Si gjithnjë, rruga për Evropë po bëhet me kontributin edhe të shqiptarëve, ndonëse ka përpjekje dhe “të interesuar” edhe në bllokun shqiptar, që të bëhen pengesë kësaj rruge, duke iu ndihmuar kështu atyre që kanë interesa të veta ose madje synojnë orientime të tjera
Nga Daut DAUTI
- Vendi po kalon fazën më të ndërlikuar të “kullimit” të ujit të turbull të skenës politike, ku zhvillohen dy beteja paralele. Njëra, që e zhvillon shumica parlamentare, betejën për Evropë, që çon me votimin e ndryshimeve kushtetuese. Dhe tjetra, e opozitës maqedonase plus Lëvizja Besa, që jo se nuk u intereson Evropa, por që mendojnë se së pari duhen bërë zgjedhjet e parakohshme. Tek këtyre ditëve duket se po rrezohet uji, pas shenjave të para për përforcimin e shumicës parlamentare me deputetët e Aleancës për Shqiptarët. Në këtë mënyrë, duke iu afruar numrit 75 (sipas Seladin Xhezairit, gjë e sigurt), punët sikur marrin “kahun e Evropës”, duke na kthyer për pak në të kaluarën kur një shumicë tjetër për votime kushtetuese(për implementimin e Marrëveshjes së Prespës), qe siguruar hiq më pak po me votat e deputetëve të VMRO-së.
Dy herë i njëjti film zor se luan, por është e dukshme nervoza në taborin opozitar, pasi Mickovski tashmë ka nisur të flasë se pushteti po bën presion ndaj deputetëve, me frikë reale se po i ikin deputetët. Për operacionin numerik sigurisht se lipset pak ngulmim dhe lobim edhe nëpër kancelaritë ndërkombëtare, gjë që e vërtetojnë edhe fjalët e njërit prej aktorëve kyç, Arben Taravarit, i cili i tregoi Mickovskit se jo një, por të gjitha ambasadat kërkojnë votimin e ndryshimeve kushtetuese.
Gjithkush e ka të qartë se vetë futja e bullgarëve në kushtetutë, bashkë me kroatët dhe malazezët, për ta relativizuar peshën politike, nuk është problemi kryesor. Problemi kryesor është tentimi për të shfrytëzuar shumicën tejet të pasigurte të partive në pushtet dhe anketat që e kanë trimëruar VMRO-në që ta përqafojë këtë kauzë. Ky qëllim mëtonte të realizohej me shkaktimin e turbulencave në taborin e pushtetit, të cilat pati dhe disa skenarë të cilët, edhe pse duken se nuk janë përmbyllë, duken tashmë si ballon i shfryrë. Pas dështimit të një skenari të mëparshëm, tash ka një tjetër, më origjinal, bashkëpunimi midis Zaevit dhe Mickovskit, për të cilin ka spekuluar portali plusinfo.mk dhe kryeredaktori i saj! Duke dashur që të shkëpusë një numër deputetësh të LSDM-së, Zaevi dashka të një koalicion 8-vjeçar LSDM-VMRO, ku do të defaktorizoej BDI-ja dhe në vend të saj, do të shërbenin parti të vogla satelite, sa për të siguruar përfaqësim shqiptarësh proforma. Duke e kuptuar paksa normale motivin për kthimin e vet në politikë(edhe pse atë askush nuk e dëboi, po vetë u largua!), megjithatë, nuk mund të kuptohet që ai kështu mund të rrezikojë pikërisht projektet të cilat vetë u parapriu, siç ishte normalizimi i marrëdhënieve me Bullgarinë, që si motiv është kryesori për kontestim nga ana e VMRO-së. Është e pakuptimtë që një Zaev, që zenitin politik e arriti në betejat kundër VMRO-së, të realizojë qëllimet e veta pikërisht me këtë parti. Por, t’i besojmë Zaevit që këto spekulime i ka quajtur të sajuara…dhe të mos i mendojmë më, pasi duket reale të ketë hequr dorë pas “alo, çka je duke bërë?!” nga matanë Atlantikut. Edhe ai e di, çka do të thotë kjo.
Shfrytëzimi i situatës me një pretekst nacional brenda maqedonas, është kauza që e shfrytëzon VMRO-ja. Mirëpo, për cilëndo parti shqiptare do të ishte problem bashkëngjitja këtij qëllimi, kur dihet se realizimi i tij nuk bëhet vetëm me bashkimin me VMRO-në, por patjetër edhe me partinë e Apasievit. Le t’mos ia mohojmë orientimin pro NATO-s dhe pro-BE-së(me gjithë sentimentin prorus në rritje në anketa te një masë njerëzish që mund të jenë votues të tyre), por të jesh bashkudhëtar me Levicën, e deklaruar si kundër këtyre qëllimeve dhe kundër Kosovës, çdo opozitar shqiptar do të duhej ta vinte gishtin në kokë. Nëse jo për tjetër, edhe për shkak të përvojës së hidhur që patën Aleaca dhe Alternativa në zgjedhjet e fundit lokale, kur bashkëpunimi parazgjedhor, ua përgjysmoi elektoratin! Çka do të kërkonte një parti shqiptare në këtë shoqëri? Nëse ka ndonjë deklaratë më makiavelistë dhënë deri tash, sigurisht është ajo e liderit të Lëvizjes Besa që haptas tha se nuk i do ato eurointegrime për të cilat angazhohet ministri Osmani!
