Në zgjedhjet e 12 prillit do të ndeshen tri koncepte politike, pro-evropian, pro-rus dhe pro-turk. Njohësit e zhvillimeve politike në vend presin se mbi këto koncepte, partitë politike në pozitat fituese në listat e kandidatëve për deputet të vendosin figura profesionale dhe të dëshmuar në vijnë kombëtare. Ndërkohë që vet partitë politike premtojnë se në përbërjen e ardhshme të Parlamentit do të kenë një ekip me njerëz të dëshmuar
Destan JONUZI
Shkup, 18 shkurt – Parlamenti me 108 vota “për” e solli vendimin për vetëshpërndarje në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara parlamentare të caktuara për më 12 prill. Vendimi për vetëshpërndarje ishte parashtruar nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili në fjalimin e tij në mbledhjen e së dielës, tha se nga KSHZ-ja janë deklaruar se mund të sigurojnë rrjedhë adekuate të procesit në afat prej 55 ditëve nga momenti i shpërndarjes së Parlamentit për shkak të faktit që zgjedhjet e parakohshme janë të lidhura me aktin e shpërndarjes së ligjvënësit, e jo me vendime politike.
Aktivisti politik, Shpëtim Pollozhani thotë se në zgjedhjet e 12 prillit do të ndeshen tri koncepte politike, pro-evropian, pro-rus dhe pro-turk. “Është evidente se do të ndeshen këto koncepte në zgjedhjet e 12 prillit. Pa marrë parasysh koncepteve strategjike të partive në Maqedoni, kur janë në pyetje shqiptarët, ata ngjajnë si veza vezës. Zaev i fitoi zgjedhjet me votat e shqiptarëve,mirëpo ai s’bëri asgjë për shqiptarët përveçse i favorizoi grupet ekzistuese të klaneve politiko-mafioze të shqiptarëve. Ish partnerët e koalicionit VMRO-BDI mundet ta vazhdojnë lojën e dreqit derisa në këtë vend të mos ngelin më shqiptarë”, deklaroi për KOHA, Pollozhani.
Lidhur me listat e kandidatëve për deputet, Pollozhani thotë se partitë në pozitat fituese duhet të vendosin kuadër profesional dhe të dëshmuar në vijë kombëtare, duke mos i bërë ‘frontmenë’ militantët partiak, për të cilët mund të gjejnë pozicione tjera përkatëse.
Në anën tjetër, profesoresha universitare Besa Kadriu thekson se për një vend dhe një shoqëri si kjo e jona, gara- zgjedhjet e 12 Prillit, janë një sfidë ku shteti dhe shoqëria e këtij vendi do të dëshmohen për vlerat që kanë. “Në këtë rast, do të dëshmohen kapacitetet e partive politike, orientimin që ata kanë për të ardhmen e vendit, si dhe kapacitetet e funksionimit të shtetit ligjor dhe gatishmërinë e vendit për të përthithur vlerat e një demokracie të mirëfilltë. Andaj, ky rast do të jetë një dëshmi e gjallë e realitetit tonë dhe sfidës për të bërë të mundur të kuptojmë se cila do të jetë pjesë e së ardhmes dhe asaj se ku vendi do të jetë”, thekson Kadriu.
Opinionisti Berat Azizi vlerëson se zgjedhjet e 12 prillit do të jenë zgjedhjet më komplekse se ato të mëhershmet për shkak se do të ballafaqohen rryma pro perëndimore, pro-ruse dhe prite të dominojë pro lindjes , por kjo e fundit do të jetë e kombinuar me retoriken nacionaliste dhe të paqartë. “Shumë pak do të kenë ndikim konceptet politike pro-lindjes dhe pro-perëndimit për shkak se tashmë vendi është një hap afër hapjes së bisedimeve me BE-së, kurse anëtarësimi në NATO pothuajse është punë e kryer. Kurse politika pro-ruse edhe në këto zgjedhje do të jetë në fokus dhe do të tentojë të shtrijë ndikimin në masë, por do ta ketë shumë të vështirë që të dominojë në skenën politike në kohën kur koncepti perëndimor tashmë ka ngadhënjyer dhe rrethanat politike në Ballkanin Perëndimor kanë ndryshuar shumë . Koncepti që mund të prish balancat llogaritet se mund të jetë ai pro lindjes që do të tentojë të prish ekuilibrin e koncepteve, por do ti duhet sërish të gjejë një partner qoftë atë perëndimor qoftë atë pro rus dhe kjo e dyta do ta çonte drejt një humbjeje”, shprehet Azizi.
