, një predhë e minahedhësit ra afër ushtarëve të lirisë, e më afër Llokman Nezirit. Ai duke u përpjekur ta heqë rrezikun nga shokët, me këmbë e largoi predhën, e cila për fat të keq, shpërtheu menjëherë. Aty Llokmani mori lëndime të rënda trupore, dhe menjëherë u tërhoq nga shokët, por në orët e hershme të mëngjesit, ndërroi jetë në spitalin ushtarak të Likovës. Lufta në fshatin Mateç vazhdoi edhe më 3 dhe 4 qershor 2001. Ali Mamuti, një djalë i ri nga Hasanbegu i Shkupit, i gjendur në pikat e para të frontit, më 4 qershor 2001, ra dëshmor në Betejën e Mateçit. Dita e 6 qershorit 2001, merret si data e fitores së UÇK-së në Betejën e Mateçit. Në mëngjes, ushtarët e UÇK filluan të defilojnë të radhitur në çeta të ushtarëve duke brohoritur: UÇK, UÇK, UÇK… Festohej fitorja. Mirëpo, kjo fitore shumë shpejt u shndërrua në ditë zie, kur stacioni policor ra në duart e UÇK-së. Shokët e pandashëm: Labinot Krasniqi nga Malisheva, Faik Ibrahimi nga Kumanova dhe Isa Ahmeti nga Hotla, nga gëzimi i madh i fitores, depërtuan në brendinë e stacionit dhe për një moment ndodhi një eksplodim i madh, sepse forcat e armikut pas tërheqjes e kishin minuar stacionin policor. Zhurma e eksplodimit u dëgjua edhe në fshatin Hotël. Nga shpërthimi i madh ranë dy dëshmorë në vendin e ngjarjes, Labinot Krasniqi dhe Faik Ibrahimi, ndërsa Isa Ameti ndërroi jetë pas dy orëve në spitalin ushtarak të Likovës.
Në Betejën e Mateçit të zhvilluar pa ndërprerje nga 26 maji e deri më 6 qershor 2001, morën pjesë luftëtarë trima nga të gjitha trojet shqiptare, hotlanasit bashkë me shokët e tyre mbrojtën heroikisht pikat e frontit, me parullën “O vdekje, o liri”. Data e 6 qershorit përkujtohet si datë e fitores dhe datë e rënies së tre dëshmorëve. Dëshmorët e rënë në luftën që u zhvillua ballë për ballë me armikun, duke mos ju trembur syri asnjërit, kurrë nuk do t’i harrojë historia e do t’i përkujtoj gjithherë kombi shqiptar. Në ato 12 ditët e rezistencës së armatosur, pa asnjë minutë ndërprerje të luftës, ranë 14 dëshmorë në altarin e lirisë, emrat e të cilëve janë të lartësuar si në historinë kombëtare, po ashtu edhe tek Zoti i plotfuqishëm. Gjatë gjithë periudhës sa zgjati lufta në Mateç, ranë edhe këta dëshmorë: Jetullah Miftari, Hasip Emurllahu, Iljasa Memedi, Mevludin Memedi dhe Elmi Hoti.
Në këtë fletë të bardhë dua t’i shënojë emrat e gjithë atyre, jo vetëm që ranë dëshmorë në këtë betejë, por edhe atyre që u plagosën, edhe atyre që mbetën gjallë, duke ju bë respekt për trimërinë e tyre, sepse asnjë prej tyre nuk luftuan për t’iu thurr vargje, por luftuan për liri. Në bazë të hulumtimeve tona, në këtë betejë në fshatin Mateç, përveç 14 dëshmorëve, pjesëmarrës aktiv në këto 12 ditë luftimi ishin 144 ushtarë të lirisë, të cilët duhet të gëzojnë respekt të përjetshëm. Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për të mos vdekur kurrë.
(Fjalim i prof.Minir Ademi me rastin e përkujtimit të Betejës së Mateçit)