Me hyrjen eventuale të Aleancës për Shqiptarët në qeveri, nëse vërtet sigurohen 75 vota, bie krejtësisht në ujë qëllimi opozitar për zgjedhje të reja, vetëmse çështja është nëse pushteti mund të sigurojë edhe 5-6 deputetë të tjerë, sepse, të dy qëllimet mund të mbeten të parealizuara! Edhe po të mos e realizonte qëllimin, pushteti mund ta vazhdojë agoninë e procesit eurointegrues dhe t’u afrohet zgjedhjeve të rregullta pas më shumë se një viti. Në atë rast, ka gjasë të krijohet blloku pro-evropian, nga partitë aktuale në pushtet, me mundësi për t’ia prishë matematikat VMRO-së dhe Të Majtës, nëse do të mbeteshin vetëm me Besën si aleate.
- Mund ta duash ose të mos e duash Edi Ramën, varet nga cili këndvështrim e gjykon. Po, ama, pa hyrë në arritjet dhe dështimet të tij, është fakt se ndonjëherë, edhe në deklaratat zbavitëse të tij, thotë ndonjë të vërtetë të madhe. Këtë javë, po e përmbyllim me një deklaratë të fortë në Davos të enjten, ku tha se trajtimin që po u bëhet vendeve të Ballkanit Perëndimor, më shumë se gjysma e shteteve s’do ishin pjesë e saj!
Me shumë të drejtë! Sepse, për vendet e Ballkanit, si Maqedonia, Shqipëria apo Kosova, nuk vlejnë arritjet në përmbushjen e kritereve evropiane, sa vlen vullneti i fqinjëve të tyre me kërkesat iracionale. Çfarë kapacitetesh demokratike kanë Greqia dhe Bullgaria kundrejt Shqipërisë dhe Maqedonisë? Çfarë kapacitetesh kanë fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut? Çfarë regjistrimesh bëjnë ato? Çfarë i kanë kushtetutat e tyre dhe sa kanë garanci për liritë dhe të drejtat individuale e kolektive? Paramendoni në pyetjen pse nuk mund të deklarohet dikush si maqedonas, disa qarqe bullgare përgjigjen se këtë nuk e parasheh kushtetuta? E kushtetutën kush e shkruan dhe ndryshon? Nuk është as Bibël, as Kuran! Po edhe bullgarët nuk janë në Kushtetutë, por ja që Qeveria e RMV-së, me kërkesën e Bullgarisë do ta ndërrojë kushtetutën! Paramendoni sikur Shqipëria të kishte hyrë para Greqisë në BE, sa argumente të forta do të kishte për të kërkuar shkolla për shqiptarët në Greqi. Tash ende varet prej hireve të saj. Jo për këta disa qindra mijë emigrantë, por për ata autoktonë të cilëve u është mohuar kaherë e drejta e deklarimit dhe tashmë “operacioni është kryer me sukses”, janë greqizuar tërësisht. Arvanitët. Për çamët s’po flas, është një temë tjetër, por jo pa i prekur aspektet e demokracisë greke. Të gjithë rrimë në ethe që në BE të mos hyjë edhe Serbia para Kosovës, se do të fitonim një Bullgari a Greqi të re që fqinjin e kushtëzon, e BE-ja vetëm do të bëjë amin, sikur nuk di si t’ia bëjë. Dhe pastaj ndodh ndonjë krizë, si kjo e Ukrainës dhe BE-ja pyetet se ku gabuam.
Rama ka të drejtë, shumë të drejtë…Në shaka ose me ironi thënë, dikush mund të qeshet, por dhe t’i mëshojë kokës atje në Bruksel, sepse me këto zvarritje, edhe kur, si thotë Rama, më shumë se gjysma e shteteve nuk qëndrojnë më mirë se vendet ballkanike, vetëm rrisin euroskepticizmin.
- E, Albin, Albin… Asociacioni (nuk) do të bëhet apo jo? Dega e Institutit gjerman Friedrisch Ebert Stiftung në Prishtinë këtë javë tha se kanë përfunduar hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe se janë duke e shqyrtuar një datë kur edhe do të bëhet prezantimi publik i tij. Qëndrimin e Albinit e dimë kaherë, por ç’ne që qenka ngritur peshë Vuçiqi t’u thotë gjermanëve çfarë keni ju që shkruani statutin e Asociacionit? Gjithë kohën kërkonte krijimin, dhe tash kur dikush i ve bazat statutare, ai thotë s’keni çka na përziheni ju, kjo është çështje e serbëve dhe shqiptarëve! Bash ashtu. Ama meqë serbët i përfaqëson Vuçiqi dhe shqiptarët Albini dhe që të dytë nuk lënë rast pa lëshuar shigjeta helmi ndaj njëri tjetrit, duket se prapë më mirë ta shkruajë statutit dikush nga jashtë, sesa ata. Më mirë t’ua venë në tavolinë…që ta nënshkruajnë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)