Sipas tij, e vetmja mënyrë që në këto zgjedhje blloku shqiptar të merr më shumë vota dhe ti zgjojë nga apatia elektoratin do të jetë lista me njerëz të përgatitur profesionalisht, të pakorruptuar dhe të aftë për tu bërë ballë sfidave të reja qoftë në aspektin ekonomik dhe në atë politiko-diplomatik. Ndërkohë, partitë politike premtojnë lista të kandidatëve për deputet me fytyra të reja dhe dëshmuara në shoqëri. “Ne si parti, jemi të hapur dhe të gatshëm për bashkëpunim me të gjithë qytetarët që i njohin dhe i mbështesin politikat e LSDM-së. Me vet aktin, që publikisht thërrasim edhe ata që s’janë anëtarë të LSDM-së, të kontribuojnë dhe të aktivizohen, me këtë tregojmë që nuk kemi qëllim të vendosim vetëm njerëz partiak”, tha Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.
Ndërkaq, edhe nga VMRO DPMNE informojnë se po bëjnë sondazhe dhe matje të rejtingjeve për personat e mundshëm potencial që mund të gjenden në listat e deputetëve. “Do të jenë persona me integritet dhe kredibilitet si dhe do të pranohen nga komitetet tona të komunave. Do të ketë figura të reja, por do të ketë edhe kombinim të përvojës, persona të pa- komprometuar, me të kaluar të pastër dhe dosje të pastër, me vizion të shëndoshë dhe të qartë dhe që do të përshtatet me programin tonë “Ripërtëritje e Maqedonisë”… të gjithë këto figura do të pranohen dhe në njëfarë mënyre, përmes anketave, do të jenë përzgjedhje e qytetarëve dhe komiteteve të komunave të VMRO DPMNE-së”, deklaroi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.
Nga BDI për KOHA thonë se së shpejti do të fillojnë me analizat e listës së deputetëve. “Procesi i zgjedhjes së kandidatëve më të mirë për deputetë së shpejti do të fillojë me analizë të mendimit publik. Angazhimi ynë kryesor do të jetë përzgjedhja e kandidatëve që do të sigurojnë vende pune për të gjithë, të cilët do të angazhohen për integrimin evropian, drejtësi jo selektive, veting, zhvillim ekonomik dhe një jetë më të mirë”, thonë nga BDI. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se këto ditë do të flasin për listat e deputetëve, por se njerëzit që do të gjenden në to do të jenë me integritet. “Këtë herë, Aleanca po garon si fituese e zgjedhjeve për të fituar legjitimitetin tek shqiptarët. Bazuar në këtë, mund të konkludojmë se Aleanca për Shqiptarët do të jetë më e përgatitur dhe do të garojë me më të mirët në lidhje me kuadrin dhe potencialin politik që do të përfaqësojë subjektin tonë politik në listat tona. Mund të them që do të ketë njerëz të dëshmuar, me prapavijë intelektuale, kombëtare, profesionale, këtë e kemi dëshmuar edhe në 5 vitet e fundit”, thonë nga ASH-ja e Ziadin Selës. Palët nuk zbulojnë nëse bartësit e listave do të jenë kuadro partiake me përvojë, siç e ka treguar praktika e deri tanishme. Por, sipas asaj që flitet parapa “xhamave të zi”, Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Bilall Kasami dhe Menduh Thaçi do të garojnë në njësinë e gjashtë zgjedhore, aty ku edhe del numri më i madh i deputetëve shqiptar. Ndryshe, para se të shpërndahet Parlamenti mes tjerash i miratoi edhe ligjet për Prokurorinë publike dhe ndryshimet e ligjeve për Këshill të prokurorëve publikë dhe për mbrojtje. Ligji për prokurorinë publike, për të cilin gjatë kohë negociohej dhe nuk ishte mbështetur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, u miratua me 80 vota “për” dhe gjashtë “kundër”. (koha.mk)