Vuçiqi nuk i ka marrë librat dhe dokumentet që i ka ofruar Kurti në tavolinën e bisedimeve. Por ato kanë rënë në dorë të Jozef Borel-it. Ky mbase edhe është qëllimi i Kurtit, që të tregojë para botës se pala serbe ikë nga e vërteta, sepse e vërteta për të kaluarën kriminale, është lidhur ngushtë edhe me të tashmen, sepse as Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtës ndoshta nuk do t’ia njihte Kosovës të drejtën e vetëvendosjes sikur ajo të kishte qenë pjesë e një shteti pa të kaluar kriminale
Nga Daut DAUTI
Rundi i dytë i “meçit epik” Kurti – Vuçiq, shënoi kapitullin e parë të betejës për të vërtetën. Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës, për të treguar se “nuk është si të tjerët”, më tepër i ka vënë për qëllim ta fitojë betejën për të vërtetën, sesa betejën për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë (kjo nuk është edhe çështja jo diskutabile!). Kështu duket se mund të rrjedhin gjërat. Përderisa Vuçiqi shumë herë e ka përsëritur se nuk do ta njohë Kosovën, në anën tjetër – Kurti i ka vënë për qëllim vetes që botës t’ia tregojë fytyrën e vërtetë të Serbisë dhe të vetë Vuçiqit. Misioni i tij, që mund të shihet nga takimi i dytë, do të titullohej sipas titullit të librit të Sami Frashërit, po tash të modikfikuar, “Serbia ç’është dhe ç’ka qenë”, sepse botës duhet t’i tregohet se vijnë e shkojnë qeveritë serbe, por shumica e tyre ndjekin një rrugë, atë të njomur me gjak e eshtra popujsh, e më së shumti të shqiptarëve. (Dorën në zemër, edhe Skënder Hiseni e Edita Tahiri pothuajse të njëjtat gjëra i kanë vënë më herët në tavolinë me palën serbe…)
Një shekull e gjysmë nuk është pak për të njohur bota gjithë bëmat e regjimeve të një shteti, por bota sikundër edhe njeriu, nuk e ndjen hallin e huaj si të vetin, e as mundohet t’i korrigjojë padrejtësitë e tjetërkujt. Plus interesat “më të larta” kur lidhjet tradicionale kanë bërë që mikut t’i falet gjithçka, përderisa është në vijën tënde të interesit.
Që pas Kongresit të Berlinit, përtej luftërave ballkanike, përtej Luftës së Dytë Botërore përtej shpërnguljeve të mëdha për Turqi, është hedhur mjegullnaja relativiziuese e krimit të planifikuar ndaj një popullate dhe kapitulli i fundit, ai i vitit 1999, kurse Kosova arriti lirinë e ëndërruar, falë një kthjellimi ndërkombëtar (edhe disa shtete aleate të Serbisë u rreshtuan kundër regjimit të Millosheviqit), Kosova fitoi lirinë e merituar dhe më vonë, edhe pavarësinë dhe shtetin në ndërtim e sipër. Sadoqë u luajt akti i fundit, e drejta edhe kur vonon, në fund fiton, akti ende nuk është komplet, sepse falë rolit të pozicionit gjeostrategjik të disa vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, barriera e fundit ende duhet të kalohet, por edhe me aminin e Serbisë. Kjo rrugë e vështirë po kalohet me aktorë të ndryshëm, me “më të moderuarit” nga të dy palët, të cilat nuk e rrumbullakosën njohjen e Kosovës, për të ardhur te “më ekstremët”, e mundshëm, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe AleksandarVuçiq, kryetar i Serbisë.
SERBIA SOT…
Se Ç’ËSHT SOT Serbia, Kurti provoi të dëshmojë në Bruksel para euro-emisarëve Llajçak e Borell. Atyre dhe botës t’u tregojë se ujku qimen e ndërron, por tabihatin jo. I ofroi Vuçiqit, në emër të fqinjësisë së mirë, Deklaratën e paqes mos-sulmim midis vendeve. Sigruisht, duke e ditur se do të refuzohet. Një ofertë shumë e thjeshtë, në vetëm gjashtë pikë, një mundësi shumë e qartë, për të dëshmuar madje fjalët që vetë presidenti serb i ka thënë, se Serbia nuk do të luftojë më për të arritur qëllimet e veta. Me refuzimin e vet Vuçiqi tregoi se Serbia nuk heq dorë nga ajo që deri tash e ka zbatuar për të realizuar politikat e veta grabitëse ndaj territoreve të popujve tjerë. Ose, se nuk luan sipas notave të “njëfarë” Kurti… Me këtë njëkohësisht tregoi se as vetë nuk ka ndryshuar nga “radikalizmi” burimor kur ishte një postier i gurus së tij, Sheshelit. Por, sikur edhe të besojmë se mund dhe të ketë ndryshuar nga ajo ideologji që nxiti luftërat e fundit në ish-Jugosllavi me autorësinë serbe(kur nuk dihej kush është më radikal se tjetri, se nuk ishte Millosheviqit luftënxitësi i vetëm), Vuçiqi me këtë tregon se nuk është as politikan pragmatik që merr përgjegjësi shtetërore për vendime të madha, se është edhe rob i atavizmit të Kishës Serbe por edhe të Sheshelit, që thotë se Serbia çkado që të ndodhë, nuk duhet ta njohë Kosovën, që një ditë të shfrytëzojë momentin për ta rikthyer! Pra, nga politika paqesore, kaq.
Kundrejt kësaj qasjeje të pandryshuar serbe, qëndron e drejta ndërkombëtare e popujve për vetëvendosje dhe këtë betejë Kosova tashmë e ka fituar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të së Drejtës në Hagë.
E ka vështirë Serbia të ballafaqohet me të vërtetat e pakëndshme rreth politikave të saj. Ndaj, Vuçiqi refuzoi edhe dëshmitë e Kurtit“të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin”. Sigurisht, Serbisë për nevoja propaganduese i konvenonte trumpetimi për shkelje vetëm nga ana e Kosovës(reciprociteti i famshëm), për ta paraqitur viktimë, por zhveshja nga kjo demagogji, me dëshmi të qarta se ajo është shkelëse e marrëveshjeve, është mirë ta ketë si fakt edhe BE-ja për hir të shumë shkaqeve tjera, di këto gjëra t’i vë nën rogoz. BE-së është mirë t’i përsëriten këto fakte që ta dijë se si vepron Serbia.
SERBIA SI DIKUR, ASHTU DHE SOT
Se Ç’KA QENË DIKUR Serbia, Kurti provoi të dëshmojë përmes “triasëve nga mënga”, që ia përplasi Vuçiqit mbi tavolinë, si në një lojë hazardi: rrëfimet e grave të përdhunuara, listën e 1133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit. Kjo e fundit me autorësi joshqiptare, sigurisht palës serbe do t’i dhembë më shumë se ato me autorësi shqiptare.
Në këtë këndvështrim kanë peshë të madhe fjalët e keqardhjes nga Kurti që s’kanë arritur të dalin me një deklaratë të përbashkët nga takimi në Bruksel, sepse delegacioni serb nuk është pajtuar me togfjalëshin “ballafaqimi me të kaluarën”.Tipike për qëndrimin serb ndaj së vërtetës, i paimagjinueshëm që mund të shtrohet në tavolinë bisedimesh, që kësaj radhe në prononcimin e vet kryeministri i Kosovës e thatë vërtetën e përmbledhur në pak fjalë: “Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë”.
Kjo ofensivë e Kurtit për të krijuar pozicion superior me të vërtetat për Serbinë, sigurisht se nuk do ta përshpejtojë dialogun drejt një zgjidhje që Serbinë ta obligojë ta njohë Kosovën si shtet jashtë territorit të saj. Kjo është një barrierë që vështirë se do të bëjë përpjekje ta kërcejë liderishipi serb. Por, kjo do të ishte përgjigja adekuate për Vuçiqin i cili është kategorik kundër një zgjidhje me njohje të Kosovës. Ajo që duket si një imperativ i kahershëm, është që botës duhet t’i prezantohet e vërteta për Kosovës, sepse e vërteta kosovare është shumë më e fortë se propaganda serbe me të vërtetat e sajuara. Kosova në fakt as nuk bën propagandë, por rrëfen të vërtetat që s’i përshtaten Beogradit. Kësisoj, presidenti serb në tavolinë të bisedave apo para gazetarëve mund të djersitet, të gjestikulojë, të ngre zërin, të thirret në komplote sikur krejt bota është kundër serbëve, por kjo nuk mund t’i zbehë ato që janë fakte, e që Kosova duhet t’ia tregojë botës. Është e qartë se Serbia kaherë ka zgjedhur taktikën e relativizimit të krimeve të veta(me tezën: po, kanë bërë serbët por dhe të tjerët), se serbët kanë qenë të provokuar, se UÇK-ja ka qenë organizatë terroriste, se Srebrenica nuk ka ndodhur(këtë fakt ndonjëherë e pranojnë nga zori!), se nga Serbia e jugut dhe Kosova nuk janë bërë dëbime masive asnjëherë, se nuk ka pasur përdhunime grashë, e krime ndaj civilëve në përgjithësi, duke shtuar ndonjë rast sporadik të ndonjë viktime civile serbe, duke heshtur ato që në përmasa të mëdha kanë bërë njësitë ushtarake-policore e paramilitare serbe…) Por, ajo që i dhemb çdo politikani serb është që të ballafaqohet me të vërtetën e hidhur se agresioni, dhuna, krimet kanë autorësi serbe, jo vetëm në Kosovë, por dhe më gjerë.
Vuçiqi nuk i ka marrë librat dhe dokumentet që i ka ofruar Kurti në tavolinën e bisedimeve. Kjo s’është pritur prej tij. Por ato kanë rënë në dorë të Jozef Borel-it. Ky mbase edhe është qëllimi i Kurtit, që të tregojë para botës se pala serbe ikë nga e vërteta, sepse e vërteta për të kaluarën kriminale, është lidhur ngushtë edhe me të tashmen, sepse as Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtës ndoshta nuk do t’ia njihte Kosovës të drejtën e vetëvendosjes sikur ajo të kishte qenë pjesë e një shteti pa të kaluar kriminale. Nga ana tjetër, pikërisht ky “poentim” i Kurtit, sado që mund të mos e ndihmojë dialogun me Beogradin, mëton t’i definojë rolet në tavolinë: se Serbia është pala fajtore, dhe Kosova është viktima më shumë se një shekull e gjysmë.
Mbase edhe BE-ja do të dijë nga cila anë të bëjë presionin, nga pala fajtore, apo viktima?
E vetmja gjë që duhet të merret me rezervë është dilema nëse këto manovra të Albinit duke dashur të tregojnë të vërtetën për Serbinë, mos e rrezikon procesin e bisedimeve në tërësi dhe në vend se të shkurtojë rrugën e njohjes, ta shtyjë në afat të pacaktuar. Kjo, duke e pasur parasysh mendësinë politike dhe rolin e krenarisë së thyer te pala serbe…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)